Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ngritjes së trofeut, teksa festa e të kuqve po vijon në Sheshin “Nënë Tereza”.
Si e shikoni të ardhmen te Partizani?
Nëse më lejohet të pyes, pse vihet në dyshim e ardhmja ime te Partizani?
Ndoshta mund të ketë edhe oferta më të mira për ju?
Ju falënderoj të gjithëve që na keni ndjekur gjithë sezonin dhe na keni kritikuar e vlerësuar gjithmonë në mënyrën e mirë të fjalës. Unë jam trajner i Partizanit dhe kam një kontratë me këtë klub, të cilën jam i predispozuar që ta respektoj deri në fund. Kemi bërë një sezon mjaft të mirë, që e konkretizuam me titullin kampion, ndaj besoj se duhet të mendojmë për të punuar më shumë, për pjesën në vijim.
Jemi në fund të kampionatit. Ju sikletosin lojtarët që do largohen, apo emrat që duhet të përzgjidhni për të ardhmen?
Normalisht ka lojtarë që nuk e kanë gjetur veten në një familje dhe merkatoja është u shërben të gjithëve për të gjetur më të mirën. Unë do të doja që t’i mbaja të gjithë, por duhen parë edhe interesat e klubit. Dikush mund të largohet, por ndoshta do t’i shkojë edhe më mirë, ndërsa ne duhet të mendojmë me kujdes edhe për afrimet, pasi na presin garat europiane, por edhe sezoni tjetër, që pa diskutim do të jetë edhe më i vështirë.
Të ka shijuar më shumë medalja sot, apo ajo e fituar në 1987-ën?
1987-a ka qenë shumë kohë më përpara, ku kam qenë vetëm 24 vjeç, ndonëse e mbaj mend mjaft mirë. Unë do të thosha që më ka shijuar më shumë fitorja në derbi, kur siguruam trofeun. Kam qenë gjithmonë i emocionuar, edhe sot ndaj Kukësit, ndaj të cilit doja të fitonim, por nuk ia dolëm. Shumë shpejt do të kalojë kjo atmosferë festive dhe do të fillojmë të mendojmë për garat në të ardhmen. Duam të përmirësohemi edhe në sjelljen tonë karshi medias, arbitrave, kundërshtarëve dhe kujtdo, për të përçuar mesazhin më të mirë nëpërmjet këtij sporti.
Keni pasur ndonjë ndërhyrje gjatë këtij sezoni, për të favorizuar ndonjë individ të veçantë?
Për asnjë moment nuk kam pasur ndërhyrje dhe për fat të mirë kjo më ka ndihmuar shumë. Presidenti Demi dhe drejtori Olsi Rama kanë respektuar gjithsecili pozicionet e veta, duke bërë që të funksionojmë ashtu siç duhet. Kemi bërë biseda në tavolinë, por në kuadrin e sugjerimeve miqësore, pasi në asnjë moment nuk janë diskutuar vendimet e mia gjatë sezonit. Kemi qenë të drejtë me të gjithë, duke u dhënë atë që meritojnë dhe në këtë mënyrë forcuam grupin, duke arritur të shpalleshim kampionë.
Kush ka qenë periudha më e keqe e Partizanit?
Kemi pasur momente të vështira, veçanërisht pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, ndaj Luftëtarit, por i gjetëm forcat për të reaguar në mënyrën e duhur dhe për të arritur qëllimin tonë.