Nga Rezearta Çaushaj
Në vendin tonë ekziston një kompleks i veçantë “profesional”, të cilit nuk i ka shpëtuar as zoti Veliaj, Kryetari i Bashkisë Tiranë.
Kompleksi kap zakonisht pjesëmarrësit në konferenca, trajnime apo aktivitete të tjera ekstrakurrikulare, kryesisht jashtë vendit. Ai manifestohet në zmadhimin e qëllimit të këtyre aktiviteteve, të rolit të pjesëmarrësit, dhe më pas përdoret për të fryrë rëndësinë e vetes si “intelektual” apo “lider”.
Kam parë njerëz që një herë kanë pasur shansin të vizitojnë Parlamentin Europian dhe e postojnë dhe ripostojnë atë foto vit për vit. Apo të tjerë që ndoshta u është dhënë mundësia për të takuar filan zyrtar të rëndësishëm të huaj në aksh konferencë dhe aq shpesh i mundon nostalgjia, sa duhet t’ua rikujtojnë të gjithëve atë moment.
Janë, pastaj, një sërë aktivitetesh, të cilat u rezervohen një kategorie të caktuar njerëzish si nënpunësve civilë apo mbajtësve të posteve zyrtare, ku bën pjesë edhe Zoti Veliaj. Aktivitete të tilla zbatojnë kritere më pak rigoroze në përzgjedhjen e pjesëmarrësve, sepse merret e mirëqënë se dikush që ka mundur të zgjidhet në një post publik të rëndësishëm zotëron tashmë një sërë kualifikimesh.
Për këtë shkak, por edhe për faktin se këto konferenca ftojnë njerëz me agjenda zyrtare shumë të ngjeshura, zoti Veliaj nuk kalon një proces përzgjedhës; me shumë gjasa mjafton shprehja e interesit nga ana e tij apo e organizatorëve. Por nëse do i referoheshim vetëm deklaratave publike që bën zoti Veliaj, vërejmë se ky kompleks kalon në një tjetër nivel — pjesëmarrja e tij në një konferencë të çfarëdolloj niveli nuk është kurrë thjesht pjesëmarrje.
Po sjellim më poshtë disa raste të muajit të fundit.
Para pak javësh Kryetari i Bashkisë bëri një deklaratë në faqen e tij në Facebook, ku thoshte se Tirana ishte përzgjedhur nga Kombet e Bashkuara si qyteti që po zgjidhte problemin e mbingarkimit të çerdheve dhe kopshteve.
E vërteta është që Day of Cities (2019) është një aktivitet që përbëhet nga dy tryeza të rrumbullakëta dhe organizohet rregullisht nga Këshilli Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën. Këtë vit aty u mblodhën kryetarë dhe zëvendës-kryetarë bashkish nga 30 vende evropiane me qëllimin për të diskutuar“qasjet se si të krijohen qytete të qëndrueshme të zgjuara, duke u fokusuar në mënyrat për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve dhe për të përmirësuar efikasitetin e operacioneve, shërbimeve dhe konkurrencës urbane.”
Jo vetëm që nuk ka pasur ndonjë njohje kontributi, por sipas agjendës zoti Veliaj gjendet në sesionin e parë të njërës prej tryezave, që zgjat 40 minuta dhe përfshin 7 folës dhe një moderator. Secili prej tyre ka vetëm 5 minuta kohë për të folur. Kjo është edhe koha që Kryebashkiaku Veliaj ka pasur për të prezantuar eksperiencën e Tiranës. Tirana nuk është vlerësuar mbi pjesëmarrësit e tjerë apo anasjelltas, sepse ky nuk është aspak qëllimi i këtij aktiviteti. Duke pasur parasysh edhe prirjen e Bashkisë për të dokumentuar çdo moment të zotit Veliaj, momenti i vlerësimit do të kishte qenë diçka që nuk do ta kishim humbur.
Me këtë rast Kryetari foli shqip para dy javësh para një kamere anonime për të shpjeguar çfarë ka bërë ai për Tiranën.
Në videon tjetër, postuar në profilin Twitter UN Geneva, ai kishte dhënë një mesazh në gjuhën angleze, duke përsëritur fjalët kyçe që gjenden rëndom në broshurat që inkurajojnë zhvillimin e qëndrueshëm: biçikleta, pemë, jo makinave dhe po riciklimit.
