Aktori Genc Fuga ka reaguar në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Në një letër publike drejtuar të gjithëve, Fuga flet si qytetar dhe aktor, duke bërë një ndarje mes këtyre statusve që ai bart.
Aktori i njohur i Teatrit kërkon që të ketë një godinë modern dhe të re, për të bërë prova dhe për t’u duartrokitur nga publiku. Po ashtu dhe si qytetar ai kërkon që të shkojë në një Teatër modern.
Dhe pse ka bërë një analizë të gjatë Fuga në asnjë rresht të tij nuk shprehet qartësisht nëse është për ruajtjen apo shembjen e kësaj godine, por shprehet se Teatrit nuk duhet t’i merret asnjë centimetër tokë.
LETRA E PLOTË
Po mendoja gjithë mëngjesit për këtë gjë dhe vendosa që, edhe një herë të shpreh mendimin tim mbi një situatë, që në fakt ka filluar në Shkurt të 2018.
Te biem dakort: une arrij t’i ndaj ku fillon e ku mbaron Institucioni i Aktorit dhe cilat janë fushat e veprimit të Qytetarit. Në fakt nuk mund ti ndash me shpatë, por edhe nuk jane “Nyje Gordiane” që kanë si përgjigje shpatën e Aleksandrit të Madh.
Si aktor:
-Dua vërtetë që Teatri im Kombëtar të ishte më i mirë, më i madh dhe më i bukur se gjithë Teatrot Kombëtare Europian!
-Dua të bëj prova në vende të përshtashtme me kushte optimale, pse jo edhe mondane!
-Dua të paguhem shumë herë më mirë, mbështetur në kontrata të ligjshme dhe në përfitim të të dyja palëve kontraktuese, që kur të vijë dita e pensionit të mos jem i detyruar “te fus mik tek Presidenti apo Kryeministri, për një pension special”.
-Do të doja të jepja mendimin tim edhe për skenën e xhepat e saj, kërkesave profesionale dhe orientimin e hapësirave, vendosjen e platesë e llozhave, konfortin e spektatorit, akustikën e sallës, ndriçimin e foninë, mundësitë e lëvizjes së skenografive si në lartësi ashtu edhe ne krahët e bokaskenës, mundësite e podeve pneumatike, etj, etj…
Pasi Teatri është Art KOLEKTIV. Asnjë nga sektorët nuk mund të ecë përpara në kurriz të tjetrit.
Si Qytetar:
-Dua që të kem një Teatër Kombëtar LUKSOZ!!! Një Teater që të të imponohet jo vetëm në mënyrën e sjelljes e të veshjes, por edhe në mënyrën e të menduarit.
-Dua që të ruhet e nderohet gjithë historia e Artit Skenik Shqiptar! Mos kujtoni se do të kemi në “Muze” histori qindravjeçare! JO! Jemi në kohën e duhur për të dhënë atributet e merituara Korifejve te Skenës Shqiptare!
Si Qytetar e Aktor:
-Dua që puna ime të mbështetet në një Strategji Kombëtare “të gjithëpranuar” e “të papreksheme” nga asnjë “mandat ministror”.
-Dua që Arti Skenik të ketë sa më pak varësi nga rrymat e paqëndrueshme konjukturore politike.
-Dua që Arti Skenik të hyj në profesionet e rregulluara e pse jo te mirëpaguara.
Jemi në një situatë tejet absurde! Jemi në mosbesim TOTAL.
Për të bërë edhe një herë të qartë pozicionin tim personal në këtë çështje, sikurse kam bërë edhe më parë, me qëllim te mos keqperdoren në të ardhmen po rendis si më poshtë:
1-Mirëmbajtja e Godinës, Prishja e saj apo Ngritja e një Godine tjetër, NUK janë të mbështetura në Pakte Strategjike. Nuk ka baze ligjore për “riparimin e Godinës aktuale, prandaj ajo u degradua. Nuk ka asnje bazë ligjore për “riparimin” e Godines se re, që do të kërkojë edhe më shumë para në këtë drejtim, pra edhe godina e re do të ketë fatin e të vjetrës.
2-Godina aktuale e painvestuar është në kushte skandaloze skenike. Petrit Vasilin (në cilesinë e mjekut dhe bashkëpunetorit shkencor) e kam ndjekur në një kronike televizive duke publikuar një libër për efektet kancerogjene të eternitit. Kete promovim të punës se tij shkencore, për “ilustrim”, ai po e bënte pikerisht në hollin e kësaj Godine…
3-Godina aktuale nuk zgjidhi asnjeherë Nderimin për gjithë brezat që kanë sakrifikuar dhe kanë ngritur Artin Skenik Shqiptar.
4-Kur flasim për territor të Teatrit Kombetar, unë kuptoj a- Ndërtesën e Teatrit Kombëtar, b- hapsirën e ndërmjetme, që sëfundi i ka kaluar Drejtorisë së Park Rekreacionit(?!?!?!), c- Godinën e Teatrit Eksperimental (duke përfshirë edhe ambjentet që mbahen me fanatizem nga Bashkia e lokalet qe janë në vazhdim të të njejtave themele) dhe “Marangozerinë”. Në rast se NUK preket ky territor dhe nuk kemi as prekjen e fasadave të TK e TKEKS me pamje nga Ministria e Brendeshme, ateherë, me duket mendjemadhësi të behem edhe “urbanist” për të kërkuar edhe se cfarë do ta rrethojë këtë Kompleks Teatror!
5-Në rast se ekziston një mundësi që të ruhen fasadat, atëherë vertet do të ishte nje kombinim shumë i mirë edhe i kërkesave të Qytetareve per Memorjen Kolektive te Artit Skenik! Duke qene se para 10 ditesh u hap Konkursi Ndërkombëtar për Godinën e Teatrit Kombëtar nga Bashkia Tiranë, nuk ndihmon servirja e projektit Papion nëpër kronika a dalje publike… Ndoshta paragjykojmë Konkursin apo flasim mbi një projekt të paorigjinuar ende.
6-Mbetem i mendimit që çdo marrveshje të jetë objekt i tavolinave të rregullta konsultimi me aktore e regjisore. Patjetër që do të kemi moskuptim e kundershti kur nuk flasim!
Këto janë në mënyrë të përmbledhur qasjet e mia kundrejt këtyre kohëve që po përjetojmë.
Publikisht,
Me Respekt,
Genci