Nga Boldnews.al
Të paktën 12 aplikantë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë janë tërhequr nga gara, duke dorëzuar njoftimin përkatës pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Arsyet e dorëheqjeve nga kandidimi janë disa. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me “farsën” e procesit, vonesat në procedurat e ndjekura nga KED, si edhe për arsye personale.
Kërkesat për tërheqje nga gara janë dorëzuar në fund të muajit Prill 2019, kohë kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, nisi procedurat për verifikimin e kandidaturave.
“Boldnews.al” po sjell më poshtë, rastet e tërheqjes nga gara për vendet vakante në Kushtetuese dhe për Inspektor të Drejtësisë, sipas arsyeve të paraqitura nga kandidatët.
Arsye kushtetuese dhe institucionale
Konstitucionalisti Çlirim Gjata ka aplikuar për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese në datë 12.02.2018. Ai është njoftuar në mesin e muajit Prill 2019 për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm për kryerjen e verifikimit të plotë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në përgjigje të këtij njoftimi, juristi Gjata, i cili tashmë i është bashkuar Partisë Demokratike, paraqet kërkesën për tërheqje nga gara, duke bërë edhe një analizë të shkaqeve kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje.
Për Gjatën, gara për vakancat në Kushtetuese është një “hipokrizi”. Sipas tij, gara po organizohet nga Ardian Dvorani, gjyqtar i Lartë, të cilit i ka mbaruar mandati prej 5 vitesh; nga Vitore Tusha, gjyqtare Kushtetuese gjithashtu me mandat të përfunduar; dhe nga Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme (e Përkohshme), e zgjedhur në mënyrë anti-kushtetuese.
Gjata deklaron gjithashtu se, biografia e tij profesionale nuk mund të vlerësohet e votohet nga një Parlament anti-kushtetues, në vlerësimin e tij.
Juristja Marsida Xhaferllari ka aplikuar për një vend “vakant” si “mandat plotësues” në Gjykatën Kushtetuese, shpallur nga Parlamenti në Dhjetor 2018. Në tekstin e tërheqjes nga kandidimi, Xhaferllari shprehet se “koha e mandatit plotësues për në Gjykatën Kushtetuese ka përfunduar, pa u kryer asnjë veprim. Ndërkohë, Kuvendi, për të njëjtin pozicion, ka shpallur thirrje për një vend me mandat të plotë”.
Për këto arsye, deklaron Xhaferllari, “Kuvendi nënkupton se ka humbur interesin për thirrjen, në të cilën unë kam kandiduar”. Në këto kushte, shkruan më tej juristja, “nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju njoftoj edhe formalisht tërheqjen e kërkesës sime”.
Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kishte aplikuar për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese në 12 Shkurt 2018. Pas më shumë se 14 muajsh nga aplikimi i saj, Beçaj njofton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për tërheqjen nga gara për në Gjykatën Kushtetuese, pasi aktualisht është emëruar Gjyqtare në Apelin e Tiranës.
Juristja Suzana Frashëri ka aplikuar për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ajo ka njoftuar tërheqjen nga gara, për shkak të afatit minimal që ka vendosur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm për verifikimin pasuror të saj.
Aplikantja Frashëri, në tekstin e dorëheqjes, deklaron: “Pasi u njoha me formularët e dërguar nga KED, nuk besoj se më mjafton koha për të marrë të gjithë dokumentat e nevojshëm bankarë për një afat 5-ditor”, siç kërkon KED.
Sipas Frashërit, këto formularë nuk gjendeshin në faqen e Këshillit kur është bërë publikimi. “Në të vërtetë, mendova se ishte e njëjta procedurë, si për aplikimin për gjyqtar në Strasburg, ku unë plotësova vetëm dy dokumenta”, shkruan ndër të tjera Suzana Frashëri. Në këto kushte, ajo ka vendosur të tërheqë kandidaturën e saj për Kryeinspektor të Drejtësisë.
Juristi Ilir Kadiu ka aplikuar për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, në Shkurt 2018. Pas më shumë se një viti pa asnjë veprim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ai është angazhuar në projekte të tjera profesionale dhe, për këtë arsye, ka paraqitur dorëheqjen nga kandidimi për në Gjykatën Kushtetuese.
Dorëheqje për “mungesë interesi”
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi, ka aplikuar për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Pasi ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga aplikimi i saj, juristja Luzi njofton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi se “i ka humbur interesi për këtë pozicion”
Dorëheqje për “revoltë anti-sistem”
Aplikanti Sokol Hasani ka dorëzuar dokumentacionin për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Në fund të Prillit 2019, ai paraqet dorëheqjen para KED-së. Në tekstin e dorëheqjes, aplikanti Hasani shpreh revoltën e tij kundër sistemit.
Ai rezulton që ka aplikuar për shumë poste vakante në institucionet kushtetuese gjatë viteve të fundit. Pasi ka rezultuar në çdo rast humbës, Hasani ka humbur besimin tek gara e ndershme në Shqipëri dhe vendos të largohet nga kandidimi. Teksti i dorëheqjes është mbushur me “pathos”.
Dorëheqje “për arsye personale
Aplikantët për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, Bashkim Nikolla dhe Dashamir Kore, kanë njoftuar tërheqjen nga kandidimi për “arsye personale”. Tre aplikantë të tjerë, po për Gjykatën Kushtetuese, Alban Brati, Ilir Panda dhe Mitat Dautaj kanë paraqitur tërheqjen nga kandidimi pa dhënë asnjë arsye.