Nga Janusz Bugajski
Ndikimi në rritje i Turqisë në Ballkan ka shtuar frikën se qeveria e Erdoganit po rrezikon destabilizimin e rajonit. E parë fillimisht si një vlerë e shtuar për BE dhe SHBA, veçanërisht nga popullsitë myslimane, përfshirja politike dhe kulturore e Turqisë tani shihet me dyshim, veçanërisht kur marrëdhëniet turko-amerikane po përkeqësohen.
Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, Ankaraja ka zgjeruar ndikimet e saj në të gjithë Ballkanin nëpërmjet tregtisë, investimeve, shkëmbimeve kulturore, ndihmës humanitare dhe kontakteve fetare. Shumica e vendeve i mirëpritën lidhjet me Turqinë dhe e konsideruan atë si një ekonomi në zhvillim dhe një anëtar të besuar të NATO-s. Por një Turqi e përjashtuar nga BE dhe me sistem demokratik në regres, tani perceptohet si tepër e bezdisshme në politikën e Ballkanit.
Presidenti Erdogan vazhdon të ushtrojë presion ndaj qeverive të rajonit duke kërkuar ekstradimin në Turqi të admiruesve të Fetullah Gylenit, një klerik i përjashtuar turk që jeton në mërgim në SHBA që nga viti 1999.
Erdogan pretendon se gylenistët organizuan grushtin e shtetit në Turqi në korrik 2016 dhe e akuzon atë lëvizje si rrezikun kryesor për shtetin. Në pamundësi për të bindur Uashingtonin të ekstradojë vetë Gylenin, Ankaraja është përqendruar në mbështetësit gylenistë në Evropë, veçanërisht në Ballkan.
Në Kosovë në mars të vitit 2018, agjentët turq organizuan dëbimin e gjashtë qytetarëve turq të dyshuar si të lidhur me Gulenin. Kryeministri i Kosovës më pas shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe kreun e Agjencisë Inteligjente të Kosovës, por dëmi tashmë ishte bërë. Ankaraja tregoi se mund të vepronte nën hundët e SHBA dhe BE pa u ndëshkuar.
Erdogani gjithashtu nënkuptonte se Uashingtoni ishte prapa ngurrimit të Prishtinës për të ekstraduar “terroristët” dhe se Kosova ishte thjesht peng i Amerikës. Por përpjekjet për të kthyer shqiptarët kundër SHBA-së mund të kthehen kundër Turqisë. Ankesat për sindromën e “vëllait të madh” perandorak turk ndaj myslimanëve po përshkallëzohen në mënyrë të ngjashme me arrogancën e Rusisë ndaj popullsive sllavo-kristian-ortodokse.
Presidenti i Turqisë e portretizon veten si një mbrojtës të myslimanëve në zotërimet e mëparshme osmane. Ai e përdor këtë imazh në politikën e brendshme, pasi miliona qytetarë turq kanë prejardhje boshnjake ose shqiptare. Propaganda proturke në rajon përfshin shfaqje arti, ekspozita, ceremoni fetare, marshime, gara sportive dhe ngjarje të tjera publike të organizuara nga ambasadat turke së bashku me OJQ-të dhe grupet lobuese të financuara nga Ankaraja. Megjithatë, shtrirja e ndikimit politik të Turqisë në rajon ndryshon.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, Ankaraja ka mbështetur partitë pro-turke dhe organizatat e shoqërisë civile midis turqve vendorë dhe myslimanëve të tjerë dhe ka përzgjedhur njerëz që janë besnikë ndaj Erdoganit. Këto organe kanë ndikim në nivelin lokal ku ka popullsi të konsiderueshme turke dhe kur hyjnë në koalicione qeveritare.
Kosova dhe Shqipëria janë kryesisht të imunizuara ndaj pan-turqizimit apo pan-islamizimit dhe Turqia është e rëndësishme po vetëm nëse politikat e saj janë në harmoni me NATO-n dhe BE-në, ku të dy vendet kërkojnë të hyjnë. Turqia nuk është një model politik për këto shoqëri laike myslimane. Megjithatë, përjashtimi i papërcaktuar i ndonjë vendi nga BE do t’i ofrojë Ankarasë mundësinë për të thelluar ndikimin e saj.
Ka dy popullsi që mund të jenë më të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të Ankarasë – myslimanët boshnjakë dhe myslimanët e Sanxhakut. Në vizitën e tij në korrik në Bosnjë, Erdogani u kërkoi autoriteteve në Sarajevë të ekstradonin të gjithë ndjekësit e Gylenit dhe të mbyllnin shkollat e financuara nga Gyleni. Me rritjen e presionit turk ndaj Bosnjës, mosmarrëveshjet brenda myslimanëve mund të përshkallëzohen. Kjo do të ndihmonte axhendën separatiste të krerëve të entiteteve serbe që pretendojnë se Bosnja është një shtet i paqëndrueshëm dhe i dështuar.
Rajoni i Sanxhakut përgjatë kufirit mes Serbisë dhe Malit të Zi është vendi ku Turqia pretendon të ketë ndikimin më të rëndësishëm. Rajoni u krijua nga osmanët për të ndarë Serbinë e Malin e Zi dhe për të lidhur Perandorinë Osmane me Bosnjën. Besnikëria e myslimanëve të Sanxhakut ndaj Turqisë e ka burimin nga lidhje të ngushta historike dhe kulturore. Rreth pesë milionë boshnjakë llogariten se jetojnë në Turqi, shumë prej të cilëve kanë origjinë nga Sanxhaku.
Që nga luftërat e viteve 1990, islamizmi i moderuar i Turqisë është parë si një kundërpeshë e vlefshme ndaj depërtimit të radikalëve Selafistë nga Arabia Saudite. Megjithatë, fokusimi i Ankarasë në identitetin mysliman të kombinuar me skepticizmin në rritje të Turqisë ndaj Perëndimit, mund të kontribuojë në intensifikimin e mosmarrëveshjeve ndërballkanike.
Në të njëjtën kohë, politikat e Turqisë mund të përshpejtojnë planin e Moskës për të përçarë rajonin. Blerja e sapo përfunduar nga Ankaraja e sistemit rus mbrojtës S-400 ndaj raketave është konsideruar gjerësisht si tradhti ndaj NATO-s që ndihmon ofensivën e Putinit kundër Evropës dhe Amerikës. Uashingtoni po shqyrton tani vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë dhe kjo gjithashtu do të ketë jehonë negative në Ballkan. /Marrë nga Dita/