Të premten në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u mbajt seanca e parë si pjesë e ankimit të Komisionerit Publik, Dariel Sina kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj.
Ankimi po dëgjohet nga trupa e Kolegjit e përbërë nga Rezarta Schuetz si kryesuese, Sokol Çomo relator, Luan Daci, Ardian Hajdari dhe Ina Rama anëtarë. Pjesë përbërëse e kësaj trupe më parë ishte shortuar dhe kryetarja e KPA-së Natasha Mulaj, por kjo e fundit dha dorëheqjen nga ankimi pasi BIRN zbuloi se subjekti gjykoi një çështje në favor të familjarëve të saj në Gjykatën Administrative të Apelit, duke ngritur shqetësime për konflikt interesi.
Seanca e të premtes u hap me një kërkesë të Komisionerit Publik për rivendosjen e afateve për një shtesë ndaj ankimit fillestar të dorëzuar në KPA, pasi Sina pretendoi se vetëm një muaj më parë ishte vënë në dijeni të fakteve të reja të cilat nuk ishin përfshirë në dosje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
“Komisioneri Publik, ashtu sikurse e ka parashtruar dhe në kërkesën për rivendosje në afat, më datë 21.06.2019, u njoh me dy analiza financiare të realizuara nga Komisioni gjatë hetimit administrativ, të cilat paraqesin rezultate të ndryshme mbi vlerësimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit,” tha Sina.
“Komisioneri Publik, në kohën e përgatitjes së ankimit të datës 26.10.2018, nuk ka qenë në dijeni të ekzistencës së këtyre analizave financiare dhe qëndrimit të Komisionit ndaj rezultateve të tyre, pasi këto analiza nuk kanë qenë pjesë e akteve të administruara në dosjen e përcjellë nga Komisioni,” shtoi ai.
Sipas Komisionerit Publik aktet e reja janë dorëzuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe dëshmojnë për faktin se nga KPK është përdorur një ‘analizë në funksion të vlerësimit të kriterit të pasurisë, e cila nuk është pjesë e akteve në dosjen e përcjellë pranë Komisionerit Publik.
Pjesë të ankimit shtesë Komisioneri Publik ka përfshitë dhe dy denoncime që kanë ardhur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pas dhënies së vendimit, të cilat janë referuar në Kolegj gjithashtu nga ONM.
Gjyqtari Artur Malaj e kundërshtoi kërkesën e Sinës për rivendosjen në afat të shtesës së ankimit duke pretenduar se dy dokumentet e reja nuk përbënin një analiza financiare të mirëfilltë, ndërkohë ato ishin tabela me informacion të përpiluar nga dokumente të cilat Komisioneri Publik kishte pasur akses gjatë ankimit fillestar.
Me vendim të ndërmjetëm, Kolegji i Apelimit vendosi ta pranonte kërkesën e Komisionerit Publik për rivendosjen në afat të shtesës së ankimit të paraqitur. I pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësi, KPK nuk komentoi mbi akuzën e bërë nga Komisioneri Publik se aktet e analizës financiare nuk ishin përcjellë nga Komisioni.
Rivendosja e afateve
Gjyqtari Artur Malaj u konfirmua në detyrë më 3 gusht 2018 nga trupa gjykuese e drejtuar nga Genta Tafa Bungo, realtore Suela Zhegu dhe Pamela Qirko anëtare. Malaj, 50 vjeç, ka një karrierë të gjatë si gjyqtar dhe më pas kryetar i Gjykatës së Vlorës. Në vitin 2013 ai është emëruar nga ish-Presidenti Bujar Nishani gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Malaj u përfshi në listën prioritare të rivlerësimit pasi kandidoi për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Pas vendimit të KPK-së për konfirmimin e tij në detyrë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri publik kundërshtimin, duke i kërkuar Komisionerit Publik që ta apelonte. Në rekomandimin e bërë publik, ONM thotë se konfirmimi i gjyqtarit Malaj ishte “i pajustifikueshëm”.
“Në të kundërt, rezultatet e hetimit rivlerësues të KPK-së çojnë vetëm në një përfundim: shkarkimin nga detyra,” argumentojnë vëzhguesit ndërkombëtarë në rekomandimin e dorëzuar në institucionin e Komisionerit Publik.
Në konsideratë dhe të rekomandimit të marrë dhe nga ONM, me datë 26 tetor 2018, Komisioneri Publik ka ushtruar ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Artur Malaj. Ankimi është bazuar tek aktet dhe provat e depozituara të përcjella nga KPK tek Institucioni i Komisionerit Publik në format elektronik dhe është përqendruar vetëm tek kriteri i pasurisë.
