Trajneri i kampionëve të Partizanit, Skënder Gega, doli sot në konferencën e zakonshme në prag të ndeshjes ndaj Teutës. Tekniku i kuq zbuloi se në këtë përballje do të mundohet t’i jap më shumë minuta lojtarëve që s’kanë pasur hapësirat e duhura gjatë pjesës tjetër të sezonit. Gega foli gjithashtu edhe për harmoninë brenda skuadrës si dhe për të ardhmen.
A vazhdon festa te Partizani?
Çdo ditë po bëhet edhe më e vërtetë ajo që kemi arritur. Mbas ndeshjes derbi, ishim të emocionuar, mbas një pritje kaq të gjatë. Duket e pabesueshme, por sot jemi më të qetë, kemi filluar punën, siç ndodh në çdo zanat. Duhet të shikojmë për të ardhmen tani.
Në javët e mbetura do të ketë të njëjtën impenjim skuadra apo do t’iu jepet hapësirë lojtarëve më pak të aktivizuar?
Kemi plan që këtë javë, një pjesë të lojtarëve që ndoshta s’kanë pasur hapësirën e duhur, por që kanë qenë pjesë e Partizanit dhe kanë kontribuar edhe ata, besoj do aktivizohen. Impenjimi në stërvitje ka qenë nga të gjithë, përjashto Alban Hoxhën që ka pasur probleme shëndetësore.
Teuta pret një Partizan jo të pamotivuar, por të relaksuar…
Në futboll duhet relaksimi. Kur je nën presion është pjesa negative e medaljes. Në stërvitje po kënaqemi. Në Durrës do shkojmë të luajmë futboll, mos kemi presionin e titullit, e dështimit. Shkojmë përfaqësojmë Partizanin dhe të luajmë me dinjitet.
Shumë shpejt do ulemi me presidentin dhe drejtorin të shikojmë për një projekt të ri, pa zbehur vlerat e asnjë lojtari te Partizani. Edhe ata që nuk kanë pasur hapësirat e duhura, do shikojmë të jemi të kujdesshëm t’iu japim shansin, duke filluar edhe që nesër.
A janë këto 3 ndeshje vendimtare për të ardhmen e këtyre lojtarëve?
Jo nuk e përcaktojnë as 3 ndeshje dhe as 2 të ardhmen e lojtarëve. Thjesht është për të krijuar idenë dhe për t’iu dhënë atyre kënaqësinë për të luajtur. Në i kemi pasur gjithë vitin aty. Në qoftë se nuk kanë luajtur, tregon që ka pasur diferenca. Kualiteti është gjëja kryesore në futboll. Kanë pasur kualitet dhe kanë luajtur denjësisht. Ajo pjesë që ka luajtur më shumë, kanë treguar që kanë qenë të denjë.
Dëshironi që në fund të kampionatit të thelloni diferencën me vendin e dytë, për të vendosur dhe një rekord në futbollin shqiptar?
Kryesorja u arrit. Unë do kisha dëshira të kishim sa më shumë pikë. Do i marrim ndeshjet me radhë. Me zor presim të luajmë me Kukësin, do jemi pranë festës dhe ngritjes së trofeut. Do t’i marrim ndeshjet me radhë. Kështu duhet të funksionojë. Të bëjmë ata që kemi bërë gjithmonë.
A ka një lloj rënie të Bardhit në javët e fundit?
Ky ekip ka vlera dhe janë teknike. Filozofia jonë ka qenë tu gjejmë vendin e duhet dhe t’i marrim maksimumin. Keni parë edhe Trashin, që u shpall edhe lojtari i vitit, kishte mendime të ndryshme për pozicionin e tij. Në filozofinë time mendoja se bënte mbrojtësin. Mala nuk ka qenë kur kam ardhur unë sulmues krahu. Edhe për Bardhin e njëjta gjë. Hoqëm atë idenë e sulmuesit kryesor. Katërshja e sulmit, përfshi Mensah dhe Hebajn në momente të veçanta ka bërë mirë.
Bardhi nuk ka dalë në pah dhe ka bërë spektaklin, por është një nga ata që ka bërë shumë kilometra dhe ka dhënë kontribut. Që një ekip të funksionojë duhet të ketë 11 ushtarë. Ka pasur shumë probleme me rrëzat e kofshëve, ka sakrifikuar. Pati një lodhje fizike. Ka luajtur dhe ka bërë maksimumin, duke mbajtur në panik Tiranën. Grupi nuk funksionon i ndarë, repartet kanë ndihmuar njëri-tjetrin. Kjo ka qenë filozofia. Në perceptimin tim si trajner, çdo njeri mund të rritet, sikurse Bardhi dhe çdo lojtar. Janë sfida të reja dhe duhet të bësh më të mirën.
Ndërhyrjet në merkato do të jenë në sasi apo të pakta dhe cilësore?
