Përpjekjet e bëra nga Gjermania për afrim mes pozitës e opozitës shqiptare deri tani kanë qenë të pasuksesshme. Socialistët nuk lëvizin nga vendimi i tyre për të shkuar në zgjedhje, ndërkohë kriza në vend po thellohet.
Më 30 qershor në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje lokale. Trazirat janë të sigurta. Një ide të parë për atë çka mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve lokale, e pamë në ditët e shkuara, kur militantë të opozitës në Shkodër e Tropojë dhe gjetkë u përpoqën të asgjësojnë materialet zgjedhore dhe t’i vënë zjarrin lokaleve të votimeve. Opozita e ndjen veten te legjitimuar për sabotazhe te tilla që më 10 qershor, kur Presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve, i shqetësuar nga trazirat e paralajmëruara. Partia Socialiste reagoi me procedurën për shkarkimin e presidentit.
Kriza politike
Qe prej shkurtit Partia Socialiste sundon thuajse e vetme ne Parlamentin e Shqipërisë, hiq ata pak deputetë opozitarë, me pozitë shumë të dobët në Kuvend, që nuk iu përgjigjën thirrjes së partisë së tyre për të dorëzuar ose mos pranuar mandatet. Dy grupimet kryesore të opozitës, aleanca përreth Partisë Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e zgjodhën këtë hap radikal pasi në media u botuan audio-përgjime që dëshmonin për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, në të cilat socialistët fituan shumicën absolute, me anë të blerjes së votave me ndihmën e Krimit të Organizuar, sipas tyre.
Në një intervistë me Deutsche Wellen Lulzim Basha u shpreh se e shikonte zgjidhjen e situatës aktuale vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të reja të parakohshme. Më pas dolën përgjime të reja që janë tregues për një sistematikë të mundshme në blerjen e votës – kësaj radhe të botuara në faqet online të gazetës bulaverdeske gjermane, Bild. Kryeministri dhe shefi i socialisteve Rama i hedh poshtë akuzat dhe kërcënon me paditje gazetarin e Bild-it, Peter Tiede, i cili nga opozita dhe shumë shqiptarë konsiderohet tashmë hero.
Që audio-përgjimet janë të vërteta, këtë nuk e vë askush në dyshim në Shqipëri. Sepse ato vijnë nga prokuroria, e cila fillimisht i mbajti të mbyllura për gati dy vjet dhe vetëm pas presionit të shkaktuar nga publikimet nisi t’i trajtonte. Siç bëri të ditur për Deutsche Wellen të martën, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka ngritur ende padi për krimin elektoral, por sipas saj „hetimi vazhdon intensivisht dhe me dinamikë“.
Protesta në Tiranë, 8 qershor
Reformë apo krizë gjyqësori?
Zvarritja e trajtimit të çështjeve gjyqësore është ndërkohë një problem i të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare. Atë nuk e vuan vetëm prokuroria. Edhe Gjykata Kushtetuese, që do të duhej të ishte instanca, ku do të zgjidhej konflikti aktual mes parlamentit dhe opozitës, nuk funksionon. Shkak për këtë është procesi i Vettingut, i cili synon të kontrollojë përshtatshmërinë e gjykatësve dhe prokurorëve mbi bazën e kualifikimeve të tyre profesionale, pasurisë dhe integritetit etiko-profesional dhe që i ka bërë shumë gjyqtarë dhe prokurorë që të lëshojnë karriget ende pa filluar procesi i testimit. Të tjerë nuk e kaluan dot provimin e fortë të Komisionit të mbikqyrur nga BE-ja dhe u skualifikuan.
Në këto institucione dosjet po bëhen pirg. Për Jordan Dacin, drejtues i Qendrës Shqiptare „Rule of Law“, problemi kryesor i reformës së drejtësisë është mungesa e një mekanizmi efikas për të zëvendësuar ata gjykatës dhe prokurorë që dalin nga sistemi për shkak të Vetingut. Paralizimi i gjyqësorit bën që çdo vit të shtohen nga 30 përqind dosje të reja që mbeten të patrajtuara për shkak të mungesës së stafit adekuat, vëren Daci në një intervistë me DW. Vetëm në Gjykatën e Lartë numri i dosjeve të patrajtuara është mbi 31 000, thotë ai.
Për bllokimin e drejtësisë në vend qeveria dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën. Ndërsa opozita e akuzon qeverinë se po e përdor bllokadën e gjyqësorit për të asgjësuar përfundimisht partitë e opozitës për të instaluar një regjim autokratik, partia qeverisëse e akuzon opozitën se po e përdor bojkotimin e zgjedhjeve si alibi për të penguar ngritjen e gjyqësorit të pavarur, prej të cilës të parët që do të dënoheshin do të ishin vetë krerët e opozitës. Prokuroria shqiptare është duke bërë hetime aktualisht kundër kreut të opozitës me akuzën për larjen e parave dhe fallsifikimin e dokumentave. Për Bashën kjo nuk është gjë tjetër, veçse një inskenim politik i sajuar nga kryeministri Rama për ta shantazhuar politikisht.
Përpjekje të pasuksesshme për ndërmjetësim
Në vjeshtë parlamenti gjerman do të duhet të japë dritë të gjelbër për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, shumica e deputetëve në parlamentin gjerman janë mëse të qartë për një „po“ në lidhje me Shqipërinë ata kanë ende rezerva.
Sidomos deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU ngurrojnë t’i hapin Shqipërisë këtë derëzë kaq të rëndësishme drejt BE-së. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Johann David Wadephul, dëshiron së paku që të kapërcehet kriza aktuale, dhe gjykon se mbajtja e zgjedhjeve lokale pa partinë më të madhe opozitare është problematike për demokracinë. Sepse gjysma e kandidatëve për kryetarë bashkie kandidojnë pa rivalë. Deri në ditët e fundit, Wadephul u përpoq të ndërmjetësonte mes partisë së mazhorancës dhe asaj opozitës, në mënyrë që së paku të shmangte përplasjen gjatë zgjedhjeve. Por deri tani pa sukses.
Johann Wadephul
Partia Socialiste nuk e pranon kurrsesi shtyrjen e datës së zgjedhjeve, thuhet nga kreu i saj. Ndër të tjera, socialistët nuk duan të krijojnë një rast precedent për shtyrjen e zgjedhjeve nëpërmjet kërcënimit me bojkotim. Veç kësaj, mazhoranca e akuzon opozitën se nuk mori pjesë në zgjedhje vetëm ngaqë ishte e papërgatitur dhe llogariste se do të dilte e humbur. Edhe deputeti gjerman nga Të Gjelbrit, Manuel Sarrazin, një ndër raportuesit e Shqipërisë në Bundestag, mendon se bojkoti i opozitës është i papërligjur. Ai thotë se këtu po bëhet thjesht një luftë për pushtet mes Ramës dhe Bashës. Por sipas Sarrazinit, kjo luftë është shumë e pafavorshme për Shqipërinë duke pasur parasysh vendimin e vjeshtës në Bundestag. Por Sarrazin shton se, sido që të përfundojë kjo betejë, Shqipëria do ta marrë votën si nga grupi parlamentar i tij, ashtu edhe ai socialdemokrat.
/Marrë nga Deutsche Welle/