Nga Boldnews.al
Pas vitesh në pushtet, me një parti që e kontrollon në çdo qelizë të saj, kryeministri Edi Rama mbretëroi në Partinë Socialiste si askush më parë në këtë parti.
Ndërsa morri drejtimin e socialistëve në 2005, me një kongres me dy seanca, ku edhe lindi shprehja e famshme “1 pallat, 1 votë”, Rama nisi vendosjen e diktatit në PS herë duke shfrytëzuar përplasjet mes grupimeve dhe herë duke përdorur individë apo grupimeve kundër njëri-tjetrit.
Lëvizja e Mendimit Ndryshe, në vitet e drejtimit të PS nga Rama, mund të konsiderohet si fraksioni më i fortë në këtë parti, por që arriti të sfumohej përmes “kolonës së 5”.
Pasi theu rezistencën e 5 deputetëve, njëri prej të cilëve Ben Blushi, pasi largoi nga PS çdokënd që e etiketonte si “xhaketë të vjetër”, por që në gjuhën e socialistëve konsideroheshin progresistë, pasi ofroi ish-Mjaftistët e kthyer në 99-ça, dhe më pas u shkrinë me PS-në, të njëjtët që në 2004 me komandë të Edi Ramës protestonin dhe kërkonin rrëzimin e Fatos Nanos si kryeministër, Edi Rama shpalli Rilindjen.
Këtu nisi mbretërimin e PS-së përmes Rilindjes, ndërsa dy krahët e tij, që shërbenin edhe si “shpatat” për të sulmuar çdokënd ishin Erjon Veliaj, sot kryebashkiak i Tiranës, dhe Sajmir Tahiri, ministër i Brendshëm i parë i të rilindurve, sot nën hetim për bashkëpunimin me Habilajt.
Për një kohë të gjatë u ngrit tymnaja mbi pasardhësin politik të Ramës, ndërsa dukej se në garën e improvizuar ishin pikërisht ata që Rama i mbante në krah, njërin në të majtë dhe tjetrin në të djathtë, Tahiri dhe Veliajn.
Një lojë e krijuar me kujdes, aq sa bëhej e besueshme se shumë shpejt trashëgimia politike e Rilindjes do të kalonte nga kryeministri te njëri nga bashkëpunëtorët e tij, Rama përveç diktatit shtoi edhe arrogancën, ndërsa “gara” Veliaj-Tahiri tërhiqte vëmendjen.
Dhe si për ta bërë të besueshme këtë përplasje në garën imagjinare, disa mbështetës të Veliajt do të hapnin shampanjën ditën që Tahiri do të linte funksionin e ministrit të Brendshëm dhe kreut të PS-së për Tiranën.
Në skenë doli Fatmir Xhafaj, që bashkë me Gramoz Ruçin, Anastas Angjelin, Pandeli Majkon dhe Musa Ulqinin, ishin të paktët që i kishin shpëtuar përjashtimeve apo largimeve nga PS, ashtu sikundër ndodhi me Namik Doklen, Kastriot Islamin, Arta Daden, Arben Malajn, Andis Harasanin,Taulant Dedjen, Elmaz Sherifin, Makbule Çeçon, e shumë emra të tjerë që përbënin edhe kupolën e drejtimit të PS për vite me rradhë.
Xhafaj u kujdes që më shumë se 1 herë të pohonte se nuk kishte ambicie, se kishte një bashkëpunim të shkëlqyer me kryeministrin, se me të mbaruar detyrën do të kthehej në jetën normale duke paralajmëruar tërheqjen nga politika. Në fakt përvoja e gjatë politike, duke qenë edhe pjesë e prapaskenave në PS për vite me rradhë, por edhe një presion në rritje ndaj tij për shkak të së shkuarës së vëllait të tij, që sot vuan një dënim në Itali, apo akuzave si hetues i sistemit diktatorial, duke njohur edhe kryeministrin në shitjen që do i bënte në momentin e parë që do t´i rrezikohej karrigia, Xhafaj mendoi të bënte një tjetër lojë, atë të goditjes ndoshta të bashkëpunëtorëve të tij. Jo më kot gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm mediat raportonin për arrestime të bujshme, njëri prej të cilëve mund të ishte edhe Vangjush Dako, kryebashkiaku i Durrësit.
Por largimi i Xhafajt, pas një sherri që thuhet që pati në zyrën e tij me kryeministrin Edi Rama, u shoqërua edhe me një reformim të kabinetit qeveritar, të paktën në emrat përbërës.
Në skenë hynë skalioni i të heshturve, emra që vështirë që në një situatë normale politike mund të merrnin pozicione politike ministrore, aq më tepër kur nuk ishin të votuar.
