Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar në rrjet rrëfimin tronditës të një biznesmeni nga qyteti i Durrësit, i cili zbërthen skemën mafioze të institucioneve që janë kthyer në gjobëvënës, për të grabitur pa mëshirë duke i çuar drejt falimentimit.
“Klimë horror ndaj bizneseve nga narkoqeveria! Miq, pas 30 qershorit ne kulmin e sezonit turistik, sistem zinxhir i paparë gjobash të shumëllojta nga narkopolicë, narkozyrtarë, narkotatimorë, narkoinspektorë pune e ndërtimi, horra të çdo lloji falimentojnë çdo ditë dhjetra e dhjetra biznese”, shkruan Berisha në rrjet.
Denoncimi i plotë:
“Klimë horror ndaj bizneseve nga narkoqeveria! Miq, pas 30 qershorit ne kulmin e sezonit turistik, sistem zinxhir i paparë gjobash të shumëllojta nga narkopolicë, narkozyrtarë, narkotatimorë, narkoinspektorë pune e ndërtimi, horra të çdo lloji falimentojnë çdo ditë dhjetra e dhjetra biznese.
Lexoni përshkrimin tronditës nga biznesmeni dixhital të kësaj veprimtarie kriminale mafioze të narkoshtetit ndaj biznesit në Durrës.”
Doktor, ju përshëndes!
Më poshtë ju paraqes post-30 Qershorin në Durrës, goditjen ndaj bizneseve dhe qytetarëve çdo ditë në pikun e sezonit, nëse mundeni shpërndajeni; si Durrësi është gjithë Shqipëria
Policia Rrugore në një aksion të paprecedent ndaj drejtuesve të mjeteve, kryesisht ndaj furgonëve, që furnizojnë bizneset me produkte të ndryshme, duke iu vendosur “gjobë paralajmëruese” 3000 lekë të reja për “mungesë të lejes për hyrje në zonën e Plazhit” që në rast përsëritjeje mund të çojë deri në bllokimin e mjetit!
Në momentin kur drejtohesh pranë Bashkisë për marrjen e lejes, fillon pjesa me argëtuese:
1. Zonja punonjëse nuk ndodhet aty, vjen dhe largohet kur dëshiron , nuk ka asnjë mundësi kontakti me të!
2. Roja i zyrës së zonjës në fjalë shprehet se edhe kur vjen, rri pak në zyrë dhe pa lekë nën dorë, nuk e vendos ujin në zjarr !
3. Procedura totale kushton rreth 35000 lekë të reja.
P.S Furnizimet në zonën e Plazhit të Durrësit lejohen nga ora 23:00 deri në 6:00. Më thoni pak sa efektivë mund të jenë bizneset në këtë fashë orare dhe sa biznese pranojnë të furnizohen në të tillë orar?! Pasi nga ora 6:00 – 23:00, policet vdesin të fshihen hijeve e të ngrenë tabelën ndaj çdo mjeti transporti që kalon.
Të famshmit “tatimorë” bashkë me “fushatën ndaj informalitetit” janë bërë gjobvënësit e përditshëm të bizneseve.
Pa bërë ende “sefte”, në derë gjen 2/3 djem të veshur me këmishë e me dosje nën krah, me një listë emërore të përcaktuar të subjekteve ku do të shkojnë të bëjnë “goditjen e rradhës”.
Secili prej tyre pyet si në hetuesi, hyjnë në çdo cep e vrimë të mundshme të çdo subjekti vetëm e vetëm që të justifikojnë ditën e në fund plotësojnë një procesverbal bashkë me “konstatimet e tyre”!
E them në thonjëza sepse nëse zotëruesi i subjektit i trajton në mënyrën e duhur dhe iu mbush xhepin, procesverbali del me të dhëna mjaft pozitive dhe kamikazët largohen me shumë mirësjellje; në rastin e kundërt, fatkeqët që nuk mund të paguajnë pagën shtesë të këtyre zhvatësve me uniformë dhe “badge” shtetëror, iu shënohet emri në listën e zezë!
Në qytetin tonë po ashtu operon edhe “Inspektoriati i Punës”, që vjen si një nënstrukturë e “Hetimit Tatimor”; janë edhe ata për t’u paguar, më pak se të siperpërmendurit, por sërish është një shpenzim që çdo biznes e llogarit në bilancin mujor si një “shpenzim operativ”, pagesa që ata pranojnë është “Skënderbeu X2” e më sipër (10000 leke të reja)!
Mos të lëmë pa përmendur dhe strukturën e zgjuar nga gjumi letargjik, AKU-n, që po bën sikur gjoja funksionon, duke vendosur shirita vend e pa vend për t’i bërë presion bizneseve, por po ashtu një rol kyç në të gjithë procesin luan dhe Policia Bashkiake, që tashmë është stacionuar në tregun e fruta-perimeve e kudo tjetër ku ka shitës ambulantë për t’ju hequr bukën e gojës, për t’i fundosur e për të mos i lënë të punojnë një punë të ndershme e me djersën e ballit ata njerëz të gjorë e pa përkrahje!
Shto këtu dhe “të rilinduren”’ IKMT, që në Durrës funksionon si të jetë “ent publik” , vetëfinancohet nga gjobat ndaj bizneseve, kryesisht në zonën e Plazhit, gjahu i duhur në këtë pik sezoni !
Jam kundër informalitetit dhe totalisht pro një fushate serioze për ta ulur nivelin e tij, por nuk jam pro gjobvënies, grabitjes, terrorit e presionit ndaj bizneseve!
Jam i bindur se bizneset të ashtuquajtura “informale”, nëse do të kishin mundësitë ekonomike të paguanin taksat stratosferike, nuk do të kishin asnjë arsye për të fshehur e mosdeklaruar të ardhurat, por pikërisht se biznesi, ekonomia, fuqia blerëse janë në pikë kritike, çdokush që zotëron një biznes, detyrohet të përdorë të tilla manovra për të kursyer sadopak e për të dalë 0-0 në fund të muajit!
Ndëshkimi duhet të fillojë nga lart – poshtë, jo e anasjellta; fillimisht t’i jepet biznesit vëmendja e duhur e të mbajnë përgjegjësi për këtë derexhe të krijuar ku bizneset nuk e ngrenë më kokën e më pas të flasin për “fushata” e për “modele qeverisjeje”!
Biznesi sot është i zhytur në borxhe e kredi bankare, nuk quhen biznese vetëm klientët e qeverisë dhe kompanitë që qarkullojnë miliona lekë në vit.
Le t’u jepet dora të vegjëlve për të synuar drejt zgjerimit të tyre; rimëkëmbja ekonomike nuk fillon duke pasuruar më tej të pasurit e duke iu marrë shpirtin të varfërve e duke zhdukur shtresën e mesme!