Nga Kastriot Myftaraj
Gjithçka nisi një ditë maji, në prag të zgjedhjeve të dyta parlamentare, qëkurse Ai kishte marrë pushtetin. Gjatë një takimi zgjedhor në qytetin bregdetar veriperëndimor L., Ai i ktheu këtë përgjigje një plaku i cili iu ankua se në vend kishte korrupsion të madh dhe të korruptuarit nuk ndëshkoheshin:
“në fund dy metra dhe mbeten”
Ai me këtë donte të thoshte se fundi i jetës është për të gjithë i njëjtë, ashtu siç i tha Stalini në Jaltë Rooseveltit dhe Churchill-it (ndonëse Ai nuk ia tha plakut këtë episod nga Konferenca e Jaltës):
“Në fund fiton Vdekja”
Dhe në fakt fitimtari Roosevelt vdiq tre javë para Hitlerit.
Nejse. Nga biseda e Atij me plakun, kjo, pa thënien e Stalinit, ishte pjesa që njerëzit panë në televizion. Ajo pjesë që nuk e panë dhe që u hoq me urdhër të Atij, ishte si më poshtë:
“Ty edhe atje të duhen më tepër se aq” – i tha plaku dhe ishte e vështirë të kuptohej nëse ky ishte një lajkatim ndaj të parit të vendit, për të cilin të gjithë e dinin se ishte krenar për shtatlartësinë e tij, apo një tallje. Ai, Pushtetmbajtësi i Madh, më tepër se nga këto fjalë u brengos nga që iu duk se bashkëfolësi e mati me sy, ashtu siç bën punonjësi i stërvitur i funeraleve me kufomën së cilës duhet t’ i gjejë arkivolin e përshtatshëm.
“Ti mos ke punuar gjë varrëmihës?” – i tha Ai plakut.
Përgjigjen nuk e dëgjoi sepse njerëzit e tij tashmë ia kishin hequr mikrofonin nga dora plakut, gjoja se duhet të flisnin edhe të tjerë pjesëmarrës.
E largoi vështrimin nga plaku por iu duk se të gjithë njerëzit para e tij po e shikonin me një sy prej punonjësi varrimesh, sikur të donin të llogarisnin gjatësinë e varrit dhe të arkivolit të tij. Ai ktheu sytë nga truprojet e tij të shumtë, për të larguar këtë përshtypje, por iu duk se edhe te ata ndeshi të njëjtin shikim, veçse me një lloj shfajësimi, sikur t’ i thoshin:
“Na fal shef, ne jemi gati të vritemi për të mbrojtur jetën tënde, por edhe ne si të gjithë këtu, na mundon kureshtja sesa të gjatë do ta kesh arkivolin.”
“Poshtë Diktatori Arkivoli i Gjatë!”- dëgjua një zë i fortë djaloshar dhe policët u sulën të kapin djalin para se të mund të thoshte diçka tjetër.
Ky ishte momenti kur Ai u pagëzua me nofkën e tij të re. Atë natë këto fjalë u bënë parrullë, e shkruar gjithandej vendit, u bënë meme në rrjetet shoqërore. Që këtej e tutje atë e quanin kështu, jo vetëm kundërshtarët e tij, por edhe të vetët sadopak të pakënaqur me të.
Në mbrëmje, në emisionet politike televizive u debatua sesi duhej dënuar djaloshi rebel.
Analist Renci i Vangjelisë tha se meqënëse ishte përmendur fjala “arkivol” ishte bërë thirrje për atentat, dhe fajtori duhej dënuar si terrorist.
Por Avokati, Sir Tak Ngelson, Lordi i Zagorisë, përçues i frymës ligjore anglosaksone në vend, i cili sa ç’ urrente drejtuesit e opozitës, e kishte inatin edhe me Arkivolin e Gjatë, sepse ky nuk e mbajti premtimin për ta bërë ministër, e kundërshtoi duke thënë:
“Prisni mos u ngutni, nuk ka krim pa ekzistencën e faktit penal.”
“Që do të thotë, Avokat”, -e pyeti drejtuesi i emisionit.
