Mosha e daljes në pension do të pësojë rritje nga viti në vit, në bazë të legjislacionit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Prej janarit të 2019-ës, ashtu siç parashikohet në ligj, ka pasur ndryshime përsa i përket moshës së daljes në pension për të gjithë individët që kanë minimumi 15 vite pune me kontribute. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot moshën e daljes në pension për 2020-ën. Aktualisht për vitin 2019-të, mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 10 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç). Ndërkohë sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë në 2020-ën do të jetë do të jetë 61 vjeç, ndërsa në 2021 do të jetë 61 vjeç e dy muaj.
Ndërkohë, burrat duhet të kenë mbushur moshën 65 vjeç, në mënyrë që të përfitojnë pagesën e pensionit të pleqërisë (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056). Në bazë të reformës së vitit 2014-të, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë kontributeve për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029. “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror kanë të drejtë për pension pleqërie kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”, – theksohet në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për sa i përket pensionit të pleqërisë në vendin tonë. Ndërkohë, personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar deri tri vite para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92; apo nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. “Për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo më pak se 15 vite kontributive dhe mosha, që përcaktohet sipas tabelës së paraqitur në nenin 43 të ligjit (që ndryshon nenin 92).
Kriteret e përfitimit
Për të përfituar pension pleqërie individi duhet të bazohet te kriteret, mosha dhe vitet e punës me kontribute. Domosdoshmërish individi duhet të ketë dokumentin që vërteton moshën, e cila duhet të jetë mbi 60 vjeç e 10 muaj për gratë e mbi 65 vjeç për burrat. Tashmë është më e thjeshtë për ta verifikuar vërtetësinë e moshës, pasi vetë ISSH-ja ka akses mbi regjistrin themeltar të shtetasve. Megjithatë, qytetari duhet të dorëzojë një fotokopje të kartës së identitetit dhe në rastet kur pretendon të marrë kompensime të tjera që i bashkëngjiten pensionit, duhet të dorëzojë edhe dokumente të tjera si certifikata familjare për të verifikuar pjesëtarët e familjes. Kur individi mendon se ka 40 vite punë, duhet të paraqesë librezën e punës dhe dokumentin që vërteton pagat që ka marrë nga 1 janari i 1994 e deri më sot. Për të gjithë ata që kanë punuar pas 1 janarit të vitit 1994 e deri më sot, listëpagesat janë grumbulluar në arkivën e sistemit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që funksionon edhe sot.
Ndërsa për periudhat kur individi ka punuar para vitit 1994, shërben libreza e punës dhe nuk është e nevojshme të sjellë vërtetime page. Kur individi humb librezën e punës, ai duhet të paraqitet pranë ISSH-së, madje edhe në rastet që ende vazhdon të punojë me kontribute. Në këtë rast, personi bën një kërkesë deklarative në të cilën jepen të dhënat individuale të personit, paraqitet historiku i të gjitha punëve që ka bërë i siguruar dhe pas kësaj duhet të shpjegojë që vetë personi në fjalë kërkon të pajiset me një dokument të ri, ku të konfirmohen të gjitha vitet e punës që individi ka kryer. Organet e sigurimeve shoqërore janë të detyruara ta marrin kërkesën deklarative dhe të vënë në dijeni qytetarin që duhet të presë jo më shumë se 60 ditë, derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi të gjitha punët që ka bërë personi. Dokumenti, pra libreza e punës mund të vlerësohet si e pasaktë në ato raste kur ka ndërhyrje, falsifikim datash, korrigjime vulash apo dublikatë libreze. Në momentin kur ka dublikatë të librezës së punës, me siguri ka një “ngërç” e menjëherë duhet të verifikojnë regjistrat themeltarë, borderotë, apo listëpagesat që të vërtetojnë faktin që individi ka qenë realisht në marrëdhënie pune.
