Nga Boldnews.al
Vetëm për një natë, ministrja e Drejtësisë shpenzoi 700 euro për dhomën ku do flinte në një hotel në Romë. Vetë ministrja është shprehur se kjo faturë është e gjithë stafit, por i mungojnë referencat se në dhomën e ministres paska fjetur i gjithë delegacioni. Ky është vetëm një detaj nga shpenzimet e luksit të qeverisë shqiptare, pasi si Gjonaj janë edhe shumë syresh të tjerë ministra dhe ministre që paraqiten nëpër botë si përfaqësuesit e vendit më të varfër të Europës, por shmenzojnë si të ishin “bosët” e saj.
Është mentaliteti masiv zyrtar dhe jo personazhi Etilda që ka sjellë një lloj reagimi, më shumë qytetar, pasi të tjerëve pushtetarë u bën çudi. Këta të fundit habiten sesi po merren me 700 eurot e një nate të ministres. Sa delegacione udhëtojnë jashtë vendit, sa takime pa pikë bereqeti zhvillon administrata e lartë nëpër botë? Nëse do dalin në fund shifrat e shpenzimeve, as një peshqir i lagur në kokë nuk të bën derman.
Por ministres i plasi dhe ajo duhet ta mbajë dhe justifikojë të pajustifikueshmen, janë shumë 700 euro për një natë gjumë, apo edhe pa gjumë, kjo mbetet detaji më pa rëndësi. Por këta zyrtarë të lartëqë hedhin paranë publike lumë janë përfaqësuesit e këtyre qytetarëve, që rrallë shohin 700 euro bashkë, jo më ti kenë në duar.
Ky skandal shperthen pikërisht në ditët kur sezoni turistik veror po i shkon fundit të saj, ndaj llogaritë me mendje apo laps e shumë qytetarëve, të atyre që u pëlqen ta quajnë vetën shtresë e mesme, por këtë fashë kurrë nuk e kanë kapur, të bëjnë të mendohesh gjatë. Një palë pushime dhjetë ditë në bregdetin shqiptar, me shumë kursime, të shkojnë në shifrën e shpenzimeve për një nate të shtratit të ministres në një hotel të Romës.
Një vit për ti kursyer ato 700 euro, që përkthehen në rreth 86 mijë lekë. Të kapim detin sa më parë, por atë bregun e detit me rërë, se diku më poshtë nga jugu, me 700 euro as mos e mendo. Një dhomë për një çift nuk gjendet pa 35 mijë lekë të vjetra nata, edhe atë duke gjezdisur cep më cep dhe diku në periferi të plazhit, sigurisht me gatim brenda, ndryshe as mos u nisni fare.
Për dhjetë ditë 350 mijë lekë të vjetra të ikin vetëm akomodim. Shezloni çdo ditë të merr 5 mijë lekë, po aq të shkon një kafe apo ujë në bregun e detit. Kthimi në drekë për në shtëpi, me këmbët zvarrë dhe shapkat me dhe pa gisht janë të stërmundimshme. Para dreke një ndalesë në pazarin e zhurmshëm të fruta-perimeve dhe të minimarketeve që ta shpesh edhe abuzojnë. Por jemi me pushime, të paktën stresin e shpenzimeve duhet ta heqë ky çift që u bë mbarë për tu “relaksuar”.
Gatimi më pas në dhomë, ushqimi, ndonjë sy gjumë nën zhurmën e freskueses dhe sërish vjen ora për plazhin e pasdites, sigurisht duke lënë varur një peshqir në sehzlonin që paradite e ke paguar një herë. Kredhje në det, not të stileve të ndryshme dhe me rend drejt çadrës, ku ashtu me dëshirë hap termusin ku mban një ujë të ftohtë, pije freskuese apo ndonjë birrë e blerë sa më lirë.
Darka ka avazet e veta, sërish ndonjë kafe, lëng apo akullore, por gjithnjë vigjilentë me sytë nga fatura, që edhe të vjen si kupon tatimor me një shifër të fryrë. Ama jemi me pushime, qejfi qeder mos bëhet. Me dhe pa rudhje buzësh sërish të duhet të dalin ca lekë në duar. Ditë pas dite i njëjti avaz.
Të vetmet që ndryshojnë janë fotografitë të hedhura në facebook, të cilat i ngjanë konceptit të propagandës së Rilindjes. Me qeshjen e stampuar në fytyrë pozicion pas pozicioni, me diellin që po perëndon fotot dalin të bukura, duke u futur edhe nganjë filtër, që të mbulohet zhuli poshtë dhe shmangësh ndonjë pirg me mbeturina.
Në ditët e fundit mirë është ti keni ndarë mënjanë lekët e furgonit. Kthim në vendbanim… I stërmunduar, pa asnjë lek në xhep, me shpresën e daljes së rrogës, ikën edhe këto pushime për këtë vit, por përsëri je më mirë se shumë të tjerë, që detin e shohin vetëm nga televizori. Por ndërsa je me stresin e mungesës së parave të vjen një goditje bash e në kokë, del lajmi: Ministrja e Drejtësisë e pa të drejtë që të linte vetëm për një natë fjetje në hotel 700 euro, aq sa të kanë bërë pushimet e sforcuara çift, me bukë me vete.
Por edhe më rëndë që vështira ta mërrësh veten janë komentet e profileve pranë qeverisë: “Janë delegacion zyrtar, shumë mirë ka bërë ministrja që shpenzoi 700 euro nata, pse brekëgrisur do dalim para botës?”-argumentojnë idealistët e Rilindjes. Sa për kujtesë: Ai çifti asnjë drekë në restorant nuk hëngri për dhjetë ditë pushime që bëri.