Nga Andi Bushati
Shumica e diplomatëve në Tiranë, sa herë pyeten së fundi për krizën shqiptare, japin një përgjigje standart: “Ne, në këtë rast nuk bëjmë arbitrin, sepse i takon politikës shqiptare, ta zgjidhë lëmshin që ka krijuar vetë”.
Në pamje të parë korrekt, ky qëndrim që duket sikur respekton sovraninetin e një vendi të pavarur, që gëzon të gjithë ata që kanë kërkuar lehtësimin pas tre dekadash të tutelës së huaj, është në të vërtetë po aq hipokrit sa edhe i pamundur.
Dhe kjo për dy arsye.
Së pari sepse nuk ka ndodhur kështu dhe së dyti sepse nuk është e mundur që kjo të ngjasë.
Le ti marrim me radhë.
As BE dhe sidomos SHBA, nuk kanë qënë vëzhgues neutralë që pas djegjes së mandateve të opozitës në 16 shkurt. Ata kanë mbështetur pa rezerva palën qeverisëse duke e goditur sistematikisht opozitën. Ata kanë treguar me gisht liderët e saj dhe tashmë janë të njohur me emra diplomatët në Tiranë, që përpunonin në zyrat e tyre sharlatanët e opozitës së re, për t’i servirur si kundërshtarët realë të qeverisë, në një vend ku gjithçka shkon normalisht.
Ky angazhim u bë edhe më i ndjeshëm me ardhjen e votimeve lokale. Ai nuk u mjaftua me thirrjet se PD dhe LSI duhet të hynin në lojë, me deklaratat e hapura se udhëheqësit po tradhëtonin elektoratin e tyre (në fakt 30 qershori tregoi se zgjedësit i ndoqën si trupë unike nga pas), por marrja krah u bë më e qartë kur kriza u shndërrua nga politike në institucionale.
Diplomatët që merren me Shqipërinë, nuk u përfillën as dekretin presidencial për anullimin e votimeve, as faktin se po zhvillohej “garë” krejtësisht moniste, madje mbyllën sytë edhe ndaj shkkeljeve ligjore për rrëzimin e tij me Kolegj zgjedhor, gjë që edhe raporti i ODHIR e nënvizoi si absurde.
Pra, pasqyra është e qartë, faktori ndërkombëtar në Tiranë, nuk ka qenë një arbitër indiferent, por një gjykatës i rreshtuar pro njërës palë. Madje aq evidente ka qenë kjo sa edhe vetë Edi Rama u detyrua ti falenderojë në asamblenë e fundit të PS-së se shpëtuan Shqipërinë nga rëshqitja në kaos.
Pra, pasi pamë se deri tani ndërkombëtarët nuk kanë hezituar ti zhgërryejnë duart në këtë batak, le të shohim edhe pse ata e kanë të pamundur ta vazhdojnë këtë strategji.
Kjo lidhet drjtëpërdrejt me ecurinë e reformës në drejtësi të cilës ata i kanë vënë gjosksin. Ky projekt ambicioz dhe shumë i propoganduar, ka pasur si objektiv dy aspirata kryesore.
Së pari, atë teknik për rregullimin e sistemit, që do të sillte si pasojë dënimin e politikanëve të korruptuar, ripërtëritjen e një klase politike të delegjitimuar dhe krijimin e një mjedisi më të ndershëm dhe më miqësor për investitort e huaj, që nuk kanë asnjë garanci në këtë vend.
Sw dyti atw psikologjik. Kjo aspiratë ka qenë e lidhur me rikthimin e shpresës së popullatës për të jetuar në një vend më të ndershëm, ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit; për të qenë pjesë e një shoqërie më të drejtë, ku fatet personale nuk varen as nga dhuna e pushtetit politik dhe as nga arroganca e atij të parasë.
Realizimi i këtyre dy objektivave ishte basti i madh i perëndimit në Shqipëri. Në emër të tij shumë qytetarë e kanë mbështetur këtë projekt që shpresonin t’u dhuronte një atdhe më të mirë.
Por, eksperienca e këtyre tre viteve po na vërteton, përditë e më shumë, se suksesi i kësaj nisme nuk mund të bashkëjetojë me një pushtet autoritar dhe të pabalancuar. Raste si ato kur ekspertët ndërkombëtarë të Euraliusit apo OBDAT-it janë shndërruar në paterica të pushtetit, duke dhënë rekomandime absurde për Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme apo për gjyqtrë të lartë provizorë, janë dëshmia më e qartë për këtë.
Një drejtësi e ndershme dhe e pananshme është praktikisht e pamundur pa ekzistencën e një sistemi pluralist, pa institucione të pavaruara dhe të balancuara, pa një shtet ligjor që kufizon fantazitë, makthet apo epshet e liderëve të plotfuqishëm.
Pra, thënë shkurt, që Reforma në Drejtësi të ketë ndonjë shanc për ti’u përafruar shpresave që përndezi, ajo ka nevojë për rikthimin e vendit në shtartin demokratik. Dhe këtu perendimorët sado të përpiqen të bëjnë arbitrin indiferent nuk e kanë luksin të fshihen pas shprehjes: “ne nuk ndërhyjmë në krizën tuaj”. Ata janë të dënuar të shpëtojnë produktin që mban markën e tyre.
Ç’do lloj tjetër sjellje, çdo alibi prej struci, është një bashkëjetesë, në mirkuptim, me regjimin në fuqi. Ajo, jo vetëm që është vazhdim i përkrahjes së sotme për Ramën, por edhe përçudnimi përfundimtar i projektit që nisën tre vite më parë.
Nëse, ashtu sikurse po duket, institucionet e reja të drejtësisë, do të formëzohen në mjedisin e një pushteti personal, ato do ti shërbejnë me devotshmëri deri në fund atij dhe çështe më e keqja, do ti konformohen me të njëjtin zell edhe zëvendësuesit. Dhe atëherë, vite më vonë, pasardhësit e këtyre diplomatëve që merren sot me Shqipërinë (e që ndoshta do të vazhdojnë karrierën me ngritje në të tjera vende të humbura të rruzullit) do të thonë me të njëjtën këmbëngulje: “bëmë gabim që nuk ndërhymë në kohë”.
/Lapsi.al