Ish-drejtori i Kufirit, specialist për çështjet e sigurisë, Pëllumb Nako, tregon pikat e dobëta të marrëveshjes që shteti shqiptar ka nënshkruar me Frontex-in dhe që pritet të inaugurohet sot në Tiranë.
Në një intervistë për “Panorama”, Nako shprehet se mungesa e një marrëveshjeje me Greqinë për ripranimin e emigrantëve që vijnë nga vendi fqinj, rrezikon t’i grumbullojë ata në territorin tonë dhe të fillojnë procedurat e azilit me shpresë për të kaluar më vonë në vendet e BE-së.
Autoritetet e vendit tonë kanë njoftuar se ditën e sotme, më 21 maj, do të inaugurohet fillimi i operacionit të përbashkët ndërmjet Policisë Kufitare Shqiptare dhe FRONTEX-it, çdo të thotë kjo për vendin tonë?
Mendoj se do të ishte e dobishme që si fillim publiku i gjerë të informohej se FRONTEX (Frontières Extérieures- Kufijtë e Jashtëm) është një nga agjencitë e sigurisë së Bashkimit Europian, me detyrë ruajtjen e kufijve të jashtëm të vendeve të hapësirës Shengen si dhe menaxhimin e flukseve migratore jo të rregullta që synojnë vendet e hapësirës. Agjencia është e specializuar në analizën e informacionit dhe të rrisqeve migratore të parregullta në mbështetje të rojave kufitare të vendeve, ku shtrihen kufijtë e jashtëm evropianë si dhe koordinimin e tyre në mënyrë të përqendruar në menaxhim krizash migratore në tokë dhe në det.
Bashkëpunimi i Frontex-it me Policinë shqiptare është i hershëm. Fillimisht, ai u materializua në marrëveshjen teknike ndërmjet dy institucioneve që në vitin 2009. Kurse marrëveshja e re, e cila po vihet në punë këto ditë, ka një dimension të ri. Dimension i cili është pasojë direkte e ndryshimit të njërit prej komponentëve të strategjisë së Bashkimit Europian për sigurinë. Ajo ka filluar të rindërtohet pas flukseve migratore masive me prejardhje nga Afrika e Veriut dhe Azia, jo shumë vite më parë. Flukse këto që tronditën vetë ekzistencën e Bashkimit Europian.
Nëpërmjet një marrëveshjeje të tillë, Komisioni Europian po krijon kushtet ligjore për futjen e forcave policore europiane, nën siglën e Frontex-it, brenda territorit të vendeve fqinjë. Si në rastin konkret, vendi ynë. Madje, jo vetëm me atribute ndihme e asistence, por edhe me detyra ekzekutive. Sipas termave të marrëveshjes, për herë të parë, forcave policore europiane u duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë territorit të Bashkimit Europian, duke vepruar mbi territorin e një vendi sovran, jo anëtar i BE-së. Për këtë arsye, ndryshe nga marrëveshja e parë, kjo e dyta, kaloi si në Parlamentin e vendit tonë edhe në atë europian.
Çka shpjegon edhe praninë e Komisionerit Avramopulos, si në fillimin e tratativave për të, edhe në ceremoninë e implementimit. Që të jetë akoma më e kuptueshme për publikun e gjerë, Frontex-i do të veprojë në Shqipëri njëlloj si Guardia di Finanzia italiane në ujërat tona territoriale nga viti 1997 deri më sot. Atë që bëri Italia, vite më parë, sot po e bëjnë të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Pra, të garantojë bllokimin në vend të flukseve migratore që burojnë nga vendi ynë ose tranzitojnë nëpërmjet territorit të tij.
Vetë marrëveshja dhe vënia e saj në punë u cilësuan nga autoritetet tona si sukses dhe si një arritje për vendin tonë. Vendi ynë është i pari që realizon një marrëveshje të tillë me Bashkimin Europian. Si i komentoni ju këto fakte?
Kam përshtypjen së mbarë opinioni ynë publik e ka ende të freskët panoramën e disa viteve më parë kur vendet e Bashkimit Europian demonstruan debate të ashpra brenda tyre lidhur me trajtimin e flukseve migratore që po vërshonin nga zona të nxehta, sidomos nga Siria. Pati vende që madje vendosën në kufijtë e tyre nacionalë tela e gjemba për të penguar fluksin.
Në një kontekst, kur vetë vendet europiane kanë reflektuar thuajse ashpër kaq shumë kundërshti, për shkak të kompleksitetit të gjerë që paraqesin flukset masive migratore, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë nga autoritetet tona, do të duhej të ishte parë fillimisht nën optikën e interesit të vendit tonë, pastaj atë europian. Ku është interesi më i madh i Shqipërisë në raste fluksesh migratore që tranzitojnë nga territori i saj?
Patrullimi i përbashkët, krimi ndërkufitar, përzgjedhja për azil që përbëjnë objektivin e Frontex-it apo krahas tyre një marrëveshje për kthimin e emigrantëve që nuk plotësojnë kushtet për azil andej nga vijnë ose në vendin e origjinës dhe pa shumë kosto financiare? Sepse prania e policëve të Frontex-it në kufijtë e Shqipërisë nuk e zgjidh këtë problem madhor që paraqet imigracioni, i cili vjen nga Greqia dhe tranziton në territorin e vendit tonë. Nëse do t’i referoheshim suksesit të reklamuar, ai duket pak i vështirë për t’u konkretizuar se ku konsiston.
