Nga Boldnews.al
Shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, doli mesditën e së Premtes para medias për të mbajtur gjallë propagandën qeveritare, e cila, nën presionin e skandalit të përgjimeve të dosjes “339”, po mundohet të kanalizojë vëmendjen e opinionit tek “autori i nxjerrjes së sekretit hetimor”.
Prela tha se, “pasi dosja u dorëzua nga prokurori paraardhës (Besim Hajdarmataj) u konstatua se ishin mbi 600 CD me përgjime të pazbardhura”. Ajo tha gjithashtu se për shkak të kësaj situate, ajo angazhoi 2 prokurorë dhe 11 oficerë të Policisë Gjyqësore për të zbardhur materialin e përgjuar në kuadër të dosjes “339”.
Dhe, si rrjedhojë e angazhimit të saj “serioz”, tashmë një pjesë e të pandehurve kanë shkuar në gjykatë dhe një pjesë tjetër po përgatitet të shkojnë. Bëhet fjalë për personat e akuzuar për “trafik narkotikësh”.
Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me zyrtarët e lartë, të akuzuar për korrupsion dhe krime në fushën zgjedhore, të cilët janë përgjuar në kuadër të këtij procedimi penal, një pjesë e të cilave janë publikuar nga “VOA” dhe “Bild”.
Donika Prela e plotësoi detyrimin e saj publik. Qëllimi i saj i vetëm në deklaratën e lexuar para medias ishte “denigrimi” i vartësve të saj, pa dhënë asnjë përgjigje se përse dosja “339”, pjesa që u përket zyrtarëve, qëndron bllokuar prej shumë muajsh.
I vetmi justifikim i saj ishte fakti që numri i lartë i CD-ve të përgjimeve ishte i pazbardhur deri në Shtator 2018.
Por, pjesa propagandastike e Donika Prelës rrëzohet me një tjetër krahasim. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e drejtuar prej saj, po ndjek hetimet edhe për dosjen “184”. Në këtë dosje, sipas të dhënave që ka siguruar Partia Demokratike, rezultojnë zyrtarë shumë të lartë qeveritarë, të cilët u angazhuan për blerjen dhe tjetërsimin e votave në zgjedhjet lokale të Dibrës, në vitin 2016.
Partia Demokratike ka përmendur emra konkretë, të cilët rezultojnë në përgjimet e dosjes “184”. Sipas opozitës, në përgjimet e asaj dosjeje, gjenden bisedat e doktorit të Krimeve Mjedisore, Ulsi Manja, aktualisht kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Po ashtu, në përgjimet e dosjes “184”, sipas opozitës, gjenden edhe të tjerë personazhe të rëndësishëm qeveritarë dhe zyrtarë policorë.
Dosja “184” ka një numër të vogël CD me përgjime, krahasuar me dosjen “339”. Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, në një intervistë për emisionin “Open” në Top Channel pak javë më parë, deklaroi se “dosja 184 ka një numër të vogël CD me përgjime, krahasuar me dosjen 339”.
Në fakt, dosja “184” e zgjedhjeve të Dibrës ka rreth 20 CD me përgjime, një sasi lehtësisht e menaxhueshme nga prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore.
Këtë dosje, siç e përmendi Donika Prela, po e hetojnë dy prokurorët e dosjes “339”, së bashku me 11 oficerët e Policisë Gjyqësore. Madje, për të dëshmuar se ajo është e vendosur në përfundimin e hetimeve të këtyre dy dosjeve, Prela deklaroi se prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi i ka shmangur nga përfshirja në short për marrjen e dosjeve të tjera hetimore.
Pra, prokurorët e çështjes, të mbështetur nga 11 opgj, i kanë pasur të gjithë mundësitë që rreth 20 CD me përgjime të dosjes “184” t’i zbardhin brenda një jave. Por, mesa duket, fakti që në ato përgjime rezultojnë dr. Ulsiu, Gjiknuri e një numër i lartë deputetësh e zyrtarësh të tjerë të “Rilindjes”, i nxit prokurorët e drejtuar nga Donika Prela që të tregohen të “ngathët” për të zbuluar të vërtetën e masakrës zgjedhore që ka ndodhur në Dibër.