Mes personave të arrestuar dje në operacionin ku u kap Florenc Çapja dhe disa punonjës të Autoritetit të Mediave Audiovizuale është edhe gazetarja Suela Musta. 40-vjeçarja është anëtare e AMA-s por një nga gazetaret e para pas 90-ës në Shqipëri.
Ajo akuzohet për korrupsion për shkak të dhënies së një licence sipas policisë në kundërshtim me ligjin.
Por arrestimi i saj si të ishte një kriminele ka habitur shumëkënd në rrethin e gazetarëve dhe politikës në Tiranë, një pjesë e të cilëve ka reaguar ashpër.
Gazetari Armand Maho e cilëson një hakmarrje të pastër politike ndaj saj, duke kujtuar se i ati i Suelës ka kaluar një jetë burgjeve të komunizmit e internimeve.
Gazetari Mentor Kikia kërkon lirimin sa më të shpejtë të saj, siç thotë ai pa na mbuluar të gjithëve turpi.
JA DISA PREJ REAGIMEVE
Armand Maho
Suela Musta është vajza e Agim Mustës që ka kaluar një jetë burgjeve e internimeve! E njoh prej gati 20 vjetëve, që kur punonte tek “Top Albania Radio”.
Jeton me prindërit në një pallat të kohës së diktaturës dhe ende ka shumë prej mobiljeve të asaj kohe. Nëna e saj e sëmurë nga skleroza ndarë nga jeta pak kohë më parë, të vetmen përkujdesje kishte Suelën! Agimi është në moshë të shtyrë dhe s’ka më energjinë e para disa viteve. Kur e takova herën e fundit më tha që dilte shumë rrallë nga shtëpia (kolegët po më thonë që dhe ai paska zënë shtratin)! Pra, ka një mijë e një halle.
Tani po lexoj se i paska mësyrë RENEA në shtëpi për ta arrestuar se medemek paska ndërhyrë për të marrë një licencë për TV Kabllor nga fisi Çapja në Elbasan. Në fakt unë s’e di, por Suela ka qenë vetëm një anëtare e thjeshtë e AMA-s, besoj se nuk është ajo që vendos për licensat.
Por megjithatë, unë mendoj se arrestimi i njerëzve si Suela Musta, do të thotë se ky pushtet ka kaluar çdo limit. Arrestimi i saj nuk është ai që thuhet por është një hakmarrje e pastër politike!
Suela ka qenë pjesë e Zyrës së Shtypit të PD-së, ka punuar në Zyrën e Shtypit të Kuvendit, por është po ajo Suelë që kam njohur këtu e 20 vjet më parë.
Ky njeri që ka vënë çdo media, e çdo redaksi lajmesh nën këmbët e bandave, tashmë ka marrë vetë në dorë kërcënimin e gazetarëve që nuk janë pjesë e borderosë së tij.
Ky arrestim pa shkak, vjen pas shkarkimit të gazetarëve nga puna për rastin e Ardit Gjoklajt, vetëm se nga buka e gojës ka kaluar te hekurat e burgut.
Është një shembull që i thotë çdo gazetari që ka një zë në këtë vend, se nesër mund ta ketë radhën ai!
Pra, mos u habisni kur ato pranga të jenë nesër në duart e çdo kujt prej nesh. Shpejt, madje shumë shpejt, po arriti të bëjë zgjedhje më 30 qershor, sepse ne gazetarët kemi mbetur i vetmi kërcënim i madh për pushtetin e tij!
Unë për vete nuk habitem më, sepse të gjithë jemi fajtorë, po po të gjithë, që me veprimet a mosveprimet tona lejuam këtë monstër të merrte pushtetin!
Aranita Brahaj
Ata që arrestuan baballarët arrestojnë sot bijat. Pa masë sigurie në gjykatë, në 6 të mëngjesit me bujë dhe trokitje të rënda në derën e pallatit. Pa i dhënë kohë të japë shpjegime të marr avokat. Si arrestime juntash me duken këto njoftimet e policisë me arrestime të anëtarëve të AMA-s.
Ej Policia e Shtetit a arrestove kështu ndonjë nga ministrat e tu me skaf ?!!!!!
Mentor Kikia
Sot më shokuan dy lajme: Arrestimi i Suela Mustës dhe shkarkimi i Idriz Mulkurtit
Suela Musta, një vajzë, simbol i vuajtjeve në komunizëm, kolege gazetare dhe anëtare e AMA-s. Na doli bashkëpunëtore me bandat e Elbasanit, sepse në AMA ka votuar që Çapajt të marrin licencë për një TV Cabllor në Elbasan. Nuk ka ende shumë detaje se çfarë ka bërë Suela dhe një tjetër koleg i saj që është shpallur në kërkim. Policia nuk dha shpjegime, as prokuroria. Por ne kemi nevojë për këto shpjegime. Pasi Suela nuk u kap duke shpërndarë drogën e Çapjave, as duke vrarë ndonjë anëtar të bandës rivale.
