Një person i shpallur në kërkim, është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Gjirokastrës.
Ai është Bako Buzheri, i cili sapo ka parë uniformat blu është përpjekur të largohet me automjetin e tij.
Në ndjekje të tij u vunë forca të shumta policie, të cilat mundën ta arrestonin.
Edhe në momentin e prangosjes, Bako Buzheri ka kundërshtuar policinë duke bërë rezistencë.
Bako Buzheri nga Lazarati është një person i njohur për precedentët e tij të vazhdueshëm kriminalë si edhe përballjen me drejtësinë.
NGJARJA ME 4 MAJ 2016
Tiranë, Bako Buzheri, i akuzuar më parë për pengmarrje, kapet bashkë me shokun
Të shtëna gjatë aksionit, arrestohet lazaratasi me drogë
Rrethohet nga Policia, godet 2 efektiva, gëlltit hashashin
Policia e Tiranës hasi në rezistencë dje gjatë një operacioni për kapjen e një të riu nga Lazarati, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë kriminale. Teksa e kishte rrethuar për ta arrestuar, pas një hoteli në sheshin “Karl Topia”, Policia është kundërshtuar me dhunë nga 31-vjeçari Bako Buzheri dhe shoku i tij. Edhe pse shërbimet e Komisariatit nr.2 që po realizonin operacioni, janë prezantuar dhe kanë nxjerrë dokumentin identifikues policor, Buzheri dhe miku i tij, Tahir Brahimi kanë goditur me grushte dy efektivë. Në këtë kohë dy të dyshuarve u është bërë e qartë të mos lëviznin, duke thirrur: “Policia Kriminale, mos lëvizni” dhe një nga punonjësit është detyruar që të bëjë qitje në ajër. Sapo është bërë neutralizimi i tyre, i riu nga Lazarati ka nxjerrë nga xhepi një sasi hashashi dhe e ka futur në gojë duke e gëlltitur. “Punonjësit e policisë kanë bërë të mundur sekuestrimin e një pjesë të kësaj lënde narkotike. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Tahir Brahimi Policia gjeti dhe sekuestroi një numër të konsiderueshëm fara kanabisi”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Nga ana tjetër, Policia sqaroi se aksioni i Komisariatit nr.2 nisi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në afërsi të Sheshit “Karl Topia” po lëvizte një shtetas nga Lazarati, i cili dyshohej si person në kërkim, me rrezikshmëri kriminale.
I ARRESTUARI
Policia e Tiranës tha dje se i arrestuari, Bako Buzheri, ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me 21 vite burg për pengmarrje e gjobëvënie, por është lënë i lirë duke u shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë. Ngjarja për të cilën akuzohej ai ka ndodhur më 4 mars të vitit 2012 në Gjirokastër, ku sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, kanë marrë peng Erges Shelen, që e akuzonin se u kishte vjedhur drogën. Sipas hetimeve Ergest Shele dhe vëllai i tij, Velo Shele kanë zbritur në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, ku janë takuar me shtetasin Aleksandër Kalemi, i cili ishte me një makinë tip “Ford” me xhama të zinj. Dy vëllezërit kanë hipur në makinën e tij, kanë shkuar në lagjen Dunavat dhe më pas janë ndaluar nga një automjet tip furgon, që drejtohej nga Arbër Meçi. Në këtë kohë nga furgoni kanë dalë dhe Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët janë drejtuar vëllezërve Shele me fjalët: “Mos lëvizni”. Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest Shele duke i thënë: “Më njeh mua…ju që donit të më vidhnit mallin mua”. Më pas kanë goditur me grushte të dy vëllezërit duke i detyruar të hipin në një furgon me ngjyrë të bardhë dhe janë nisur drejt fshatit Lazarat. Në afërsi të fshatit Kordhocë të dëmtuarit janë detyruar të hipin në automjetin “Audi Q7”, që drejtohej nga i Alfons Buzheri dhe kanë vazhduar rrugën për në fshatin Lazarat. Në furgon kanë hipur edhe Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe Aleksandër Kalemi. Ata i kanë çuar të dëmtuarit në një shtëpi të braktisur në fshatin Lazarat duke ushtruar ndaj tyre dhunë çnjerëzore. Kanë filluar ta godasin me shkelma e grushte duke i thënë: “Nxirrni mallin, kush e ka marrë”. Më pas në dhomë kanë hyrë Bako Buzheri, Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët kanë filluar ta godasin Ergestin me shkelma e grushta dhe i drejtoheshin me fjalët: “Ku e keni mallin?”.