“Që do të thotë se a i del dikush për zot kësaj nofkës ‘Arkivoli i Gjatë’? Pra, ndaj kujt ishte adresuar kërcënimi? I gjatë është edhe Assadi i Sirisë. Ai djali mund ta ketë patur me Assadin. I del për zot ky derëziu ynë që e kemi kryeministër nofkës ‘Arkivol i Gjatë’. Nëse po jam dakord, le të vazhdojë procedura. Nëse jo atë djalin e mbajnë pa të drejtë të arrestuar. Dhe ironia është që ky derëziu ynë nuk e kupton dhe nuk ka pranë këshilltarë të mencur që t’ ia thonë se nuk po bën gjë tjetër veçse po kërkon të shpallet gjyqësisht diktator me nofkën ‘Arkivoli i Gjatë”
Avokati ishte i frymëzuar nga zemërimi dhe i adresohej drejtpërdrejt Arkivolit të Gjatë, sepse e dinte që ai po e ndiqte.
Arkivoli i Gjatë ktheu kokën dhe vështroi ndihmësin më të afërt, Ministrin e pashpallur të së Vërtetës, Fugacin. Ky si mjeshtër i manipulimit në komunikim e kuptonte mirë se çfarë kishte ndodhur. Kishte ndodhur një operacion në marrëdhëniet publike që vështirë se do ta kishin përgatitur më mirë edhe kompanitë e mëdha të specializuara, me shumë milionë dollarë shpenzime. Vetëm tetë orë më parë dikush i kishte thënë një nofkë kryeministrit dhe tani ajo ishte bërë e njohur gjithandej dhe përdorej më tepër se emri i tij zyrtar.
Atë natë Diktatori Arkivoli i Gjatë pa një ëndërr horror.
Ishte në shtëpinë e tij-bunker, në shpatin e malit. Në ëndërr ishte në gjumë dhe u zgjua nga zhurma që bënte një goditje ritmike që i kujtonte diçka. U ngrit, doli në oborr dhe atje pa Baba Staqin duke goditur me daltë në gur.
“Këtu e gjete ta bësh këtë, dhe madje në këtë orë, na nxorre gjumin.”- I tha Arkivoli i Gjatë.
Tjetri vazhdoi të punonte në heshtje dhe atëherë Arkivolit të Gjatë iu krijua në ëndërr ideja e asaj që po bënte Baba Staqi. Ai po bënte kokën e Arkivolit të Gjatë, si figurat e gurta të Malit Rushmor në Amerikë.
“Unë nuk kam dhënë urdhër pë këtë.”-Tha Arkivoli i Gjatë.
Tjetri foli për herë të parë, murmuriti diçka si vendim i hershëm sekret i partisë dhe tregoi diçka me dorë. Arkivoli i gjatë pa se në mal ishin gdhendur dy figura të tjera: Enveri dhe Ramizi.
Në atë kohë atje u shfaq Fatosi.
“E shikon ti nuk je!” –I tha Arkivoli i Gjatë.
“Normale që nuk jam sepse unë jam i gjallë, këtë nder partia ua bën të vdekurve”- U përgjigj Fatosi.
“Edhe unë gjallë jam.” –Tha Arkivoli i Gjatë, por Fatosi qeshi me të madhe.
“Ti vdiqe dje në sytë e popullit dhe për një udhëheqës kjo është si jetë i vdekur dhe i varrosur. Që dje edhe të tutë të quajnë Arkivoli i Gjatë.”
“Nuk është e vërtetë”, tha Arkivoli i Gjatë dhe në ëndërr e zuri përsëri gjumi.
U zgjua më vonë, në ëndërr, nga një zhurmë e çuditshme.
Ai pa gjashtë njerëz në rrëzë të malit të cilët donin të vendosnin një arkivol të gjatë mbi një veturë “Ferrari” të shkatërruar, me sa duket pas një aksidenti që të ngjante disi me trajtën e një shtrati topi, nga ata që përdoreshin për transportin e arkivolit në varrimet e shquara në kohën e diktaturës komuniste.
Sa herë që arkivoli rrokullisej atë e ngrinin gjashtë vetë, të cilët vinin pas makinës dhe e vendosnin mbi makinë. Këta ishin: Ambasadori Lympreht, Lek Xogu plaku, Kemal Stafi, Azam Haidari, Spiro Koleka dhe miku i vjetër, Aklosi.
