Publikimi i përgjimeve të reja të BILD, i ka përkeqësuar edhe më shumë pozitat e Rilindjes në pushtet.
Lidhur me këtë situata ka ardhur dhe reagimi i fortë i analistit Andi Bushati.
Përmes një analize të zgjeruar Bushati shkruan se ka ardhur momenti që ky shtet duhet rrëzuar edhe me gurë edhe me molotov.
Ja analiza e plotë e Andi Bushatit:
Të dërrmuar nga seria e përgjimeve të BILD që përligjën të gjitha aksionet radikale të opozitës, rilindasit po përpiqen të justifikohen me arsyetimin kaps se kjo nuk ka pse të jetë një punë e politikës.
“ Le të merret prokuroria”; “Nuk mund të digjen mandatet dhe bojkotohen zgjedhjet për një çështje që i takon drejtësisë”; “Nuk mund të përflaket Shqipëria për disa biseda që janë vetëm indicie dhe jo prova”, janë tezat që ata kanë hedhur me gjysëm zëri, në studio televizive, këto ditë.
Lexo më tej:
Ndonëse këto dosje janë vetëm çështje të politikës, madje dhe të protestuesve të dhunshëm, pasi kamikazet e Edit dhe Ulsiut, Arta Marku dhe Donika Prela, bënë çështë e mundur t’i varrosnin ato, le të imagjinojmë për një çast se mbështetësit e qeverisë kanë të drejtë.
Le të supozojmë se kemi një prokurori të pakapur që do ta bëjë punën e saj. Le të mendojmë se kemi gjykata të paanshme dhe të ndershme që do ta gjykojnë me pastërti edhe fashikujt e 339 edhe ato të 184. Pra le të besojmë, ashtu sikurse thonë rilindasit, se kjo është një çështje e drejtësisë e cila një ditë do ta japë verdiktin e saj.
Përsëri kjo histori mbetet një problem politik, pasi edhe e zhveshur nga optika e kodit penal, ajo përbën dëshminë e një shteti të falimentuar, ku asgjë nuk funksionon.
Ajo i ka lënë një njollë turpi organeve të reja të dala nga reforma në drejtësi, që mbahet si margaritari i kurorës së reformizmit rilindas. Duke dëshmuar se drejtësia e re po shërben vetëm si armë në duart e njërës palë, ajo ka zhbërë shumë nga iluzionet fillestare ndaj saj.
Ajo e ka shndërruar në shkrumb e hi propogandën e vettingut në polici. Pasi kemi parë se si gradohen shefa komisariati grabitësit e votave të tipit Keshi, asgjë që mund të na thuhet, nuk është më e besueshme.
Ajo ka bjerrur të gjithë retorikën për ndryshimin radikal të arsimit, ku qenkësh vendosur parimi meritokratik. Kur shohim se si kërcënohen mësuesit me vendin e punës, nëse nuk votojnë për partinë në pushtet dhe si “fluturon” drejtori i shkollës së Reçit që nuk iu bind urdhërit, çdo lloj diskursi qeveritar bëhet i kotë.
Ajo ka hedhur në erë të gjithë gënjeshtrën e një administrate që po funksionon në mënyrë perfekte, nën kërcënimin e platformës së bashkëqeverisjes. Raste si ato kur kriminelët marrin listat e votuesve të PD, te ujësjellësi, apo të narkotrafikantëve që zgjidhin punë në zyrat e hipotekave, janë dëshmi rrënqethëse zyrtarësh që tregojnë se gjëja që i intereson më pak është zbatimi i ligjit.
Pra edhe sikur çështja e zbulimeve të bëra nga BILD, të mos ishte një aferë e vjedhjes kriminale të zgjedhjeve që po mbulohet nga drejtësia, ajo do të tregonte sërish shumëçka.
Sepse, kjo histori, nuk është vetëm dëshmia se Edi Rama ka ngritur një shtet paralel, grabitqar dhe të dhunshëm, por edhe prova se shteti real, është në ditë të hallit. Në këtë ngrehinë gjashtë vjeçare gjiithshka për të cilën është “punuar”, ka rezultuar një katastrofë: edhe reforma në drejtësi edhe ajo në polici edhe ajo në arsim edhe sistemi meritokratik edhe trajtimi i qytetarëve si të barabartë para ligjit.
Pikërisht për këtë edhe sikur për një moment të supozojmë se një ditë drejtësia do të funksionojë dhe do ta çojë pas hekurave kokën e sistemit kriminal që treguan përgjimet, do të majftonte dështimi politik, për të larguar Edi Ramën.
Do të mjaftonte shkatërrimi i çdo qelize të shtetit për të kërkuar me këmbëngulje rrëzimin e tij, qoftë me rrugë paqësore, apo në qoftëse nuk “dorëzohet” edhe me gurë dhe molotovë.