Formula e llogaritjes
Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit 104/2014, neni 18, i cili ndryshon nenin 32 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet si më poshtë: Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 31 të ligjit 104/2014 ( i cili ndryshon nenin 59 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 ). Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se për ta pasur sa më të qartë këtë përllogaritje, është e nevojshme të dihet se çfarë përfaqëson pensioni social. Ndërkohë, sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e këtij pensioni social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV ( baza e vlerësuar)
Baza e vlerësuar
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.
Koeficientet e indeksimit
Koeficientet e indeksimit janë ata koeficiente që kërkojnë që pagën mbi të cilën janë paguar kontributet, ta aktualizojnë e ta sjellin në nivelin e vlerës së pagës sot, pra ti heqin efektin “gërryes” të inflacionit. Paga e një mësuesi që ka filluar punën me kontribute në 1975-ën, deri në janar në 94-ën, me gjithë indekset e ndryshimet që kanë ndodhur, është e tillë që shkon 4110 lekë. Kjo pagë, indeksohet sot me një koeficient 8.59. Pra ajo pagë mësuesi që ka qenë 7 mijë lekë të vjetra, po ta aktualizojmë sot del 360 mijë lekë të vjetra. Edhe ky indeks sot është i përshkallëzuar, e fillojnë nga 942 deri në momentin që del në pension. Viti 2018 nuk ka indeks, kurse viti 2014, 2015 kanë koeficientet respektive. Ndërkohë pasi bëhet indeksimi, formula sesi llogaritet baza e vlerësuar mesatare është formula e bazës mesatare të vlerësuar të ponderuar, pra merren pagat për periudhën deri në vitin 1994, llogaritet një pagë e kjo ponderohet me vitet e punës. Individi edhe mund të ketë ndryshuar pozicion pune që ka pasur rrogë më të lartë, por edhe kjo indeksohet e del vlerë më e lartë. Në këto kushte gjithë periudha ponderohet, e individit i del një pagë mesatare bazë e vlerësueshme, e cila shumëzohet me 40%, në rastet kur ka punuar 40 vite (1% për çdo vit pune). Pas kësaj del një vlerë së cilës i shtojmë edhe pensionin social dhe marrim vlerën përfundimtare të pensionit të pleqërisë. Nëse baza mesatare e vlerësuar del në vlerë më të madhe, po ashtu do të rezultojë edhe pensioni.
Shembuj konkretë
Për ta konkretizuar këtë problem po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërmarrje ekonomike, që aktualisht është e miratuar në masën 4.192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8,59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36.009 lekë. Ndërsa mbas vitit 1994 merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientet përkatëse japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit. Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit (i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1,48 jep pagën minimale prej 22.000 lekë. Po kështu dhe paga maksimale e cila ka qenë 74.150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97.030. Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficienteve përkatës, do të na japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales. Në rast se marrim në mënyrë hipotetike që një punonjës para vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 15 vitesh dhe paga mesatare e indeksuar rezulton në një shumë prej 25 000 lekë dhe mbas vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 22 vite me një pagë mesatare të indeksuar prej 30 000 lekësh, atëherë baza e vlerësuar do të llogaritet:
Baza e vlerësuar = (15*25.000 lekë + 22 * 30.000 lekë) : 37 (vite gjithsej ) = 28.000 lekë. Pensioni mujor = ( 6.750 *37/35,7 )+ (1/100 *37*28.000) = 6.996 + 10.360 = 17.356 lekë. Sipas nenit 33 të ligjit 104/2014, i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie sipas nenit 43 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes. Në rastin e mësipërm, në qoftë se, ky person ka punuar mbi moshë për një periudhë prej 1 viti e 6 muaj, shtesa mbi pension do të llogaritet, 18 muaj * 0,5 = 9% * 17.356 = 1.562 lekë. Në këto kushte pensioni që do të përfitonte aplikuesi do të ishte i barabartë me shumën: 17.356 + 1.562 = 18.918 lekë.
/Gazeta Shqiptare/