Kur e kam nisur me Partizanin, baza ka qenë. Nuk ishte brilante, pasi kemi pasur probleme. Edhe Ibrahimi që u tha se ishte ne limite, u rrit dhe korrigjoi veten. Ndërhyrjet nuk do jenë drastike. Nuk kemi nevojë për ndërhyrje drastike. Nuk është vetëm Championsi sezoni ynë, punojmë për të ardhmen. Mund të mbarojë shumë shpejt, mund të zgjasi pak. Nuk do tentojmë të bëjmë spektakël. Kemi nevojë për afrime, sikurse Reali dhe Barcelona.
Kam dëshirë që ky grup të respektohet. Po të ishte për mua, do i mbajmë të gjithë. Sezoni i ardhshëm do jetë ndryshe, do na presin si kampionë. Kam lexuar emra, por asnjë nuk është në lupën time apo të kemi bërë biseda. Nëse bashkohet dëshira dhe mundësitë, pse jo.
Po ndonjë shitje mund të ketë?
Uroj me shpirt. Nëse një lojtar fiton titullin pas 26 vitesh dhe merr një ofertë shumë të mirë, do e mbështesja. Gjithsesi ka marrëveshje mes tij dhe klubit, janë të tjerë që drejtojnë. Uroj të ikin te Barcelona të gjithë.
Cili ka qenë problemi i Çinarit në 6 muajt e parë.
Çinari nuk ka pasur asnjë problem. Është një garë luajnë 11 deri në 14 lojtarë. Lojtarët kanë marrë pjesët e veta. Nëse te Vllaznia ka pasur hapësirë, është ndryshe këtu. Partizani nuk është Shkodra, që është në Kategorinë e Parë. Ka qenë 19 vjeç kur ka luajtur atje. Ka ardhur i mirëpritur. Ka punuar jashtëzakonisht mirë. Jemi të kënaqur për atë që ka bërë. I duruari i fituari. Gjërat nuk merren të shkëputura. Nuk ka as marrëveshje për minuta. Asnjë personi nuk i garantojmë minutazhin. Nëse bën më mirë se shoku, do luash nga fillimi. Për fat të mirë kushdo që ka luajtur ka bërë mire. Kjo ka qenë ajo arma jonë.
Në aspektin tënd, si ka qenë ky kampionat për sulmuesit?
Dua ta shoh në aspektin e një trajneri. Nuk kam parë sulmues klasik që të bëjë ligjin. Ndoshta nuk kanë marrë pritshmëritë e duhura. Nuk shoh një sulmues tipik, por nëse nuk shkrihet me grupin nuk bën efekt. Do kisha qejf 4 sulmues siç i kemi. Jo shumë të gjatë dhe të bien në sy. Besoj se Partizani i ka sulmuesit. Përjashto një Mesi dhe një Ronaldo, pjesa tjetër e futbollit është lojë grupi. Nuk ka shumë sulmues në qarkullim. Do ishte mirë të kishim Salihin dhe Pejiç çdo vit. Me rëndësi është që çdo lojtar që është përpara të mendojë si sulmues, të njohin portën dhe të njohë gjithë elementet e një sulmuesi.
A ndjeni xhelozi nga kolegët për fitimin e titullit kampion?
Nuk ka xhelozi brenda, skam bërë asgjë për vete, i kam marr përsipër momentet e vështira. Nuk kam vënë gishtin te gabimet e lojtarëve, jam munduar t’i mbroj. I ndodh kujtdo të gabojë. Nuk di kush është bërë xheloz, secili ka bërë punën e vet. Kam dëgjuar perceptime dhe të ndryshme. E kam thënë që pjesë e festës mund të bëhet kushdo. Nëse nuk do ishim këtu, përgjegjësia do të ishte e imja e para, sepse unë jam tekniku. Unë kam bërë përzgjedhjet. Asnjë tjetër nuk bën dot gjyqin e Skënder Gegës. Nuk e di kush është xheloz. Nuk më intereson xhelozia e tyre. Jemi krenar që e sollëm trofeun mbas shumë e shumë vitesh dhe dramash. Nuk do jem këtu gjithmonë. Çdo njeri ka limite. Unë me shpirt i kam uruar kolegët. Nuk kanë arsye pse të bëhen xhelozë.
Prisni nga trajneri i Kombëtares që t’i kthejë sytë nga lojtarët e Partizanit?
Patjetër që pres. Zgjedh ai dhe pres të ketë edhe lojtarë të tjerë. Para disa kohësh u mor Trashi. Do kënaqesha të kishte edhe nga ekipe të tjera. Duhet të mbështetet Superiorja. Ky është kampionati ynë dhe uroj të ketë sa më shumë. Është puna e tij dhe e drejta e tij. Jam i sigurtë që do ketë emra dhe surpriza. Urojmë së bashku që të ketë sa më tepër nga Superliga.