Në një udhëtim studimor në Gjermani në muajin mars, unë e kolegët nga Ballkani bëmë të njëjtën gjë për Fondacionin Heinrich Böll.
Publikimi i video-mesazheve të shkurtra inkurajuese është procedurë standarde e shumicës së konferencave.
Në një tjetër aktivitet, Eurocities 2019, të zhvilluar në Gjenovë të Italisë më 3-5 prill, zoti Veliaj sërish përsëriti të njëjtat fjalë si për aktivitetin e mëparshëm, para një kamere që nuk dihet se e kujt ishte, në gjuhën shqipe:
“Së pari, jam shumë krenar për Tiranën, për atë që kemi arritur sot: të qenit një nga qytetet model, i cili në një kohë shumë të shkurtër ka bërë përparimin më të madh kur vjen puna për mbjelljen e pemëve, krijimin e korsive të biçikletave, vendosjen e biçikletave të përdorshme nga të gjithë, testimin e autobusëve elektrikë, që po i fusim si flotë këtë vit, apo shumë prej ndërtesave, të cilat i kemi veshur me kapotë, për të ulur shpenzimet e energjisë,” – tha Veliaj.
“Forumi i Ambientit”, jo aq i ndryshëm nga tryezat e Gjenovës më sipër, është një mbledhje profesionistësh, vendimmarrësish të niveleve të ndryshme dhe të interesuarish, që ka për qëllim shkëmbimin e ideve dhe qasjeve për ngritjen e qyteteve rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Paçka se Kryetarit të Bashkisë i është dhënë patjetër mundësia të thotë fjalën e tij, qoftë edhe për t’u prezantuar, ai nuk është përfshirë në listën zyrtare të folësve mbi temat që janë trajtuar në agjendën triditore të takimit.
Më e rëndësishmja është që Tirana nuk është veçuar nga qytetet e tjera, nuk ka asnjë përmendje të saj apo të kryebashkiakut si shembull suksesi dhe as është “vlerësuar” nga gjithë Europa. Tirana është thjesht një qytet pjesëmarrës në një ndër forumet europiane, që për nga vetë përkufizimi organizohen për të adresuar probleme.
Citojmë se “Ky forum ka për qëllim të përmirësojë të kuptuarit e sfidave me të cilat përballen qytetet, dhe se çfarë do të thotë që një qytet t’i përshtatet dhe të jetë rezistent ndaj klimës, duke eksploruar pse (dhe si) përshtatshmëria ndaj klimës mund të jetë një prioritet për institucionet e reja të BE-së.”
Bashkia Tiranë ka premtuar se do të përmbushë kuotën e BE-së për reduktimin e gazrave serrë në masën 40% deri në vitin 2030.
Pa humbur kohë, le të hidhemi te “Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor” i mbajtur në Beograd më 4-6 prill, ku zoti Veliaj ka folur për të gjitha arritjet në fushën digjitale. Sipas tij, “Tirana u vlerësua si një nga modelet që ka bërë më shumë në këtë drejtim”.
E pra, sërish, duke parë agjendën shumë të ngjeshur të këtij aktiviteti, nuk u vërejt ndonjë nderim i veçantë për Tiranën. Zoti Veliaj i ka përmbledhur gjithë arritjet digjitale gjatë kohës së tij si kryetar në 15 minuta prezantim. Në faqen zyrtare të aktivitetit nuk i është kushtuar hapësirë e veçantë as Tiranës dhe as Kryetarit të Bashkisë.
Për t’u mbushur mendjen ndjekësve të tij se “sukseset” imagjinare në teknologjinë e informacionit po marrin njohje ndërkombëtare, zoti Veliaj shpalli se Samiti i ardhshëm Digjital i Ballkanit Perëndimor është “zgjedhur” të mbahet në Tiranë. Duam të vëmë në dukje se ky samit organizohet në kuadër të Procesit të Berlinit, një proces kryesisht politik për integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, megjithëse këtë vit u organizua në Serbi dhe vitin që vjen do të vijë në Shqipëri, e sigurtë është që ai do të organizohet në çdo vend të Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka të bëjë me zgjedhje apo suksese.
E njëjta skemë u ndoq edhe në “Samitin e Kryeqyteteve 2019”, që u mbajt javën e shkuar në Sarajevë, ku zoti Veliaj tha se projekti që u vlerësua më shumë ishte ai i 17 shkollave, dhe më pas vijoi në mënyrë shumë të leverdisshme ta lidhte këtë me protestat e studentëve pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës kundër gllabërimit të një tjetër hapësirë të gjelbër.
