Kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh mbrëmjen e sotme se 85 % e votuesve braktisën farsën njëpartiake të Edi Ramës.
“Organizata Rilindje sot organizonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe manipulonte vetë. Akoma edhe më tragjik është fakti se edhe pse votimet ishin të njëllojta me ato të brendshme në rradhët e tyre, u karakterizuan nga manipulimet, kërcënimet dhe mbushtjet e kutive.
Mbi 150 mijë punonjës publikë janë kërcënuar se do të pushoheshin nga puna nëse nuk votonin bashkë me familjarët e tyre”, tha Basha.
Sipas Bashës, numri real i pjesëmarrësve në votime është i njëjtë me atë të rrogëtarëve që nën terror, bashkë me familjarët e tyre, shkuan në qendrat e votimit.
“KQZ, vegël e verbër të Edi Ramës, shkeli çdo nen të Kushtetutës dhe ligjit. Kjo tregon se Edi Rama manipulon zgjedhjet edhe kur shkon në votime i vetëm.
Sot u provua se me Edi Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Falenderoj shqiptarët që bojkotuan dhe refuzuan farsën kriminale të Edi Ramës”, tha Basha.
Deklarata e Bashës
Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste.
Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit.
Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.
Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda.
Vota e sotme, votë e sektorit publik, nën terrorin e bukës së gojës
Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vertetuar pjesëmarrjen e tyre në votim.
Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë
të punonjësve dhe familjarëve të tyre.
Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës.
Atyre u jap fjalën se ne do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj.
Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës.
30 qershori provoi se me Edi Ramën në krye, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kjo vegël e verbër e Edi Ramës, shkeli çdo nen të Kushtetutës dhe çdo gërmë të ligjit.
Kjo tregon se regjimi i Edi Ramës manipulon zgjedhjet, edhe kur shkon në votime i vetëm dhe kontrollon çdo gjë i vetëm. Rezultati i sotëm provon çdo akuzë që ne kemi bërë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij.
Sot, u provua se me Edi Ramën në krye. në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Dua të falenderoj sot të gjithë shqiptaret që braktisën masivisht dhe refuzuan me përbuzje farsën dhe regjimin e Edi Ramës.
Ju e bëtë këtë për veten tuaj, për familjen tuaj për fëmijët tuaj.
Ju e bëtë këtë për lirinë tuaj.
Për Shqipërinë tonë dhe për demokracinë e vërtetë.
Ju e refuzuat farsën kriminale dhe të paligjshme që kishte për qëllim të vetëm çimentimin e pushtetit të marrë përdhunshëm dhe që do të shkatërronte themelet e shoqërisë.
Ju e kuptuat se farsa e sotme vetëm sa do ta thellonte edhe me shumë padrejtësinë, vjedhjen, shtypjen, mjerimin dhe varfërinë tuaj.