Nga Boldnews.al
Presidenti i vendit Ilir Meta në një konferencë të gjatë, të mbushur me nervozizëm, fjalë të drejtëpërdrejta dhe mllef pas votimesh, deklaroi se nuk do të lejonte që Shqipëria do të kthehej në diktaturë. Për të mbrojtur këtë “parim themelor”, Meta deklaroi se ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për ti bërë ballë qeverisë dhe disa ambasadave që e mbrojnë Ramën në këtë “marrinë”, në votimet e 30 qershorit, pa pjesëmarrjen e opozitës.
Presidenti i ka drejtuar një mesazh edhe George Soros: “T’i gëzojë ato miliardat e tij, të vazhdojë të investojë ato miliardat e tij, por po i them- ‘unë nuk jam i rracës së Gruevskit, por i rracës së Avni Rustemit’”-tha Meta, që më shumë se sinjal ndaj miliarderit që ka shtrirë ndikimin politik në shumë shtete të botës ish-komuniste, përfshi edhe vendin tonë, ishte sinjal i qartë për kreun e qeverisë Rama.
Në histori, Avni Rustemi njihet si hero për një pjesë, pasi mori përsipër atentatin ndaj Esat Toptanit, duke e ekzekutuar në Paris, pas akuzave se shiti interesat e shqipërisë. Por Avniu pasi u bë hero, u kthye edhe në viktimë. U vra në një atentat edhe ai, të dyshuar se u porosit nga Ahmet Zogu.
Presidenti sot sado “Avni” të bëhet, e ka të pamundur të rrëzojë me “atentat ligjor” dhe demokratik “tradhtarin” Esat, pasi Edi është kthyer në Asad, si presidenti i Sirisë që gati shfarosi vendin e tij me një luftë të tejzgjatur dhe sërish mban fronin në krye të vendit, pavarësisht çdo kosto të tmerrshme njerëzore. Madje edhe me mbështetjen ndërkombëtare….! Praktikisht jemi në diktaturë. Kryeministri kontrollon të gjithë pushtete, legjislativin, ekzekutivin gjyqësorin dhe së fundmi edhe pushtetin lokal, duke marrë në një proces pa zgjedhje 61 bashki të vendit.
E ka treguar se kushdo që ngre krye për të protestuar përfundon me bombë me gaz lotsjellës nën këmbë, spraj djegës në fytyrë, apo shkopinj gome në trup. Reprezalja është edhe më e egër gjatë arrestimeve në orët e natës mbi protestuesit e piketuar. Vendi është i mbushur me të burgosur dhe proceduar në protestat e zhvilluara në vend.
Sot jemi para një regjimi gati diktatorial dhe jo në një sistem “demokrati” qoftë edhe me shumë te meta, në një trazicion absurd, që ka tre dekada që nuk po përfundon kurrë. Të gjithë ata që dalin si “shpëtimtarë” të demokracisë, kanë po aq mekate në të shkuarën disi të largët dhe të afërt. Kryeministrit aktual Edi Rama i është dhënë dora disa herë për ta ngjitur në çdo fron të mundshëm.
Ish-kryeministri Fatos Nano e thirri nxitimthi nga Parisi ku qëndronte Rama si piktor i dështuar shëtitës për ti dhënë pushtet. Në fillim si Ministër të Kulturës dhe më vonë si kryebashkiak të Tiranës. Aty u gjend edhe Meta që e mbështeti në çdo tullë që i hiqte fronit kryeministror të Fatos Nanos.
Bëri shumëçka për t’ia çimentuar bashkinë e kryeqytetit në vitin 2007, i dha dorën e pajtimit nën ngjyrat e Rilindjes në vitin 2013 dhe sot të gjithë ankohen se Rama është kthyer në rrezik serioz për demokracinë. Është tepër vonë, cilido “Avni” që të dalë nuk ka përpara një Esat, por Asad!