Këto nuk janë herët e vetme që Kryetari i Bashkisë ka shtrembëruar pjesëmarrjen në aktivitete europiane, duke i bërë të duket sikur ai ka marrë çmime nga juri ndërkombëtare dhe ka lënë pas vende të tjera.
Një vit më parë, ai deklaronte se “Tirana 2030” ishte vlerësuar nga arkitektët gjermanë si një plan për t’u marrë shembull nga vendet e tjera për planifikimin urban.
Në fakt, ai i referohej konferences së përvitshme Architechture Matters 2018 të Mynihut, që është “një konferencë vjetore ndërkombëtare për të ardhmen e arkitekturës dhe qyteteve, që bashkon të gjithë aktorët kryesorë – nga arkitektura, pasuritë e patundshme, industria, politika dhe shoqëria. Një platformë provokuese për kuriozët dhe guximtarët, që eksploron utopitë urbane dhe vizionet sipërmarrëse. Me ligjërata, panele diskutimi, muzikë, punëtori, shfaqje, darka dhe gjëra të tjera të habitshme.”
Çuditërisht, në asnjë moment nuk gjetëm “vlerësimin” që iu bë Tiranës, përtej prezantimit të Planit Urbanistik të saj nga zoti Veliaj, dy javë pasi qytetarët e Tiranës morën vesh se në qendër të qytetit do të ndërtoheshin 17 kulla me mbi 30 kate.
Jo vetëm vitin e shkuar, por në asnjë nga edicionet e mëparshme të kësaj konference nuk janë nderuar pjesëmarrës apo qytete. Nga sa kuptuam nga shkëmbimet tona me agjencinë organizatore Plan A, arkitektët gjermanë nuk e njohin planin “Tirana 2030” përtej prezantimit të përciptë të zotit Veliaj dhe as nuk e kanë vlerësuar atë plan si ekspertë të fushës.
Sipas zyrës së shtypit të Konferencës, Kryetari i Bashkisë e ka konsideruar planin urbanistik nga ana e vet si shembull se si “kapërcehet apatia politike, duke inkurajuar angazhimin qytetar, si plani i zhvillimit urban, i cili synon të frenojë zgjerimin e egër të qytetit dhe që përfshin mbjelljen e dy milionë pemëve. Në këtë mënyrë ai frymëzon dhe motivon për të guxuar më shumë transparencë dhe dialog.”
Pra, sado mbresëlënës të ketë qënë prezantimi i planit urban “Tirana 2030”, përdorimi i zhargonit të duhur nga Bashkia si “anagazhim qytetar”, “pemë” apo “dialog”, është tregues se Bashkia Tiranë është e vetëdijshme për qasjet dhe drejtimin kah të cilit ka lëvizur planifikimi urban i vendeve të zhvilluara. Asaj thjesht i mungon vullneti për të zbatuar një planifikim urban, ku qytetarët jo vetëm informohen, por japin kontributin e tyre. Ndoshta sepse ky lloj planifikimi nuk është aq fitimprurës sa lëshimi i lejeve të ndërtimit pa kriter.
Në mbështetje të sa më sipër, po sjellim edhe disa detaje të tjera, që nxjerrin në pah maninë e zotit Veliaj për të zmadhuar aktivitete që janë standard për postin që ai mban:
– Kryetari merr pas vetes një skuadër PR, të cilës i jep një deklaratë, e cila tenton të japë përshtypjen se ai po prononcohet për media ndërkombetare që janë të “interesuara” për arritjet e Tiranës. Ai tradhëtohet nga mungesa e një gazetari, nga e folura në gjuhën shqipe në një aktivitet jashtë shtetit dhe nga mungesa e logove.
– Çdo aktivitet u kërkon pjesëmarrësve që t’u dërgojnë një biografi të shkurtër, ku të përmbledhin arsimimin, profesionin dhe eksperiencat më të rëndësishme profesionale. Në ndryshim nga pjesëmarrësit e tjerë, zoti Veliaj e përdor jetëshkrimin për t’u vetëlëvduar e për të shprehur konsiderata tejet të larta për punën e tij. Përveçse mund të konsultohen në ndërlidhjen e Eurocities, në faqet 13-19, më poshtë po sjellim prezantimin e zotit Veliaj në kontrast me atë të homologes së tij, Kryetares së Bashkisë së Torinos, zonjës Chiara Appendino.