Ajo që po bën sot Komisioni Europian në kufijtë tanë tokësorë, e ka bërë dikur dhe vazhdon të bëjë Italia në det. Ndërkohë, disa aspekte të tjera janë jo fort në favor të termit sukses. Nëse dikur bashkëpunimi me Frontex-in garantohej nëpërmjet shkëmbimit të informacionit në distancë nga Tirana në Varshavë (ku ndodhet selia e agjencisë), me këtë marrëveshjeje agjencia sposton personel fizikisht në vendin tonë. Me detyrat ekzekutive që gëzon Frontex-i vërtet ndihmon e bashkëpunon, por mbi të gjitha kontrollon nga afër situatën.
Krijon bindjen duke i prekur vetë gjërat në terren. Pra, nuk do të bazohet më në raportimet e Policisë shqiptare si deri më sot. Ndaj dhe më shumë se bashkëpunim, kemi të bëjmë me një marrëdhënie “beso e kontrollo”, madje nga afër. Ky nuk është partneritet. Fakti që jemi të parët që vrapuam për ta vënë në jetë këtë marrëveshje, nuk është shenjë fitoreje. Sepse marrëveshja u është propozuar tashmë edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por asnjëri prej tyre nuk ka nxituar ta nënshkruajë, ta miratojë me kaq shpejtësi e për më tepër, ta vërë në punë me kaq pompozitet.
Më konkretisht, cili është problemi më madhor që cituat pak më sipër lidhur me migracionin, i cili tranziton në vendin tonë dhe ka prejardhjen nga Greqia?
Po në terma të përgjithshme, objektivi i Frontex-it këtu është pasja e një tabloje të plotë, reale lidhur me migracionin e parregullt që buron e tranziton nëpër vendin tonë. Dhe kjo gjë lidhet fort me kapjen, intervistimin dhe përzgjedhjen e emigrantëve në procesin e azilit, si dhe luftën kundër kontrabandimit të tyre. Po se ku do të venë dhe si do të jetë fati i tyre më pas, marrëveshja nuk parashikon asgjë. Pikërisht kjo është thembra e Akilit me aq shumë interes për ne.
Vendi ynë nuk është destinacion për këto flukse. Nëse kapen në kufi me Greqinë nga ku vijnë, emigrantët nuk do të pranohen mbrapsht nga shteti grek nëpërmjet një procedure të përshpejtuar, pa prova dhe pa formalitete. Këtë e di edhe Frontex-i, edhe autoritetet tona. Sepse Greqia nuk ka protokoll ripranimi me Shqipërinë për emigrantët e parregullt. Dhe ky është ngërç i madh. Frontex-i nuk e zgjidh dot. Për këtë aspekt, shteti grek merr parasysh vetëm marrëveshjen e bashkëpunimit policor të vitit 2000 me vendin tonë. Sipas saj, ky shtet i ripranon klandestinët vetëm nëpërmjet një procedure formale ripranimi, që zgjat deri në 6 muaj.
Dhe kjo jo e sigurt, nëse nuk ka prova të dokumentuara që emigrantët vijnë nga ky vend. Ndërkohë, ka shumë syresh që i grisin qëllimisht provat e qenies në Greqi. Ky fakt rrit tej mase kostot dhe rreziqet për palën tonë. Rreziqe të lidhura me ata imigrantë që nuk janë objekt azili dhe që Greqia nuk i ripranon. Ku do të venë? Po ashtu, vendi ynë nuk ka as marrëveshje e as shërbime konsullore në vendet prej nga vijnë emigrantët. Për rrjedhim, vështirësitë do të jenë edhe më të mëdha nëse autoriteteve tona do t’u duhet që emigrantët t’i rikthejë direkt në vendin e origjinës.
Vendosja e trupave europiane në kufi me Greqinë nuk zgjidh gjithashtu edhe problemin tjetër. Atë që emigrantët përdorin masivisht si mënyrë veprimi: kërkesa për azil. Pavarësisht se autoritetet tona nuk bëjnë zhurmë, por janë me qindra ata që kërkojnë azil e më pas largohen ilegalisht drejt veriut të vendit për të synuar destinacionin final, Europën Perëndimore.
Cila do të ishte zgjidhja, duke parashikuar problematikat që mund të lindin nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje?
Delegacioni Europian në Tiranë si dhe Komisioni duhet të ndërmjetësojnë me shtetin grek për nënshkrimin e protokollit të ripranimit me Shqipërinë. Po ashtu, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë duhet të financojë organizma të specializuara si IOM për mundësimin e rikthimit në vendin e origjinës të të gjithë emigrantëve që kërkojnë të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre. Madje, të stimulojnë këtë gjë nëpërmjet financimit të nxitjes për kthim vullnetar të atyre që nuk plotësojnë kushtet për azil. Këto probleme duheshin negociuar para nënshkrimit të marrëveshjes. Ndërkohë, lidhur me azilin, kush plotëson kushtet, të jetë i mirëpritur në Shqipëri. Edhe dimensioni humanitar nuk duhet harruar. Sidomos për vendin tonë, që i ka njohur kaq shumë këto fenomene të dhimbshme.