Nga Flutura Açka
Sikur Arba Kokalari ta shihte korin e duartrokitësve politikë
Shqiptarët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të krenohen për bijën e tyre, Arba Kokalarin. Por entuziazmi i tepruar, nuk na shkon aq shumë, veçmas po të shqyrtosh hollë sikur kjo vajzë fantastike të ishte mes nesh.
T’i themi gjërat siç janë, miqtë e mi, ne do ta kishim “shqyer” Arbën, do ta kishim, cunguar, do ta kishim asfiksuar. Po të ishte ekonomiste, edhe sikur këshilltare e ekonomisë të qe, ne do ta kishim hedhur në një cep, do ta kishim bërë një zyrtare të rëndomtë, sepse për këshillat e saj cili ministër do të qe duke pritur?
Po të ishte mësuese, një drejtor idiot shkolle do ta thërriste një ditë në zyrën e tij me suva të rënë dhe do ta pyeste se cilën parti simpatizonte?
Kur ajo t’i thoshte se nuk simpatizonte asnjërën dhe nuk mbante anë, ai do të këmbëngulte se ajo duhet me patjetër të mbante anë, ç’ishte kjo mësuese pa anë kështu, do të habitej drejtori partiak.
Po të ishte mjeke, Arba jonë e dashur do të skuqej nga turpi kur t’i afrohej pacientit të saj dhe t’i thoste se në farmacinë e spitalit mundonte aksh medikament, dhe se, edhe pse veshjet e tij i rrëfenin se sa i varfër qe, ajo prapë do të këmbëngulte se ai duhet ta blente diku jashtë, mu te farmacia përballë, që një Zot e dinte se si e kishte atë medikament që i mungonte spitaleve shqiptare.
Sikur Arba të qe politikane, aq e hijshme që është, siç janë gratë shqiptare në përgjithësi, qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie, gjëja e parë që do të ndeshte ishte “të lypurit” e paturp, ose të rafinuar, e më pas të shihte fotot e saj nëpër tabloide se si ishte veshur atë ditë enjte kur të hynte në parlament (ditë feste kombëtare tani), a thua se Arba ishte në ndonjë pasarelë. Askush nuk do të merrej me mendjen brilante të Arbës, me idetë e saj politike, që mund të ndikonin në fatin e këtij populli, të cilit mendja vetëm i ikën dhe i ikën përditë nga sytë këmbët. Tani ka filluar t’i ikë edhe trupi.
E vetmja gjë që po i mbet janë “të paturpshmit” dhe ngrehinat e fshatrat me mure të lartë e derë të mbyllur, ku fshehin luksin më së shumti hajdutët me pushtet (që u bënë të mbipasur për tridhjetë vjet), fshatra që nuk i gjen kund në Europë (edhe pse atje ka të pasur në mbi treqind vjet).
Sikur Arba të qe këtu, do të kërkonte së pari një gjë fare të thjeshtë: një ndjesë të thellë për kalvarin e Musine Kokalarit, por nuk do ta merrte kurrë. Sikur Arba të qe këtu, do ta shihte se si hapen çdo ditë faqet e para të gazetave me intervista të eksponentëve të diktaturës, se si krekoset dhe trash zërin ish-ministri i diktaturës si folës parlamenti, se si përfaqësuesi më i lartë i popullit i sheh ditën për diell hajdutët që i rriti vetë me frymën e tij puniste se si e rrjepin popullin, dhe i duartroket dhe i mbron dhe i voton dhe i promovon me qejfin e madh se i kanë derdhur edhe atij ca nga rinia e tyre. Sikur Arba të shihte se si është katandisur shteti, se si u hidhet gaz qytetarëve nëpër shtëpira dhe fëmijët helmohen në pikë të mëngjesit dhe një zonjëzë e quajtur Avokate e Popullit as e di që i është hemuar populli, dhe as ka hapur ndonjë çështje për këtë çështje.
E të shihte pastaj se si nuk ka as gjykatë, as institucione, një ministri rendi që i bijnë ministrat si rrënjë kanabisi në fund zezoni, se çfarë shteti gargarel është, ku një pjesë e Opozitës është edhe Presidencë, edhe “pak” qeveri, edhe Opozitë. Se si Opozita shan përditë me të drejtë Kryeministrin, por nuk thotë asnjë fjalë për kryeministrat në tentative, që e kanë bërë kryeqytetin shqiptare dhe gjithë Shqipërinë të pajetueshme.
Sikur Arba ta shihte se në teatër nuk shkon dot, se e kanë kyçur, se në kinema nuk shkon dot se ka vetëm filma aksion, që të shiten kartat dhe dekoderat e miqve, sikur të shihte katandinë e Televizionit Publik Shqiptar se si ha si lubi paratë e shqiparëve dhe jep vetëm programe mediokre, që të mund të shiten programet e privatëve, apo të kërkonte ta nxirrte fëmijën poshtë pallatit, nuk do të mundte dot, sepse çdo shesh të vogël e të madh e ka zënë një pallat i ri që ua zë zytë përditë shqiptarëve, dhe sikur të gjendej në trafikun e Tiranës do t’i dilte shpirti duke u vërtitur pafund nëpër të, nëpër trafik që askush, por askush deri tani, nuk e ka llogaritur se sa kohë, energji, para, humbim çdo ditë shqiptarët, vetëm prej kapriçiove të krerëve të krekosur rajonalë.
Le pastaj të dilte te sheshi që na bën aq krenar me çmimet ndërkombëtare, që nuk ka asnjë dritë të vetme natën dhe asnjë hije ditën nën diellin mesdhetar.
Kur Arba të vijë në Shqipëri, do të bëjë mirë t’i shmangë sa më shumë politkanët shqiptarë, të cilët prej saj do të duan vetëm një foto, të mbjellë një pemë, a të pranojë një dekoratë, për arsye se ajo na e kanë ndritur emrin e Shqipërisë (pavarësisht se jo prej ndihmës sonë bujare), kur Arba të ulet në Parlamentit Europian, të mendojë për shqiptarin e thjeshtë, i cili është shumë, por shumë më shumë europian se politika e tij. Shembulli është Arba vetë.