-Takimi ishte konceptuar më shumë si një festë për të kuqtë, pasi rezultati ishte në plan të dytë. Tribuna A ishte e gjitha e rezervuar për ishlojtarë dhe trajnerë, por edhe për familjet e tyre. Rraman Hallaçin e larguan para disa ditësh nga Kukësi, por Partizani e kishte nderuar ishmbrojtësin te tribuna e ish-ëve. Në këtë tribunë ishin edhe familjarët e lojtarëve të skuadrës aktuale, ku pas një mungese të gjatë në stadium, ishte prezent edhe këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e dashura e kapitenit të kuq, Alban Hoxha.
-Fëmijët mbizotëronin në çdo tribunë, pasi kjo ishte një mundësi e mirë për ata që ta përjetonin titullin kamion që mungonte prej 26 viteve. Fëmijët e futbollistëve, apo edhe nipër e mbesa të tyre mbipopulluan fushën dhe tribunat. Një surprizë e veçantë ishte për trajnerin Skënder Gega. Nga Amerika, familja e tij kishte udhëtuar për të qenë pranë njeriut të tyre të dashur në një ditë historike për trajnerin e Partizanit. Në fushë, teksa ekipi kryente stërvitjen, Gega kishte marrë edhe nipin e tij, për të ndjekur lojtarët. Në një moment, nipi u ul bashkë me Gegën, edhe në stolin e Partizanit, ku ngjante si “ndihmësi” i tij.
– Një tjetër moment interesant ishte edhe procesverbali i takimit, ku shënoheshin titullarët për të dyja ekipet, si dhe zyrtarët e ndeshjes. Në fletën e protokollit të shpërndarë për mediat ishte një “provokim”, ku në vend të Partizani-Kukësi, ishte shënuar KampionëtKukësi.
– Në tribunën e ish-ëve ishin vendosur edhe dy ekipet e volejbollit, meshkuj dhe ferma, që gjithashtu janë shpallur kampionë këtë sezon. Pa dyshim ky ka qenë viti i të kuqve dhe në pushim të ndeshjes, kampionët në volejboll për femra dhe meshkuj kanë hyrë në fushë dhe me trofe në duar kanë parakaluar dhe janë përshëndetur me tifozët.
-Ekipi i Kukësit ka hyrë i pari në fushë dhe në kolonë për një ata kanë respektuar kampionët e rinj të Partizanit.
– Tifozët e Partizanit shpalosën një koreografi fantastike në startin e sfidës ndaj Kukësit. Koreografia e “Ultras Guerrils” është një rapsod malësor që me lahutë i këndon legjendës së futbollit shqiptar, Partizanit, teksa sheh skuadrën që feston një gol të shënuar përballë tribunës përkarshi të stadiumit. Eposi i Legjendës quhet koreografia e frymëzuar nga Eposi i Kreshnikëve, me Partizanin që njëjtë si Muji u bë aq i fortë, sa t’i dominojë të gjithë rivalët.
-Terreni i stadiumit ishte në një gjendje jo të mirë, duke mos qenë i përshtatshëm për të dyja ekipet, pasi ishte i fortë dhe topi kërciste. Në gjendjen e fushës kishte ndikuar edhe stërvitja e Tiranës, që në tri ditët e fundit ishte përgatitur në stadium.
-Për tifozët e Partizanit kjo ishte një ditë festive, por sërish ata nuk arritën që ta mbushin stadiumin, duke treguar se kanë firuar shumë në sezonet e fundit. Nga tribuna qendrore, gjatë pjesës së parë një tifoz i drejtohet ishlojtarit të kuq, Ilir Shulku, tani sekretar i përgjithshëm i FSHF-së: “O Ilir Shulku, na ruaj kupën se po na e vjedhin këta të Tiranës”.
-Për Partizanin dhe futbollin shqiptar ishte dita e dorëzimit të trofeut të titullit kampion, por nuk munguan detajet për të treguar nivelin e impianteve që kemi. Në pushim të ndeshjes, është nevojitur që në pistën e stadiumit të vendoset një zorrë uji, e cila kalonte në tarracën e tribunës qendrore, në mënyrë që të mbusheshin depozitat e ujit. Tubi i ujit mbeti aty gjatë gjithë pjesës së dytë.
