KPK ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin Kastriot Selita. Ai është me detyrë kreu i Gjykatës Administrative në Tiranë.
KPK bëri me dije se ndaj Selitës kishte 17 denoncime, por gjatë seancës u veçua denoncimi i kryer nga një grup gjyqtarësh anonimë, që pretendonin se gjyqtari Selita kishte vepruar në kundërshtim me legjislacionin në çështjen me palë paditëse Bledar Valikajn, bashkëshortin e deputetes socialiste Ermonela Felaj, dhe Presidentit të Republikës.
Bledar Valikaj ishte pjesë e një liste prej 9 kandidatësh që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ia propozoi Presidentit Bujar Nishani për dekretim si prokurorë në nëntor 2015. Kërkesa për promovimin e Valikajt u rrëzua në heshtje nga Presidenti i Republikës, por ai e paditi Presidencën në Gjykatën Administrative, duke pretenduar se kishte plotësuar kriteret dhe kishte fituar konkursin për t’u emëruar prokuror në Kukës, duke e konsideruar të paligjshëm qëndrimin e Presidentit.
Pasi e fitoi gjyqin në të dyja shkallët e Gjykatës Administrative, Valikaj iu drejtua Këshillit të lartë të Prokurorisë me kërkesën për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. KLP në një vendim kontravers për të cilin nuk u arrit shumicë, por u përdor vota e kryetarit si zhbllokuese, i dha atij statusin e magjistratit dhe më pas e emëroi prokuror. Ndërkohë ende nuk është e qartë situata nëse Valikaj do t’i nënshtrohet ose jo procesit të rivlerësimit.
Relatorja Bekteshi tha se nga verifikimi i kësaj çështjeje duket sikur trupi gjykues pjesë e të cilit ishte Selita, ka luajtur rol aktiv në këtë process duke u favorizuar paditësin ndryshe nga sa parashikohet në ligj. Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar se është bazuar në vendimarrje në të drejtat kushtetuese. Ajo shtoi se gjyqtari Selita ka paraqitur si provë edhe vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të sipër përmendur dhe ka theksuar se ky institucion ka vendosur të mos kryejë rekurs, shkruan Reporter.al.
Në fjalën e tij Selita tha se kishte vepruar në përputhje me ligjin. “Në lidhje me çështjen e Bledar Valikajt kemi vepruar në përputhje me ligjin dhe kushtetutën”, tha Selita. Ai la të kuptohej se ndryshimet ligjore bënin që veprimi të dukej me probleme, duke shtuar se në atë kohë ishte bërë kalimi procedurial i kopetencave nga Presidenti tek KLP dhe se gjykata nuk mund të mos e merrte parasysh padinë.
Duke u nisur nga i njëjti denocnim relatorja Brunilda Bekteshi deklaroi se figura e Selitës ishte verifikuar dy herë. Në raportin fillestar, sipas KPK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, gjyqtari Kastriot Selita ka rezultuar i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.
Por, në muajin shkurt ka mbërritur një denoncim anonim nga kolegët e tij, ku pretendohej se gjyqtari Selita kishte kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në trafik narkotikësh dhe evazion fiskal.
Bekteshi u shpreh, se edhe pas verifikimeve të kryera nga Komisioni nuk u provuan pretendimet e denoncuesve anonimë. “Subjekti ka mohuar të ketë lidhje të tilla”, shtoi Bekteshi.
Gjatë deklarimeve që gjyqtari Selita dha në fund të seancës, ai u shpreh ndër të tjera se denoncimi i një grupi gjyqtarësh anonimë, është një tentativë për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në proces. “Kam zbatuar gjithmonë ligjin”, tha Selita, duke vënë në dukje që bëhej fjalë për denoncim anonim.
Ndërkohë Komisioni po ashtu bëri me dije se ka kryer hetime për gjendje të konfliktit të interesit nga ana e gjyqtarit Selita, duke qenë se në Gjykatën Administrative të Apelit janë shqyrtuar çështje me palë strukturat tatimore ku prej vitit 2006 është e punësuar bashkëshortja e tij, edhe si drejtuese.
Relatorja vuri në dukje se Komisioni kishte verifikuar 11 raste ku gjyqtari Selita mund të kishte vepruar në kushtet e konfliktit të interesit. Sipas relatores Bekteshi, subjekti ka deklaruar se në 6 raste nuk është tërhequr nga gjykimi, pasi bashkëshortja nuk ka qenë drejtuese e palës ndërgjygjëse në kohën e gjykimit dhe se nuk ka nxjerrë akte.
Por, KPK ka konstatuar se në një rast gjyqtari e ka dhënë dorëheqjen nga një çështje ku palë ndërgjyqëse ka qenë Drejtoria e Tatimeve, tetë muaj më vonë nga shortimi dhe sipas Bekteshit duket se Selita ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.
Ndërkohë një tjetër denoncim ka shtyrë KPK të bëjë një verifikim të dosjeve, në të cilat sipas relatores u identifikuan dy vendime në të cilat nuk është mbajtur i njëjti qëndrim në analizën ligjore nga ana e subjektit.
Gjyqtari Selita kundërshtoi dyshimet për konflikt interesi. “Nuk ka asnjë rast që të çon tek dyshimet për konflikt interesi”, theksoi Selita. “Për marrëdhënien e punës tek tatimet e kam mbajtur gjithmonë parasysh këtë fakt. Në çdo rast e kam përjashtuar veten nga konflikti i interesit duke hequr dorë nga çështjet, kur gruaja ime ka qenë palë në gjykim”, tha ai.
Gjyqtari Selita u pyet, nga kryesuesi Komici, anëtari Hamitaj dhe vëzhguesi ndërkombëtar Hans Kijlstra se kur njiheshin gjyqtarët me aktet e dosjeve të shortuara. Selita sqaroi se për shkak të ngarkesës së madhe që kanë gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Apelit, disa prej të cilëve janë duke shqyrtuar aktualisht çështje të fillimit të vitit 2016, ata njihen me vonesë me aktet, por tha se kjo nuk ndikon në konfliktin e interesit.
“E rëndësishme për konfliktin e interesit është të mos marrësh pjesë në gjykim. Nuk kemi të bëjmë me vonesë të heqjes dorë”, sqaroi Selita. Ai theksoi se ka kërkuar dorëheqjen 201 herë dhe kjo tregon se ka qenë gjithmonë i vëmendshëm lidhur me konfliktin e interesit.
Sipas KPK veç DSIK-së që e kishte cilësuar të përshtatshëm edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë e kishte vlerësuar pozitivisht Selitën sa i përket aspektit profesional.