“Erion Veliaj u zgjodh si kryebashkiaku i 42-të i Tiranës në qershor të vitit 2015. Para mandatit të tij, Veliaj shërbeu si deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 deri në vitin 2015. Në atë kohë, ai nisi reforma gjithëpërfshirëse për pensionet, pagesat e ndihmës sociale, mundësitë e punësimit dhe arsimin profesional. Veliaj strukturoi për herë të parë degët e Partisë Socialiste në shtetet ku banon diaspora shqiptare kontribuoi me sukses në organizimin e procesit të votimit të emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2013. Para se të bashkohej në radhët e Partisë Socialiste në vitin 2011, Veliaj pati një përvojë të gjatë si udhëheqës dhe themelues i lëvizjes “MJAFT”, një organizatë qytetare që fitoi popullaritet shumë të madh me metodat e saj të novatore të protestës paqësore. Veliaj ka diplomë Master në Integrimin Evropian nga Universiteti i Sussex-it dhe diplomë Bachelor në Shkencat Politike nga Universiteti Shtetëror i Grand Valley-it.”
“Kryebashkiake e Torinos qysh nga qershori 2016, ajo ka shërbyer si anëtare e Këshillit Bashkiak dhe si Zëvendës-Kryetare e Komitetit të Buxhetit të Qytetit të Torinos gjatë pesë viteve të mëparshme. Është diplomuar në Menaxhim Ndërkombëtar dhe Ekonomi dhe ka edhe një Master në Auditim Menaxhimi dhe Planifikim, të dy të fituar nga Universiteti “Luigi Bocconi” në Milano. E lindur në vitin 1984, ajo ka punuar për gjashtë vite në firmën e familjes së saj si Menaxhere Financiare dhe më parë ka qenë Kontrolluese në Juventus Football Club S.p.A”.
Në Samitin Digjital në Beograd, Kryetari i Bashkisë madje mburret për rinovimin e Sheshit Skënderbej dhe çmimin europian për hapësirat publike, ndonëse ky projekt u vlerësua vetëm si “ hapësira më e madhe për këmbësorë” e krijuar dhe nuk u vlerësua aspak projekti në tërësi. Po aty, zoti Veliaj i mvesh merita vetes për aftësinë për të menduar dhe prodhuar një ide, më saktë projektin e Pyllit Orbital, që sapo ka filluar dhe për të cilin nuk ka asnjë dokument formal se si menaxhohen donacionet dhe sa është numri i pemëve të mbjella. Çdo profesionist e di që këto “ndjeshmëri” për sukseset vetjake nuk kanë vend në jetëshkrim.
Për t’u përmendur është që Kryetari i Bashkisë, edhe në momentet e “fitoreve”, e ka të vështirë të mos përmendë kritikët e tij. Po ashtu, duke “fryrë” figurën e tij dhe duke shtrembëruar informacionin mbi vlerësimet e kalibrit ndërkombëtar, ai kërkon të krijojë iluzionin e politikanit vizionar modern, por edhe të zhvlerësojë kritikët e tij si “delirantë ambiciozë”, që nuk i përballojnë dot këto suksese.
Kjo na bën të mendojmë se “dështakët” e “delirantët” nuk janë problemi, por frika se mes tyre ka edhe njerëz profesionistë, të aftë për të kontrolluar faktet që Kryetari i Bashkisë prezanton.
Si përfundim, hulumtimi ynë i shtrirë në kohë ka treguar se asnjë grup ekspertësh nuk ka marrë përsipër të studiojë dhe vlerësojë planin urban, projektet apo reformat revolucionare të zotit Veliaj dhe, si rrjedhim, çdo deklaratë e bërë në konferenca ndërkombëtare lëshohet në nivel parimor.
Të vetmet vlerësime që zoti Erion Veliaj ka marrë në tryezat ndërkombëtare janë ato të cilat vetë zoti Erion Veliaj ia ka atribuuar Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Tirana vazhdon të renditet midis qyteteve më të ndotura, më të shtrenjta e më të pajetueshme në Europë dhe këtë nuk e thonë “delirantët”, por kompani prestigjoze si Mercer, që çdo vit masin me profesionalizëm cilësinë e jetës në planet./Exit.al