Xhafaj do të zëvendësohej nga Sandër Lleshaj, që mbante pozicionin e këshilltarit për sigurinë, Ditmir Bushati në Ministrinë e Jashtme do të zevëndësohej nga Gent Cakaj, Arben Ahmetaj te ministria e Financave dhe Ekonomisë do të zëvendësohej nga Anila Denaj, Damian Gjiknuri te Inrastruktura dhe Energjia nga Belinda Balluku, Niko Peleshi te Bujqësia nga Bledi Çuçi, ndërsa kapakun e ndryshimeve do e mbyllte Erion Braçe që pas 28 vitesh angazhimi politik, e pa veten në postin e zv.kryeministrit.
Për ndryshimet në qeveri pati disa interpretime, përveç zyrtares që lidhet rëndon me impulset e reja që duhet të ketë një qeverisje.
Fillimishtu lexua si një përplasje mes dy kaheve, atë të Ramës dhe Erjon Veliajt, pavarësisht se të dy ndodhen në një varkë që ecën me një drejtim. Dhe në kuadrin e kësaj logjike, u raportua se të emëruarit e rinj ishin pjesë e grupimit të Veliajt që po merrte frenat. Në fakt të gjithë emrat me ndonjë përjashtim, jo vetëm janë të bindur, por janë përzgjedhur me kujdes nga kryeministri.
Dhe kur kanë kaluar muaj nga ndryshimi i qeverisë, duket se e gjithë ajo që u konsiderua si tronditje apo reformim i thellë, u bë thjesht dhe vetëm për të nxjerrë jashtë lojës, Xhafajn dhe Bushatin.
Këta të dy, për shkak të pozicioneve që kishin, dukej se kishin instaluar lidhje të forta me ndërkombëtarët, qofshin përfaqësi të tyre në Tiranë, qofshin edhe në kancelaritë e tyre në vendet përkatëse. Duket se kjo e ka shqetësuar Ramën që ndërmorri vendimin e largimit të tyre, duke e shoqëruar këtë edhe me heqjen e disa ministrave të tjerë. Gjithsesi sot të vetmit që duket se kanë mbetur në hije janë vetëm Xhafaj dhe Bushati.
Ahmetaj drejton një komision parlamentar, ashtu si edhe Mimi Kodheli, Gjiknuri drejton Sekretariatin e Reformës Zgjedhore, Peleshi vijon drejtues politik në qarkun e Korçës, ndërsa Senida Mesi duket se ka marrë drejtimin politik të qarkut të Shkodrës, pavarësisht se i deleguar ka mbetur Ditmir Bushati.
Me zhvillimet e fundit politike, ku Rama duket i vendosur të shkojë drejt 30 qershorit dhe të bëjë zgjedhjet pa praninë e opozitës, ndërkohë që kjo e fundit ka deklaruar se nuk do të ketë proçes, më tepër sesa një dëshirë apo bindje e kryeministrit për të respektuar Kushtetutën, është presioni që po ushtrohet ndaj tij, nga opozita, ndërkombëtarët, por edhe nga vetë individë apo klane në PS.
Duket se Rama nuk është në gjendje qëtë ndalë sot atë që po ndodh me Rilindjen, ku pas 6 vjetësh, ai rrezikon të çojë PS në ndarjen e dytë, pas asaj të vitit 2004, kur u themelua LSI.Dhe në këtë kuadër ndoshta ai po mundohet të marrë pushtetin e plotë mbi bashkitë, duke tentuar kështu që njëkohësisht të kenë një kontroll më të madh dhe të zgjeruar mbi administratën, por edhe financat.
Bushati, Xhafaj, Dade, Malaj, por edhe emra të tjerë, ndoshta mund të përbëjnë bërthamën e një lëvizjeje që në fund të fundit, qoftë edhe me “bekimin” ndërkombëtar do të ndalojnë arrogancën e Rilindjes.
Kjo gjë i ndodhi socialistëve të Fatos Nanos 15 vjet më parë, kur Ilir Meta vendosi shkëputjen nga PS dhe krijimin e LSI-së, ndoshta në atë kohë edhe me “bekimin” e Edi Ramës që ishte kryebashkiaku i Tiranës.
Nesër mund t´i ngjasë Edi Ramës, që me bekimin ose jo të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, të provojë çarjen e PS-së. Dhe nëse ndodh interesante do të jetë se ku do të pozicionohet Erjon Veliaj, që karrierën e tij e nisi si Mjaftist, e avancoi me 99-çat, u kthye socialist dhe së fundmi është Rilindas.