Nga Boldnews.al
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, zbuloi, në mënyrë indirekte, rolin dhe përgjegjësinë e shefit të kabinetit qeveritar shqiptar, Edi Rama, në të ashtëquajtën “shkëmbim territoresh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zaev, në një bisedë të zhvilluar me dy komikë ukrainas, të cilët u shtirën njëri si ish-Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko dhe tjetri si shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, fliste për mundësinë e destabilizimit të Ballkanit nga plani strategjik i ndarjes së territoreve mes presidentit kosovar, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç.
Kryeministri maqedonas u thotë “bashkëbiseduesve” të tij se plani Thaçi-Vuçiç kundërshtohet fort nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, si edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. Madje, Zaev thotë që shqetësimin e tij e ka përcjellë në strukturat më të larta të Uashingtonit, përfshirë edhe në një bisedë që ka zhvilluar me zv.Presidentin e SHBA, Mike Pence.
Në bisedën e regjistruar në Shtator 2018 dhe e publikuar së fundmi në platformën “Youtube”, Zaev nuk e përmend drejtëpërdrejtë Edi Ramën. Por, një seri të dhënash dhe qëndrimesh të mbajtura nga kryeministri shqiptar gjatë muajve të fundit konfirmojnë qëndrimin e tij pro-idesë së ndarjes së territoreve Kosovë-Serbi.
Edi Rama nuk ka dhënë asnjë herë një qëndrim të qartë për çështjen e ndarjes së territoreve. Megjithatë, qëndrimi i tij pro idesë Thaçi-Vuçiç është kuptuar më së miri nga përplasja e Ramës me kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj, i cili ishte i vendosur kundër projektit për shkëmbim territoresh.
“Paqartësia” e Edi Ramës
Në vjeshtën e vitit 2018, plani i “shkëmbimit të territoreve”, ku Serbia do të merrte Veriun e Kosovës, përfshirë Mitrovicën, ndërsa Prishtina do të bënte pjesë të saj disa territore të banuara nga shqiptarë në jugun e Serbisë, hyri në një fazë thuajse vendimtare.
Politika kosovare u nda menjëherë në dysh, me Hashim Thaçi mbështetës të “korrigjimit të kufijve” dhe Ramush Haradinaj kundërshtar të flaktë. Siç është bërë traditë tashmë, kur politika kosovare ka përplasje të forta, më së pari hedh sytë nga Tirana zyrtare.
Por, me Edi Ramën në krye të qeverisë së Tiranës, politikanët kosovarë nuk morën një qëndrim të prerë.
Edi Rama e nisi përfshirjen e tij në këtë debat kosovar me një qëndrim ambig. Në 13 nëntor 2018, në një intervistë për emisionin “Open” në Top Channel, kryeministri Rama u shpreh:
“Besoj që nuk bëhet fjalë për një çështje të ditës, por të historisë sonë të përbashkë. Por i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarë që më takon të flas dhe të bëj komentatorin sepse njëra anë në Kosovë ka një debat mbi një ide dhe jo mbi një platformë. Ndjej detyrimin që të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj. Isha shumë i qartë kur thashë se kam folur dhe do flas sa herë është e nevojshme për Kosovën dhe as kam folur dhe as do flas në emër të Kosovës”, u shpreh kryeministri Rama.
Në vijim të të njëjtën intervistë, Rama, gjithnjë pa dhënë asnjë përgjigje të saktë dhe të qartë, u shpreh: “Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”.
Sulmi ndaj Haradinajt
Vetëm pak ditë pas intervistës në “Open”, Edi Rama gjendet në Pejë, në takimin e përbashkët të radhës mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Këtu është momenti kur Rama del qartësisht pro Hashim Thaçit dhe kundër Ramush Haradinajt, duke konsideruar “gomar” këdo që deklaron se presidenti kosovar është “tradhtar”, një shprehje e përdorur nga njerëz të afërt të shefit të qeverisë së Prishtinës për “mbështetësin” e planit për ndarjen e territoreve.
“Të shohim të ardhmen në mënyrë të qartë. Sot duhet të ndajmë shapin nga sheqeri. Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar dhe gjithçka duhet parë me sytë e të ardhmes dhe me një sy të vetëm: Shqiptarët nuk duhet jenë të ndarë. Ata duhen të bashkohen si një komb me dy shtete që dëshirojnë të jetojnë pa kufij mes njëri- tjetrit. Hashim Thaçi është presidenti i Kosovës dhe komandanti i Ushtrisë së Kosovës. Kush thotë se Thaçi është tradhtar është një gomar”– tha Rama.
Në maj 2019, përplasjet Rama-Haradinaj, gjithnjë për qëndrimet ndaj Hashim Thaçit, arritën kulmin. Sapo kishte përfunduar Samiti i Berlinit, në të cilin mbështetin e “shkëmbimit të territoreve” morën një shuplakë të fortë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Macron.
Kryeministri kosovar, duke folur pas samiti, tregoi për mediat edhe për presionin që kishte pasur nga kryeministri shqiptar për të “zbutur raportet” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për të cilin, Haradinaj shprehet se është “mik i Ramës”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Edi Ramës, i cili tashmë e kuptoi se pozita e preferuar prej tij, ajo e “liderit rajonal”, u shpërbë sa hapë e mbyll sytë.
Në një koment në rrjete sociale, në 1 Maj 2019, Edi Rama shprehet për qëndrimet e Ramush Haradinaj:
Si rregull, udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre, e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, por një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera.
Pas këtij filozofimi, Rama vijon: “S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosovë, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën”.
Në fakt, Edi Rama nuk foli asnjëherë për Kosovën, të paktën publikisht, sa i përket idesë së ndarjes së territoreve me Serbinë.
Por qëndrimet e tij të paqarta, kombinuar me bisedën e regjistruar të kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, e vendosin Edi Ramën në një pozitë tërësisht të disfavorshme përballë faktorit shqiptar në rajon dhe përballë politikës rajonale.
Ata që e njohin mirë Edi Ramën shprehen se ai ka njohuri “të rëndomta” në fushën e diplomacisë, megjithëse aktualisht është edhe Ministër i Jashtëm i dekretuar i Shqipërisë.