Nga Ilir Kalemaj
Ka disa teknika negociatore që palët përdorin për të demonstruar fuqi mbi kundërshtarin politik ose të krijojnë avantazh paraprak me të përpara se të ulen për diskutime apo bisedime. Rama, i orientuar nga sondazhet që nuk i japin shpresë për ruajtjen e pushtetit në rast zgjedhjesh të parakohshme për shkak të numrave por edhe frymës që ka krijuar opozita, mundohet të përdorë disa nga këto teknika për të fituar kohë, çoroditur apo përçarë kundërshtarin dhe mobilizojë mbështetësit e vetë.
Së pari, nëpërmjet letrave të hapura të ftesës për dialog Rama ndjek strategjinë që në literaturë njihet si “ngjyrimi i zgjidhjeve”. Me fjalë të tjera, i ofron kundërshtarit në dukje disa opsione, por që në fakt asnjë prej tyre nuk qëndron në praktikë se premisa është kyekëput kundër dialogut, pra duke e detyruar palën përballë të heqë dorë në mënyrë absolute nga të gjitha kërkesat që ka përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë që parakusht i çdo kompromisi politik është të pranohen minimalisht disa nga kërkesat paraprake të palës kundërshtare ose të vihet theksi te cfarë dëshirojnë palët të arrijnë si objektiv final dhe më pas të eksplorohen shtigjet që të çojnë në bisedime dhe rezultate konkrete.
Së dyti, Rama përpiqet të adoptojë teknikën tjetër “detyroje palën rezistuese”, duke i zëvendësuar mandatet opozitës pa pritur të thahej boja e dorëheqjeve, brenda 24 orëve, në mënyrë që ta kapitullonte pa kushte dhe ta detyrojë të ulet dhe të pranojë Ramën kryeministër në cdo formulë negociatore.
Së treti, në mënyrë konstante ka dëshmuar që “ndryshon rregullat e lojës”. Duke pasur vetë edhe gurin, edhe arrën, pra edhe pushtetin, por tashmë edhe mekanizmat shtetëroë, por duke kontrolluar në masë të madhe ehde mediat dhe shoqërinë civile, Rama i lë pak vend për manovrim kundërshtarit duke u përpjekur ta vërë me shpatulla pas murit dhe ta detyrojë të kapitullojë përballë kërkesave radikale të tij. Pra të hyjë në një palë zgjedhje të kontrolluara që e sigurtë i japin “gjithë pushtetet Sovjetëve”.
Së katërti, Rama po ndjek rigorozisht formulën e “opsioneve të reduktuara”. Duke i prezantuar opsione gjithnjë e më të pafavorshme opozitës me kalimin e ditëve, ndërkohë që i dogji të gjitha afatet ndërsa këmbëngul te data e zgjedhjeve si e shkruar në gurë, ndërkohë që nuk është e sanksionuar në Kushtetutë sic deklaron Rama, por në Kodin Zgjedhor, e detyron opozitën sipas kësaj strategjie të pranojë të ulet me të dhe të arrijë një marrëveshje thellësisht të pavaforshme. Kjo me pretekstin se nëse ditët kalojnë, për opozitën gjërat do bëhen edhe më keq.
Së pesti, nëpërmjet taktikës “së të dobëtit në buzë të shkëmbit”, i’a nxin opozitës të gjitha opsionet e mundshme, me përjashtim të asaj që i ofron vetë në pjatë. Pra ofertë minimaliste që garanton qëndrimin e Ramës në pushtet, përcarjen e opozitës, fitoren spektakolare të tij në zgjedhjet lokale përgatitjet për të cilat i ka filluar qysh një vit më parë dhe “kastrimin” përfundimtar të opozitës. Duke i shitur si opsioni i fundit i ngelur dhe duke i veshur me gjuhë abstrakte si ftesë për dialog. Aty ku dialogu është absolutisht i pamundur.
Së gjashti, ndëpërmjet teknikave diversioniste mundohet të përcajë dhe të sundojë dhe ta bëj partinë demokratike si “pjesmarrëse në krim” nëse arrin ta shkëpusë nga blloku opozitar me një ftesë të pasinqertë që mund të kthehet në një premtim të rremë për bashkëqeverisje në të ardhmen.
Së fundmi, nëpërmjet taktikave të tjera përçarëse, duke mobilizuar dhe një pjesë të faktorit ndërkombëtar, mundohet ta vërë opozitën mes dy zjarreve dhe ta detyrojë të veprojë në mënyrë instinktive dhe t’i kapitullojë kërkesave të tij në mënyrë që në tryezën e diskutimeve të dalë maksimalisht i fituar, nëse do arrinte ta ulte palën tjetër në tryezë. Kësaj i shërbejnë dhe tam tamet e parakohshme për rekomandimin e përsëritur të KE-së ndërkohë që gjasat janë që negociatat me Shqipërinë ose mos të hapen fare, ose në rastin më të mirë të shtyhen për në tetor sipas të gjitha indicieve të besueshme.
A do arrijë Rama nëpërmjet këtyre skemave taktike të arrijë të përcajë opozitë, mbjell diversion, mobilizojë radhët e veta dhe legjitimojë pushtetin fasadë si parti-shtet me opozitë të klonuar përballë? Apo janë thjesht teknika për të ulur palën tjetër nga kërkesat maksimaliste dhe përgatitur një ulje të beftë në tryezë negociatash me shpresë së do arrijë të ruajë përkohësisht karrigen e kryeministrit? Dobësia e tij kryesore është që nuk lëshon pushtet, as përkohësisht, pavarësisht formulës së hershme socialiste (të kohës së Nanos), që “lëshojmë pushtet për të bërë shtet”. Ajo që Rama e sheh si pikën e tij më të fortë, qëndrimin jetëgjatë në krye të piramidës së pushtetit, me shumë mundësi do jetë dhe bumerangu i tij politik. Por kjo strategji dhe levizje taktike të tij të mirëstudiuara varen asbolutisht nga aftësitë e palës tjetër për të qëndruar kohezivë, të palëkundur dhe të qartë në kërkesat që artikulojnë. E mira do ishte që opozita të ofronte jo vetëm kontestim, por edhe alternativë. E prezantuar nga ekip përfaqësues dhe njerëz të besueshëm për opinionin publik. Gara është me kohën dhe koha do favorizojë më të denjin.