-Mbipopullimi në tribunën VIP dhe qendrore, ku hyrja ishte falas, ishte i madh. Madje, në pushim të ndeshjes, në tribunën e gazetarëve u akomoduan edhe dy lojtarë të Kombëtares, Ergys Kaçe dhe Eros Grezda.
– Në minutën e 60-të tribuna përkarshi skuqet nga tymi i kuq i hedhur nga “Ultras Guerrils”.
-Shfaqja nuk mungoi edhe nga ajri me protagonistë dy parashutistë. Njëra balonë ishte me emrin e Partizanit dhe tjera me flamurin kuqezi, duke simbolizuar Partizanin kampion të Shqipërisë. Madje në një moment, portieri Alban Hoxha e përshëndeti me dorë njërin nga parashutistët, që po fluturonte shumë ulët.
-Jurgen Bardhi nuk luajti dje për shkak të një lëndimi, por ai gjatë gjithë kohës ka qenë në humor, madje duke ngacmuar edhe lojtarët që ishin në fushë. Shënjestra e Bardhit ishte Mensah, i cili në minutën e 90-të, ku po pinte ujë pranë vijës anësore, i derdh shishen sulmuesit. Ngacmimi mes tyre, si dy “fëmijë” të lumtur, ka vijuar edhe pas ndeshjes në fushë.
– Protagonistët e kuq kanë kaluar në apel në tapetin e kuq dhe medaljet e kampionëve i dorëzuan presidenti i FSHFsë Armand Duka dhe sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku. Pas ngritjes së kupës, në fushë shpërtheu spektakli.
– Ishte menduar që tifozët të mos hynin në fushë pas ceremonisë, por ishte e pamundur që të ndalej furia e kuqe. Në këtë mënyrë, në fushë dhe në ambientet e brendshme ishte një kaos i vërtetë, pasi të shumta ishin kërkesat për uniforma dhe foto me trofeun. Drejtori Olsi Rama ishte kujdestari kryesor i kupës, pasi trofeu gjatë gjithë kohës ka qenë nën monitorimin e tij dhe fotot bëheshin duke marrë leje tek ai.
– Festa e përgatitur në sheshin “Nënë Tereza” ishte planifikuar të niste në orën 19:30, por në atë moment vijonte beteja në stadium për foto me kupën. Kështu që festa ka nisur me vonesë. Skena ishte konceptuar si një stadium, ku në mes ishte një pasarelë ku parakaluan triumfuesit, për të cilët ishte vënë një podium i posaçëm në shkallët hyrëse të godinës së Universitetit Politeknik.
– Festa nisi fillimisht me programin artistik dhe rreth orës 21:30 mbërriti në shesh edhe autobusi me kampionët e rinj. Përpara presidencës dhe Pallatit të Kongreseve u krijua një korridor me tifozë, ku në momentin që po kalonte autobusi, ata ndezën flakadanët. Protagonistët u pritën si heronj dhe njëri pas tjetrit kaluan në pasarelë, ku nuk munguan edhe disa mesazhe të shkurta, apo thirrje për të rritur adrenalinën te tifozët e pranishëm në shesh. Pas fishekzjarrëve dhe pozicionimit të kampionëve në tribunën e nderit, u shpalos edhe uniforma gjigante me numër 16 e Partizanit në fasadën e godinës së universitetit. Gjithçka u mbyll me hapjen e shampanjës.
-Ultrasit e kuq kanë qenë ata që e kanë mbajtur festën ndezur edhe në sheshin “Nënë Tereza”, pasi edhe këtu dashamirësit e Partizanit nuk ishin sipas pritshmërive.
-Artistët e përzgjedhur për festën e titullit ishin nga të gjitha trevat shqiptare, duke shkuar në sinkron edhe me grupin e futbollistëve. Pra, ishte një festë me ngjyra mbarëkombëtare, ku edhe artistët ishin zgjedhur si dashamirës të kuq.
-Pas festës në shesh, gëzimi i të kuqve ka kalura në lokalet e kryeqytetit. Gëzimit të “demave” i është bashkuar gjatë mbrëmjes edhe sulmuesi i Tiranës, Majkëll Ngo, i cili në profilin e tij ka postur një foto bashkë me Jasir Asanin.