Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gurali Brahimllari u përball të martën me vetingun gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku u identifikuan mungesë burimesh të ligjshme në krijimin e disa pasurive, ndërsa u vlerësua pozitivisht për kriterin e figurës dhe profesionalizimin. Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
Gurali Brahimllari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës/gjyqtar në Gjykatën e Kuçovës. Në vitet 1998-2001 ai ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe më pas është emëruar në Gjykatën e Fierit.
Në çelje të seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Brunlida Bekteshi sqaroi se Komisioni kishte përfunduar rivlerësimin në të tri kriteret për gjyqtarin Gurali Brahimllari.
Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, gjyqtari Brahimllari nuk ka kryer deklarim të saktë, nuk ka dokumentacion për justifikimin e pasurive për periudhën para vitit 2003, por nuk ka pasur fshehje të pasurive, deklarim të rremë apo të gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. Hetimi I KPK-së ka konkluduar në konstatime të ndryshme lidhur me disa prej gjetjeve të ILDKPKI-së.
Relatorja Brunilda Bekteshi pohoi se për apartamentin 36 m2 të blerë në vlerën 1.5 milionë lekë Brahimllari ka deklaruar si burim shitjen e ½ së apartamentit të bashkëshortes në Kuçovë në shumën 400 mijë lekë, të ardhurat po të bashkëshortes nga aktiviteti i saj si stomatologe si dhe pagat e tij.
Bekteshi tha se apartamenti 36 m2 përbëhej nga sipërfaqja fillestare 20 m2 dhe shtesa 16 m2 e ndërtuar në vitin 1998. Sipas saj, LIDKPKI ka konstatuar se vlera e shpenzimeve për shtesën ka qenë më e ulët nga ajo e deklaruar. Ndërkohë, ILDKPKI ka konstatuar se nuk arrihej të provohej me dokumentacion ligjor shitja e apartamentit ku bashkëshortja kishte qenë bashkëpronare me pjesë takuese 1/2. Por, relatorja Bekteshi theksoi se pas verifikimeve të kryera, Komisioni ka konstatuar se shitja ishte kryer në vitin 1998.
Komisioni ka konstatuar se për fitimet e bashkëshortes së gjyqtarit Brahimllari nga viti 1994 deri në vitin 1998 ka vetëm të dhëna për qarkullimin, ndërsa në vitet e mëvonshme identifikohet fitimi neto. Për të pasur një rezultat të tatimit neto, Komsioni ka kërkuar asistencën e Urdhrit të Stomatologut lidhur me marzhin e fitimit të një stomatologu për periudhën në fjalë. Por, përgjigja e Urdhrit të Stomatologut, që e ka përcaktuar marzhin e fitimit në masën 85% të xhiros totale, nuk ka qenë bindëse për Komisionin që ka konsideruar marzhe të ndryshme.
Bekteshi tha se nga analiza financiare për apartamentin 36 m2 ka rezultuar një balancë negative rreth -500 mijë lekë. Por, sipas saj, Komisioni ka pranuar si të drejta konkluzionet e subjektit për një balancë negative -200 mijë lekë.
Për një apartament tjetër me sipërfaqe 116 m2 me vlerë 3 milionë lekë, subjekti ka deklaruar edhe 1 milionë lekë shpenzime për arredimin. Sipas Bekteshit, si burim për krijimin e kësaj pasurie, gjyqtari Brahimllari ka deklaruar 4 milionë lekë nga të ardhurat e bashkëshortes nga aktiviteti i saj si stomatologe gjatë viteve 1999-2000 dhe shitja e apartamentit në Kuçovë.
Komisioni ka përlloagritur marzhin e fatimit nga aktiviteti i bashkëshortes për këto dy vite nga ka konstatuar se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e rreth 770 mijë lekëve.
Një tjetër pasuri e verifikuar prej Komisionit është klinika dentare me sipërfaqe 78.6 m2 e blerë për 93 mijë euro, e financuar me këste në vitet 2004-2005, regjistruar në vitin 2012. Relatorja bekteshi pohoi se gjyqtari Brahimllari ka deklaruar si burim të krijimit të kësaj pasurie likujdimin e disa depozitave me vlera; 1.7 milionë lekë, 2 milionë dhe 1.5 milionë lekë, një kredi 50 mijë euro nga Alpha Bank dhe pagat e tij e fitimet e bashkëshortes.
