Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), pas analizës dhe hetimit paraprak që ka kryer, nxjerr arsyet e shpërthimit të djeshëm në argjendarinë në zonën e “Bllokut”, në kryeqytet.
“Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për momentin dhe nga këqyrja e dy bombolave paraprakisht rezulton se ngjarja ka ardhur si rezultat i një pakujdesie ose gabimi njerëzor”, raportoi ISHTI.
Siç raportoi policia, katër persona mbetën të plagosur nga shpërthimi.
Raporti i ISHTI
Në datën 15.07.2019 rreth orës 1330 ndodhi një ngjarje (shpërthim) në një biznes argjendarie me adresë : kryqëzimi i rrugëve “Ismail Qemali” me atë “Vaso Pasha” kati përdhe, Ish Blloku Tiranë. Nga eksplozioni ka patur dëme materiale të biznesit si dhe dëmtime të lehta të disa personave.
Përshkrimi i vendit të ngjarjes:
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se biznesi i argjendarisë zhvillonte aktivitet edhe në katin përdhe (bodrum) të një godine disa katëshe.
Nga bodrumi nga punonjësit e zjarrfikseve u nxorrën dy bombola 1(një) bombol GLN-je me kapacitet 15 kg metalike dhe 1(një) bombol oksigjeni me kapacitet afërsisht 20 litra.
Nga inspektimi në vendngjarje rezultoi se:
Bombola e GLN-es me kapacitet 15 kg kishte të montuar në ventilin e saj një reduktor presioni me dy manometra, një manometër bënte matjen e presionit në dalje të bombolës GLN-es ndërsa tjetri maste presionin pas reduktorit, pra presionin e punës. Rregullimi i presionit bëhej nëpermjet një ventili. Nga rregullatori dilte një nipel e cila nëpërmjet një tubi gome duhet të ketë qenë lidhur me pajisjen e saldimit (apo të shkrirjes). Bombola e GLN-es ishte pa dëmtime të jashtme, pra pa deformime dhe pa çarje. Manometrat ishin të dëmtuar nga djegia si dhe xhamat mbrojtës ishin të thyer. Boja e bombolës GLN-es ishte dëmtuar nga djegia.
Bombola e oksigjenit me kapacitet afersisht 20 litra kishte të montuar në ventilin e saj një reduktor presioni me dy manometra, një manometer bënte matjen e presionit në dalje të bombolës së oksigjenit ndërsa tjetri maste presionin pas reduktorit, pra presionin e punës. Rregullimi i presionit bëhej nëpërmjet një ventili. Nga rregullatori dilte një nipel e cila nëpërmjet një tubi gome duhet të ketë qenë lidhur me pajisjen e saldimit (kanello saldimi). Bombola e oksigjenit ishte pa dëmtime të jashtme, pra pa deformime dhe pa çarje. Manometrat ishin të dëmtuar nga djegia si dhe xhamat mbrojtës ishin të thyer. Boja e bombolës se oksigjenit ishte dëmtuar nga djegia.
Paisjet në biznesin e mësipërm ishin të dëmtuara si pasojë e eksplozionit.
Nisur nga ambienti, vendi i instalimit të bombolës, në katin nën tokë (bodrum), gjendja teknike e bombolës … etj, rezulton se rrjedhja e mundëshme e GLN-es dhe si pasojë eksplozioni, mund të ketë ardhur nga:
Rrjedhja e GLN-es nga instalimi i bombolës 15 Kg me pajisjen e saldimit (apo të shkrirjes) nëpërmjet tubit të gomës dhe krijimit të përzierjes eksploduese në kufijtë kritik.
Sipas rregullit teknik përqindja në vëllim e fazës së gaztë të GLN-es me ajrin në të cilën krijohet përzierja eksploduese është 2 – 10 % si dhe duke patur parasysh që pesha specifike e GLN-es është më e rëndë se e ajrit, çka do të thotë se GLN-ja qëndron në kuotën më të ulët të ambientit në të cilin është instaluar bombola, krijimi i këtij ambienti eksplodues dhe nxitja nga një faktor i jashtëm si shkëndijë elektrike, çelësi elektrik apo kyçje – ç’kyçje e paisjeve elektrike, ose ndezja e një shkrepseje ( flake të lirë) nga përdoruesi, sjell eksplozionin.
Keqmontimi i bombolës së GLN-es me pajisjen e saldimit (apo të shkrirjes), shtrëngimi i rekorderive dhe i fashetave metalike për bashkimin e tubit të gomës me reduktorin e presionit.
Gjendja jo e mirë teknike e tubit të gomës, si plasaritje, si rrjedhojë e afatit të gjatë të përdorimit, të cilat nuk dallohen sepse tubi i gomës është djegur.
Gjendja teknike e pajisjes së saldimit (apo të shkrirjes).
Nga veprimi i gabuar i përdoruesit që mund të jetë :
– lënia hapur e linjës së gazit, ventilit të pajisjes së saldimit (apo të shkrirjes)
– përdorimi i mjeteve ndezëse shkrepëse apo cigare.
Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për momentin dhe nga kqyrja e dy bombolave papaprakisht rezulton se ngjarja ka ardhur si rezultat i një pakujdesie ose gabimi njerëzor.