Mbi të gjitha, licencën nuk e japin vetëm dy anëtarë të AMA-s. Dhe mbi të gjitha akoma, mos vallë ata të AMA-s do të duhej të dinin se çfarë aktiviteti kanë njerëzit që kërkojnë një licencë për të rishpërndarë internet dhe kanale televizive?(Kabllori nuk është stacion televiziv që prodhon e transmeton lajme). Po ata që i kanë dhënë Çapjave licencë për të ndërtuar dhe ushtruar aktivitet në një kompleks gjigand shërbimesh, mos vallë duhet të shkojnë në burg për këtë? Kur Çapajt nuk i arrestonte policia, apo i arrestonte në darkë e i lironte në mëngjes, çfarë do tu bënte Suela?
Lirojeni këtë vajzë sa pa na mbuluar të gjithëve balta e turpit të kësaj drejtësie!
E dyta, gjykatës i krimeve të rënda, Idriz Mulkurti, u shkarkua se nuk justifikonte shlyerjen e një kredie 26 mijë Euro dhe se kishte mashtruar me qiranë e shtëpisë në Tropojë, ku kishte thënë se merrre 300 Euro në muaj, por në Tropojë qira është më lirë.
Faqja e zezë e vettingut. Dëbuan gjykatësin që mori kurajën dhe dënoi Dritan Dajtin, kur të gjithë të tjerët, gjykatës, prokurorë e avokatë, me një sms kërcënimi futën kokën nën poture dhe dorëzuan dosjen për 7 vjet me radhë. Idriz Mulkurtit kriminelët i futën vajzën në kurth, ia treguan foton në sallën e gjyqit e ai nuk u dorëzua, por vendosi dënimin me burgim të përjetshëm duke e shpëtuar drejtësinë shqiptare nga dështimi më i madh në historinë e saj, qëkurse ka lindur. Pikërisht këtë gjykatës e dëbuan, për aq para sa një koleg i tij në Vlorë, të cilin ky vetting e rikonfirmoi, ia lë bakshish kamerierit për “pordhë” kur shkon nëpër kazinotë e botës.
Genc Pollo
Arrestimi i znj Suela Musta në kuadrin e një goditjes të një rrjeti droge në Elbasan me tronditi sa dhe më trishtoi. Nuk marr përsipër të gjykoj shkakun e arrestimit; edhe pse nga sa është kuptuar kjo lidhet me një TV kabllor lokal. Suela do e shpjegojë atë. Por arrestimi i një zonje të sëmurë në sabah sikur të ishte një kriminel i armatosur, i dhunshëm e i rrezikshëm më duket një ekzagjerim i papranueshëm. Për të mos folur për lloj-lloj politikanë-banditë që jo vetëm që nuk arrestohen por as nuk merren në pyetje.
Endira Bushati
Suela Musta, si viktima model e këtyre 30 viteve…Suela Musta, sot është në burg… Informacionet e para flasin për një licencë kabllori të dhënë Çapjave në 2017….
Profesioni nuk më lejon të flas pa u njohur me dosjen….
Por, di që:
1. Licencat jepen me shumicë votash të Bordit prej 7 anëtarësh të AMAs!
Atëherë, pse veç Suela???
2. Për kabllorin, nuk merret madje as licencë! Quhet autorizim, dhe mund ta marrë kushdo që plotëson një minimum dokumentacioni! Madje madje, për këtë autorizim, edhe nëse AMA nuk shprehet brenda 30 ditëve, autorizimi konsiderohet i marrë!
Atëherë, pse Suela??
3. Suela është e zgjedhur nga opozita në Bordin e AMA-s. Shpeshherë ka mbajtur qëndrime të forta kundër kryetarit të AMA-s Gentjan Sala, ish-drejtor të Digitalbit, duke kërkuar dhe shkarkimin e tij.
Pse vetëm Suela?
4. Suela ka votuar kundra dhënies së licencës kombëtare në kundërshtim me ligjin për Digitalbin dhe Klanin, kundër interesave personale dhe pro interesit publik!
Pse gjithmonë Suela?
5. Suela ka mbi 20 vjet gazetare, jeton një shtëpi “të Enverit” 50 m2. S’ka vilë as në Lalëz e as në Dhërmi!
Pse jo si shokët Suela?
6. Suela është vajza e Agim Mustës, intelektualit që vuajti 13 vite në burgjet komuniste. As drejtësi e as privilegje pas 90’…
Pse të vuajë veç Suela?
7. Suelën, e hoqi padrejtësisht nga puna, Ilir Meta Kryetar Parlamenti në dhjetor 2013. Të vetmen bijë të një të përndjekuri politik në administratën e Kuvendit.
Pse gjithmonë Suela?
8. Suelën e la në baltë dhe PD, kur votonte në mbrojtje të ligjit, kundër Klanit e Digitalbit. Pse gjithmonë Suela????Pse?