Komisioni konstaton se konfirmohet kjo pasuri, por ka gjetur se një depozitë nuk është pasqyruar në deklaratën veting.
KPK ka evidentuar se depozita 1.5 milionë lekë është tërhequr më 30 mars 2005, në një kohë kur pagesa e kësteve kishte përfunduar në fund të vitit 2004. Bekteshi u shpreh se subjekti ka shpjeguar se me këtë shumë, bashkëshortja ka blerë një pajisje dentare 15 mijë euro për të cilën është dorëzuar fatura. KPK ka hetuar krijimin e 1.5 milionë lekëve dhe ka konstatuar se subjekti e kishte deklaruar në vitin 2003 si të ardhur nga shitja e klinikës në Kuçovë.
Sipas Bekteshit, për apartamentin + garazh + papafingo me sipërfaqe 250 m2 të blerë në vitin 2008 në vlerën e 160 mijë eurove, subjekti ka deklaruar si burim krijimi për këtë pasuri pagat e tij dhe fitimet e bashkëshortes, mbetje të 4 milionë lekëve nga shitja e klinikës në Kuçovë dhe kredi në vlerën e 75 mijë eurove. Ai ka deklaruar gjithashtu edhe disa hua të marra nga familjarët e tij. relatorja Bekteshi tha se gjyqtari Brahimllari, ka deklaruar se ka marrë hua 19 mijë euro nga vëllai i bashkëshortes që jeton e punon në Greqi, 10 mijë euro nga një prej vëllezërve të tij dhe 2 milionë nga vëllai tjetër.
Komisioni ka gjetur se nuk përputhen deklarimet e subjektit për huatë dhe i ka kërkuar shpjegime. Brekteshi pohoi se Brahimllari ka shpjeguar se këto hua i kanë shlyer me të ardhurat e bashkëshortes dhe pagat e tij. Komisioni vëren se duket sikur subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për pagesën e kësteve.
Ndërkohë, gjyqtari Brahimllari ka depozituar pranë komisionit deklaratë noteriale të shoqërisë ndërtuese për shlyerjen e kësteve. Komisioni ka hetuar për huanë 19 mijë euro të marrë nga kunati, prej nga ka rezultuar se të ardhurat e këtij të fundit gjatë katër viteve kanë qenë 23 mijë euro dhe se nuk ka pasur mundësi financiare për dhënien e huasë.
Ndërsa për huanë 2 milionë lekë të dhënë nga vëllai i tij, Komisioni ka gjetur se ai ka pasur mundësi fiannciare duke qenë administrator i një firme dhe kishte kursime në bankë. Bekteshi pohoi se nga hetimi komisioni ka konstatuar se kompania që administronte i vëllai ka nisur të ketë fitim që prej vitit 2001, por se ka nisur të shpërndajë divident në vitin 2009, ndërkohë që huaja është dhënë në vitin 2008. jo shtoi se nga verifikimet duket sikur i vëllai nuk ka pasur burime, por shuma është tërhequr nga llogaria e shoqërisë. Komisioni ka hetuar edhe lidhur me shlyerjen e huasë. Sipas Bekteshit, subjekti ka depozituar një deklaratë noteriale se kishte shlyer dy këste, por nuk ka pasqyruar burimin e të ardhurave që kanë shërbyer për likujdimin e huasë. Sipas komisionit, duket se ai nuk ka pasur burime të ligjshme për 1 milionë lekë nga huaja që i ka marrë të vëllait, por Brahimllari ka shpjeguar se paratë ishin gjendje cash.
Për shlyerjen e huasë 19 mijë euro marrë nga vëllai i bashkëshortes, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e klinikës në Kuçovë prej nga janë përfituar 4 milionë lekë. Por, komisioni ka hetuar edhe ligjshmërinë e burimit të krijimit të klinikës nga ka gjetur se kjo pronë është blerë në vitin 1995 në shumën e rreth 630 mijë lekëve. Bekteshi tha se duket poseduesit e kësaj prone se nuk kanë pasur mundësi financiare për të blerë këtë pasuri në vitin 1995.
