Nga Boldnews.al
Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, u paraqit para medias mesditën e së Premtes, në pozicionin e një mësueseje historie.
Ajo renditi kronologjinë e dosjes “339”, e cila fsheh në brendësi të saj provat e bashkëpunimit të maxhorancës socialiste me bandat kriminale gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.
Megjithatë, në fjalimin disa-minutësh, Prela nuk i dha asnjë përgjigje interesit të lartë publik për dosjen më të rëndësishme hetimore të viteve të fundit. Ajo foli disa gjëra të përgjithshme, ku fokusi kryesor ishte kritika dhe sulmet ndaj ish-prokurorëve të dosjes “339”.
Kushdo që e ndoqi daljen publike të Donika Prelës, e kuptoi qartësisht se qëllimi nuk ishte informimi i publikut për bllokimin e hetimeve. Ajo, në të njëjtën linjë me qeverinë, u shfaq para medias për të identifikuar “autorin” e publikimeve.
Pavarësisht se nuk e përmendi hapur fare, e gjitha fjala e Prelës linte të kuptohej se ajo konsideronte si “burim” të BILD-it paraardhësin e saj, Besim Hajdarmataj.
Të njëjtin emër që një ditë më parë, zv.kryeministri Erjon Braçe e përmendi në emisionin “Open” të Top Channel dhe të njëjtin emër që “altoparlantët” mediatike të qeverisë e përmendin në studio televizive.
Pra, Donika Prela doli për të folur për “dekonspiruesin” dhe jo për faktin se përse Vangjush Dako dhe të tjerë zyrtarë të lartë qeveritarë nuk janë ende nën përgjegjësi penale.
Por, edhe këtë mision, pra gjetjen e “armikut të brendshëm”, Donika Prela e përmbushi në mënyrën më të keqe të mundshme.
“Boldnews.al” po rendit disa fakte, të cilat dëshmojnë për paaftësinë e Donika Prelës për të shmangur përgjegjësinë mbi bllokimin e dosjes “339”.
1. Donika Prela deklaroi se, nga dhjetori 2016 deri në dhjetor 2017, pra, për rreth një vit, hetimi është drejtuar nga prokurori Anton Martini. Pikërisht, gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar edhe përgjimet e kryebashkiakut të Durrësit, Dako, me anëtarët e bandës Avdylaj.
Megjithatë, Prela u kujdes të theksonte se përgjimet e kësaj periudhe janë transkiptuar më vonë, në kohën kur dosjen e mori Besim Hajdarmataj. Pra, në mënyrë indirekte, Prela, në tentativën e saj për të goditur Hajdarmatajn, fillimisht goditi Anton Martinin.
2. Donika Prela tha që, në gusht 2018, prokurori Hajdarmataj regjistroi emrat e rreth 20 personave të dyshuar për trafik narkotikësh dhe korrupsion pasiv në zgjedhje.
Duke marrë poza triumfatoreje, ajo deklaroi se vetëm 20 ditë pasi Hajdarmataj u largua në Pogradec, dy prokurorët e rinj të dosjes, Dritan Prenci dhe Vladimir Mara, nën drejtimin e saj, arrestuan 44 persona. Në këtë mënyrë, ajo la të kuptohej se dosja ishte mbajtur pa veprime hetimore nga Hajdarmataj.
E. në fakt, në Tetor 2018 u arrestuan 44 persona, për trafik narkotikësh. Por, Donika Prela nuk dha asnjë detaj se ku “humbën” personat e dyshuar për “korrupsion pasiv” dhe “ndërhyrje në zgjedhje.
3. Donika Prela deklaroi se “Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarja e transkripteve, për këtë vepër penale sa kohë që element të sajë janë konstatuar të ndërthurura me subjekte të përgjuar për veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.
Për një moment, e konsiderojmë të vërtetë këtë deklaratë e Prelës. Atëherë pyetja që pason këtë qëndrim është: “kur hetimi nuk ndahet, përse një pjesë e të pandehurve të dosjes “339” ka shkuar në gjykim dhe një pjesë tjetër, të gjithë të akuzuar për trafik narkotikësh, pritet të shkojnë së shpejti në gjykim.
Dhe, pyetja më thelbësore është: Përse në të gjithë këtë mori të pandehurish, nuk është përgatitur asnjë dosje për gjyq, për vepra penale kundër korrupsionit?
4. Deklarata e Donika Prelës se hetimi është i pandashëm, nuk qëndron. Me qindra hetime të natyrave të ndryshme janë veçuar dhe vijojnë të veçohen nga njëri-tjetri. Veçimin e parashikon shprehimisht Kodi i Procedurës Penale, duke parashikuar edhe rastet se kur vendoset diçka e tillë.
Por, për Vangjush Dakon dhe zyrtarët e tjerë të maxhorancës, Donika Prela deklaron se “nuk mund të veçohen”.
5. Donika Prela deklaroi se pjesa më e madhe e CD-ve të përgjimit janë të patranskiptuara. Atëherë, si është përfunduar hetimi për pjesën e trafikimit, kur përgjimet ende nuk janë transkiptuar të gjitha?
Në ato CD të pazbardhura mund të ketë elementë shumë të rëndësishëm dhe rëndues për pozitat e organizatës kriminale. Por, siç duket, për prokurorët e çështjes, e sidomos për Donika Prelën, ka qenë me përparësi dërgimi në gjyq të trafikantëve, pa u dëgjuar e transkiptuar më parë të gjitha përgjimet.
Arsyeja e këtij nguti nga Donika Prela dhe vartësit e saj për të dërguar dosjen “339” në gjyq pa u hapur të gjithë përgjimet, vetëm mund të aludohet në këtë moment- A mos vallë, qëllimi ka qenë “varrosja” përgjithnjë e atyre përgjimeve që rrezikojnë seriozisht Dakon dhe shumë zyrtarë të tjerë të maxhorancës socialiste?
Përgjigja për pikëpyetjet nuk mund të jepet nga Donika Prela. Ajo doli para medias vetëm për të folur me gjuhën e maxhorancës, për të shfokusuar vëmendjen e opinionit tek “publikuesi” dhe jo tek hetimi.