Megjithatë, 8 muaj pas dorëzimit të ankimit, në qershor 2019 Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka përcjellë tek Institucioni Komisionerëve Publike dy gjetje të reja të Operacionit Ndërkombëtar të Monitoritmit, që lidhen më ankimin kundër gjyqtarit Artur Malaj.
Gjetja e parë lidhet me dy denoncime/informacione ndaj subjektit të dorëzuara në KPK pas dhënies së vendimit ndaj gjyqtarit Malaj. Edhe pse këto denoncime/informacione nuk lidhen me kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik çmon se duhet të trajtohen nga Kolegji në funksion të garantimit të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe rikthimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë
Ndërkohë gjetja e dytë lidhet me një fakt për të cilin Komisioneri Publik nuk ka qenë në dijeni. Kjo gjetje lidhet me dy dokumente. Dokumenti i parë paraqet një analizë financiare që është vënë në dispozicion të ONM-së nga relatorja e çështjes në KPK, Suela Zhegu, por mbetet e paqartë nëqoftëse kjo analizë është përfundimtare. Ndërkohë, dokumenti i dytë është nga arkiva dixhitale e ONM-së dhe paraqet një analizë tjetër financiare.
“Këto dy dokumente së bashku me shënimin e numërtuar 10 ”Nga analiza financiare e bërë”, në vendimin nr.62/2018, dëshmojnë faktin që Komisioni ka realizuar dhe përdorur një analizë financiare në funksion të vlerësimit të kriterit të pasurisë, e cila nuk është pjesë e akteve në dosjen e përcjellë pranë Komisionerit Publik,” shprehet Komisioneri Publikë në kërkesën për rivendosjen në afat të ankimit shtesë.
Sina argumenton se ankimit fillestar të paraqitur në tetor, i cili ishte bazuar në aktet dhe provat e administruara nga KPK, i mungojnë dokumentet e përcjella nga ONM që paraqesin “fakte dhe rrethana të rëndësishme për vlerësimin e kriterit të pasurisë të subjektit të rivlerësimit dhe përbëjnë fakte dhe prova të reja.”
Kolegji e ka pranuar kërkesën e Komisionerit Publik për rivendosjen në afat të shtesës së ankimit, dhe seanca dëgjimore ka vazhduara me parashtrimet e Komisionerit Publik, Dariel Sina.
Parashtrimet e Komisionerit Publik
Pas vendimit të Kolegjit për pranimin e rivendosjes në afat të shtesës në ankim, Komisioneri Dariel Sina ka paraqitur përpara Kolegjit parashtrimet e ankimit të tij kundër konfirmimit në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Artur Malaj.
Ankimi i Komisionerit Publik kundër Malajt përqendrohet në burimet e ligjshme, deklarimet e pamjaftueshme, si dhe dyshimet për pasuri të fshehur që lidhen me dy pasuri të paluajtshme në Vlorë dhe Tiranë, si dhe vlerësimin si person të lidhur të motrës, kunatit dhe nipit të subjektit.
Sipas Komisionerit Dariel Sina subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm si dhe ka mungesë burimi të ligjshëm për krijimin e të ardhurave të ligjshme, që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti dhe garazhi në rrugën Irfan Tomini në Tiranë në vitin 2005.
Komisioneri Publik ka kërkuar gjithashtu cilësimin si persona të lidhur të motrës, kunatit dhe nipit të subjektit, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se me anë të burimeve financiare jo të ligjshme, gjyqtari Malaj është kontribuesi kryesor në krijimin e pasurive të tyre. Ky dyshim bazohet në raportimet e organeve ligjzbatuese.
Ndryshe nga KPK, komisioneri i ka kërkuar KPA-së që ta trajtojë kunatin, nipin dhe motrën e subjektit si persona të tjerë të lidhur për shkak të lidhjes pasurore dhe afektive të subjektit të rivlerësimit me to.
Sipas Komisionerit Publik kunati dhe e motra e subjektit kanë pasuri të konfirmuara në Vlorë dhe Tiranë, si dhe kanë shpenzuar dhe investuar në pasuri të paluajtshme gjatë periudhës 2005-2016, me një vlerë totale prej gati 40 milionë lekë. Gjithashtu nga hetimi ka rezultuar se nipi i subjektit ka në bashkëpronësi pasuri të llojit truall në Vlorë dhe vetëm në vitin 2013 ka investuar 10.8 milionë lekë.