Komisioni ka gjetur se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për shlyerjen e huave në vitin 2010. Edhe për huan e marrë nga vëllai në vitin 2009 në vlerën 10 mijë euro, komisioni ka gjetur se ai nuk ka pasur mundësi për dhënien e kësaj shume pasi kishte shpërndarë vetëm 1 milion lekë divident. Bekteshi tha se vëllai i gjyqtarit nuk kishte burime të ligjshme dhe se huatë ka rezultuar të jenë marrë pas pagimit të kësteve.
Komisioni konstaton se subjekti ka pasur mungesë burimesh të ligjshme për shlyerjen e kësteve dhe shpenzimet e tjera të kryera në vitin 2004, ndërkohë që Brahimllari ka shpjeguar se me huatë ka shlyer kreditë.
Komisioni konstaton gjithashtu se subjekti nuk kishte pasur burime të ligjshme për shlyerjen e kësteve dhe huave gjatë periudhës 2008-2016 si edhe nuk kishte dokumentacion justifikues.
Pasqyrimi i pasurive të bashkëshortes në deklaratën veting, konkretisht për astet e personit të saj fizik, një depozitë në BKT, një automjet tip Audi të blerë në vitin 2014 dhe pajisjet e klinikës nuk ka rezultuar të ketë dyshime për krijimin e tyre.
Ndërkohë, gjyqtari Gurali brahimllari u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DISK, e ka vlerësuar Brahimllarin të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, konkluziuon që është gjetur i drejtë edhe nga KPK. Edhe për aftësitë professionale, Komisioni nuk ka vërejtur problematika në 8 dosjet e verifikuara dhe dy denoncime të kryera nga publiku kanë rezultuar të pabazuara në fakte.
Pas përfundimit të relatimit të çështjes nga Bekteshi, gjyqtari Gurali Brahimllari shprehu rezerva me disa prej gjetjet e Komisionit lidhur me rivlerësimin e kriterit të pasurisë.
“Kam drejtuar seanca penale problematike dhe jam përpjekur të shmang emocionet. Por këtu ka emocione që prekin jo vetëm mua, por edhe familjarët. Po prisja të gjeja reflektim të trupës mbi provat që kam dorëzuar”, pohoi Brahimllari.
Ai theksoi se ishte i gatshëm të shpjegonte çdo detaj për pasurinë që sipas tij rrjedh nga burime të ligjshme. “Nuk kam shfrytëzuar funksionin për kredi të butë dhe nuk kam pasur asnjë dhuratë apo trashëgimi. Pasuria ime ka si burim punën e bashkëshortes për 32 vjet si stomatologe dhe punën time për 36 vjet në administratë dhe në sistemin e drejtësisë. Në vitet 1994-1995 në Shqipëri gëlonte një informalitet i thellë, por ne kemi zgjedhur të nxjerrim leje, edhe pse në atë kohë nuk isha pjesë e sitemit të drejtësië. Për t’u bërë gjyqtar konkurrova në moshën 38 vjeçare dhe fitva magjistraturën”, deklaroi ndër të tjera gjyqtari Gurali Brahimllari.
Ai pretendoi se KPK nuk ka marrë në konsideratë gjithë provat e dorëzuara për të ardhurat e bashkëshortes. Më tej, ai pohoi se për vitet 1995-1996-1997 janë të përcaktuara fitimet dhe se kishte gjetur dokumente originale të kontratës së shit-blerjes së klinikës edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë. Gjyqtari brahimllari shtoi se e vlerësonte përllogaritjen e KPK-së, por pohoi se nuk ishte marrë parasysh krejtësisht kërkesa e tij për t’u vlerësuar provat me objektivitet.
Më tej, gjyqtari Brahimllari u ndal tek të ardhurat e kunatit të tij në Greqi. Gjyqtari theksoi se një zë i rëndësishëm financiar në të ardhurat e familjes së kunatit ishin edhe ato të përfituara nga puna e bashkëshortes së tij edhe pse ajo kishte punuar pa u deklaruar pasi ishte mundësia e vetme për të në shtetin fqinj.
Në fund të seancës dëgjimore, Brahimllari e falënderoi Komisionin që kishte arritur në konkluzione të ndryshme nga ILDKPKI lidhur me pasurinë dhe tha se priste një konfirmim në detyrën e tij.
KPK do të shpallë vendimin me datë 21, ora 10:15.
/Reporter.al/