Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në shkresën zyrtarë, nga Presidenca kërkohet informacion lidhur me procedurën e zëvendësimit të mandateve.
Në kërkesën e Metës “për vënie në dispozicion të të dhënave shtesë” drejtuar kreut të KQZ-së Klement Zguri, shkruhet:
“Institucioni i Presidentit të Republikës, me shkresë numër 1852, prot, datë 14.06.2019 i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Informacion mbi numrin aktual të mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në shkallë vendi si dhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për çdo zonë zgjedhore dhe për çdo subjekt.
Në përgjigje të kësaj kërkesë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr.11531/1 prot, datë 17.06.2019 ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës informacionin e kërkuar.
Në vijim Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92/h, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkon nga KQZ-ja informacioni si më poshtë;
1.Praktikën shkresore të administruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për njoftimin e krijimit të vakancës në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë, ku përfshihet kopja e njoftimit të Kuvendit dhe kopja e dorëheqjes së deputetit nga mandati.
2.Kopje të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën shume emërorë për çdo vakancë të parakohshme të krijuar dhe të zëvendësuar deri më tani në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky informacion kërkohet për të gjitha rastet e plotësimit të vakancave të parakohshme të krijuara në Kuvendin e Shqipërisë, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ-ja me vendim nr.555, datë 26.07.2017, për të gjitha rastet që referohen në paragrafin e dytë të shkresës suaj, nr.11531/prot, datë 17.06.2019. Presidenti i Republikës, SHT.Z Ilir Meta kërkon dhënien e këtij informacioni brenda në kohë sa më të shkurtër dhe shqyrtimin e kësaj kërkese me përgjegjësi të lartë shtetërore”.
Kjo është letra e dytë që Meta i dërgon KQZ-së.
Letra e parë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më herët i është përgjigjur kreut të shtetit, Ilir Meta pas kërkesës për numrin e deputetëve në Kuvend:
“Numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë është 122”, thuhet në përgjigjen e kërkesës së Metës firmosur nga kryetari i KQZ dhe 4 anëtarët.
Më 14 qershor 2019, presidenti i drejtoi një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilën i kërkonte t’i saktësojë sa është numri aktual i mandateve të deputetëve në shkallë vendi në Parlamentin aktual.
Në këtë kërkesë, Presidenti i Republikës kërkonte edhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi.
Meta shpërndan parlamentin? Një veprim i tillë la të nënkuptonte si hapin e parë drejt mundësisë së shpërndarjes së parlamentit.
Më herët, aktorë politikë kanë hedhur idenë se nëse parlamenti nuk ka 140 deputetë, që është edhe rasti aktual, Presidenti duhet të shpërndajë parlamentin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Ekziston mundësia ta shpërndajë, nëse nuk e bën do të jetë një gafë e madhe. Ai e ka për detyrë, kur një parlament nuk ka 140 deputetë, Presidenti me një dekret duhet ta shpërndajë. Meta është politikan karriere, nuk është frikacak që fshihet pas procedura”, është shprehur Nard Ndoka, kreu i PDK-së.
Më 15 qershor, zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi e quajti parlamentin aktual “jo legjitim”. Ai do të reagonte ne ketë mënyre: Ilir Meta është zgjedhur president nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës. Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Europa!