Gjithashtu, nga aktet në dosje ka rezultuar se nipi i subjektit ka qenë i punësuar pranë zyrës së avokatisë së bashkëshortes së gjyqtarit, si dhe i ka shitur subjektit një automjet. E motra e gjyqtarit dhe kunati ndërkohë kanë shërbyer si garantor të kredisë në Raiffeissen Bank për blerjen e apartamentit në rrugën Irfan Tomini në Tiranë.
“Nga analiza e provave të administruara në dosje të Komisionit, mbi mundësinë financiare të personave të tjerë të lidhur, për të justifikuar me të ardhura të ligjshme pasuritë e vëna, konstatojmë se subjekti nuk rezultoi të ketë provuar me dokumentacion të ardhurat e realizuara në justifikim të investimeve të kryera,” u shpreh Komisioneri Publik.
“Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë dhe të justifikojë bindshëm krijimin më të ardhura të ligjshme të pasurive të personave të tjerë të lidhur,” shtoi ai.
Pjesa e tretë e ankimit të Komisionerit Publik lidhet me dyshimet se subjekti i rivlerësimit ka pasuri të fshehura dhe më konkretisht një vilë tre-katëshë në qytetin e Vlorës. Në vlerësim të provave të administruara gjatë hetimit administrativ Komisionerit Publik, shprehet se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në përdorim të tij.
Në përfundim të parashtrimit Sina ka kërkuar nga Kolegji ndryshim të vendimit të KPK-së dhe shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj nga detyra.
Ankimi shtesë
Në dritë fakteve të reja të depozituara në Kolegj nga ONM, Komisioneri Publik ka bërë analizën financiare të subjektit të rivlerësimit për periudhën 2003-2016, e cila është mbështetur në deklarimet periodike vjetore dorëzuar nga subjektii rivlerësimit në ILDKPKI si dhe deklarimet e dhëna nga subjekti gjatë hetimit administrativ mbi kursimet në cash dhe shpenzimet e realizuara; dokumentacionin zyrtar mbi të ardhurat e subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur/bashkëshortes së tij të vënë në dispozicion nga institucionet përgjegjëse; të dhënat mbi shpenzimet e konsumit për njësinë ekonomike familjare, sipas INSTAT për periudhën 2003 – 2016; të dhënat e sistemit TIMS mbi hyrje- daljet e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes; si dhe të dhënat nga bankat e nivelit të dytë, për subjektin e rivlerësimit dhe bashkëshorten e tij.
Sipas Komisionerit Publik nga analizimi i këtyre të dhënave ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshortja e tij nuk mbulojnë me burime të ligjshme, shpenzimet dhe kursimet e deklaruara edhe për vitet 2007, 2008, 2009, 2011, në një diferencë negative në shumën totale prej 1.29 milionë lekë.
Nga verifikimi i deklaratave periodike vjetore, rezulton gjithashtu se subjekti dhe personi i lidhur nuk kanë deklaruar saktë kursimet në cash si dhe shpjegimet e subjektit të rivlerësimit për këto kursime dhënë gjatë hetimit administrativ, nuk përputhen me deklarimet periodike vjetore të vëna në dispozicion nga ILDKPKI.
Trupa gjykuese i kërkoi Komisionerit Publik t’ia vinte në dispozicion Kolegjit dhe subjektit të rivlerësimit këtë analizë financiare deri më datën 24 korrik, 2019.
Pas përfundimit të parashtrimeve, trupi gjykues dhe përfaqësuesja e ONM-së iu drejtuar me disa pyetje Komisionerit Publik për të qartësuar kufijtë e ankimit në lidhje me hetimin pjesërisht ose në tërësi të personave të lidhur dhe denoncimet e ardhura në Kolegj mbi profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.
Pasi mori gjysmë ore pushin, Sina i kërkoi Kolegjit që denoncimet të shqyrtoheshin sipas nenit 49/10 dhe 61/5 të ligjit të rivlerësimit kalimtar, i cili parashikon shkarkimin nga detyra të subjektit për cënim të besimit të publikut tek drejtësia. Komisioneri Publik kërkoi gjithashtu hetim në tërësi të pasurive të fshehura të subjektit dhe pasurisë së personave të lidhur.
Në përfundim Kolegji vendosi shtyrjen e seancës me datë 6 shtator ora 10:00./BIRN