“Por këta janë të gjithë të vdekur!” – Tha Arkivoli i Gjatë me habi.
“Mos ecë me shpejtësi se rrokulliset”,- i thonin ata njeriut në timon.
Njeriu në timon ishte Tantopi dhe dukej se kënaqej sa herë që rrokullisej arkivoli, ndonëse nuk bënte përpjekje që të ndodhte kështu, sepse nuk kishte nevojë. Me sa duket ai ankohej për diçka sepse dikush nga errësira, zëri i të cilit Arkivolit të Gjatë i ngjau me zërin e Ramiz Alisë, i ktheu përgjigje Tantopit:
“Ky jo ishte ideja e udhëheqjes sekrete të partisë me rastin e vdekjes së Shokut Arkivol të Gjatë, pra që si shtrat topi në funeralin e tij zyrtar të shërbejë makina tënde. Simbolike apo jo? Tekefundit Topi yt ka qenë Topi i tij si armë mediatike.”
“Ç’ qenka kjo udhëheqje sekrete! Unë jam kryetari i partisë dhe di gjithçka për të. Nuk ka sekret në parti që nuk e di unë.”- Tha Arkivoli i Gjatë.
Këtë herë iu përgjigj një zë i pangatërrueshëm nga errësira. Ishte ai udhëheqësi i madh:
“Nuk ia paske shpjeguar o Staqi? Dëgjo more djalë. Nuk është fjala vetëm për partinë në kohën që ti je kryetar, por për partinë e përjetshme, e cila ka vetëm datëlindje në 1941, ashtu siç e shënuat në varrin tim për mua, të partisë që ka heronj edhe Kemalin, edhe Azamin, sado e çuditshme të duket, sepse të dy kanë pasur misione të ndryshme në kohë të ndryshme. E kuptove tani? Është partia që me ndryshim emrash erdhi deri në dorën tënde.”
“Unë deri këtu kuptoj Enver, por nuk kuptoj se përse më këni vënë në krah djalin e Mbretit Ahmat Xog.”- Tha Kemal Stafi.
“Kemal, duhej edhe një përfaqësues nga familja në linjë atërore.”- tha Udhëheqësi i Madh.
“Domethënë Enver, partia që themeluam bashkë dhe për të cilën derdha gjakun te Vorri i Bamit, paska rënë në dorën e të birit të kopilit të Mbretit Xog.”- Tha Kemal Stafi.
“Një saktësim, partinë e themeloi shoku Enver, ju të tjerët e ndihmuat”, -tha Ramiz Alia, i cili tani u pa të rrinte mbi një shkëmb pas Udhëheqësit historik. Ky ngriti dorën dhe tha:
“S’ ka nevojë për korrigjim Ramiz, e ka paguar me jetë Kemali atë gabim që tha. Dëgjo Kemal, ti e di atë që ka thënë Marksi se ngjarjet e mëdha historike përsëriten dy herë, herën e parë si tragjedi, herën e dytë si komedi. Këto janë ligjet e hekurta të materializmit historik, partia kalon nga heronjtë te karagjozët dhe anasjelltas.- Përfundoi Uhëheqësi i Madh.
“Pastaj, ç’ rëndësi ka se kush është kryetar sot, apo nesër, kryetar i partisë, i përjetshëm mbeteni juve Udhëheqësi historik, që nga viti 1941 e deri në përjetësi.”- Tha Ramiz Alia.
Këtë herë arkivoli ra sepse gjashtë mbajtësit e tij e lëshuan nga dora për të duartrokitur. Tantopi i ra fort burisë me ritmin “Parti-Enver jemi gati kurdoherë”
Arkivoli i Gjatë hodhi sytë përreth dhe pa se në një trung peme të rrëzuar ishte ulur piktori Ndoni Lakuriqi i cili me penel në dorë po pikturonte skenën.
Kur ra arkivoli këtë herë, u hap dhe doli kufoma që ishte brenda me një def në duar.
“Hiqjani atë nga duart se më duket sikur jam në varrimin e Ramo Evgjitit në Gjirokastër.”- Tha Udhëheqësi i Madh.
“E kemi lexuar historinë në librin ‘Vite të Vegjëlisë’, shoku Enver”, Tha Ramizi.