Nga Boldnews.al
Prokuroria e Apelit Vlorë konfirmoi për “Boldnews.al” se do të ushtrojë rekurs vetëm një ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi të zbusë dënimet dhe liroi nga burgu dy prej organizatorëve kryesorë të fallsifkimit të dokumentave të dosjes “Karaburuni”, të cilët ishin dënuar me 24 vjet heqje lirie në total.
Raimod Mëzi dhe Lefter Gjergji u dënuan një vit më parë nga gjykata e rrethit Vlorë me nga 18 vjet burgim secili, pasi akuzoheshin se kishin ngritur një skemë gjigandë tjetërsimi pronash në zonën e Karaburunit, nëpërmjet fallsifikimit të pronave dhe në bashkëpunim me persona të tjerë.
Ata përfituan uljen me 1/3 e dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet burgim.
Të pandehurit e ankimuan vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Gjithashtu, edhe Prokuroria e Vlorës kundërshtoi në Apel vendimin e pafajësisë për avokatin Enkes Hysendhima, i cili, sipas hetimeve, rezultonte që kishte një rol kyç në skemë. Për Hysendhimën, Prokuroria kërkoi 24 vjet burgim për avokatin, ndërkohë që gjykata e shkallës së parë e shpalli të pafajshëm.
Të mërkurën e kësaj jave, Gjykata e Apelit Vlorë pranoi kërkesën e të pandehurve Mëzi dhe Gjergji, duke vendosur që t’ua konvertojë dënimin e gjatë me shërbim prove. Ndërkohë, rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës dhe konfirmoi vendimin e pafajësisë për Enkes Hysendhimën.
Ndërkohë, në të njëjtin vendim, Gjykata e Apelit Vlorë la në fuqi vendimet e fajësisë për juristen e Hipotekës, Blerina Dhrami, e dënuar nga shkalla e parë me 4 vjet burgim, si edhe për Donika Besimaj, sekretare në Gjykatën e Vlorës, e dënuar me 2 vjet burgim, dënim i cili i është pezulluar.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit Vlorë la në fuqi vendimin e konfiskimit në favor të shtetit të pronave, të tjetërsuara në bazë të dokumentave të fallsifikuar. Janë rreth 330 hektarë tokë në Karaburun, Zvërnec dhe Palasë, të cilat janë shpërndarë tek persona të ndryshëm, në bazë të dokumentave të fallsifikuar nga grupi i personave të akuzuar të kësaj dosjeje.
Në bazë të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Vlorës, rezulton se shtetasit Raimond Mëzi dhe Lefter Gjergji, në bashkëpunim me avokatin Enkes Hysendhima, juristen e Hipotekës, Blerina Dhrami dhe arkivisten e gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj, kanë arritur të fallsifikojnë dokumentat pronësorë për sipërfaqen e mësipërme të tokës në bregdet.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Vlorës kërkoi dënimet, për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimit të detyrës” për punonjësit publikë për shtetasit; Raimond Mëzi, Lefter Gjergji, Enkes Hysendhima (avokat); Blerina Dhrami, juries në Hipotekë dhe Donika Besimaj, jurist në Gjykatën e Vlorës.
Gjithashtu, Prokuroria e Vlorës kërkoi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të sipërfaqes së tokës, së përfituar me dokumenta të fallsifikuar. Gjykata e shkallës së parë dhe e Apelit vendosën pranimin e kërkesës dhe konfiskimin e pronave, si vijon: 220 hektarë në Karaburun; 89 hektarë në Zvërnec; 33 hektarë në Palasë (Himarë)
”Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive dosjen e plotë të prokurorisë, në të cilën janë të shënuar emrat e personave që kanë blerë tokë nga grupi i fallsifikatorëve, të drejtuar nga Rajmond Mëzi.
Një prej blerësve më të mëdhenj të tokave në plazhin e Shën Vasilit, në Karaburun, është një emër i njohur në biznesin vlonjat, Artur Shehu. Vitë më parë, Shehu ka qenë një prej personazheve kryesore edhe të kronikës së zezë, për shkak të problemeve penale.
Artur Shehu, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë një prej rivalëve kryesore të Zani Çaushit, emri kryesor i botës së krimit në Vlorën e vitit 1997.
Në vitin 2010, emri i Shehut përmendet sërish në hetimin e gjykatës së Leçes, ku personazh kryesor ishte Albino Prudentino, një ndër bosët e klanit mafioz “Sacra Corona Unita”. Ky i fundit u arrestua në Vlorë, në bazë të një urdhri ndërkombëtar të autoriteteve italiane.
Hetimet e Prokurorisë së Leçes arritën të provonin se Prudentino kishte arritur të krijonte një rrjet pastrimi parash në Shqipëri, me ndihmën e disa banorëve të Vlorës, përfshirë edhe Artur Shehun.
Shehu ka realizuar blerjen e rreth 100 hektarë tokë në Karaburun, nëpërmjet personit të autorizuar, noteren Belona Seraj. Me noteren, Shehu, i cili prej vitesh nuk vjen në Shqipëri, i ka zhvilluar takimet në një prej vendeve të vogla të Bashkimit Europian.
Theodhori Gjiknuri, zotërues pronash të shumta në Vlorë dhe familjar i ish-ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri, rezulton të ketë blerë rreth 20 hektarë në zonën, në zonën e konfiskuar tashmë për llogari të shtetit.
Gerian Kuka, administrator i kompanisë A.E.Distribution” sh.p.k rezulton se ka blerë mbi 10 hektarë tokë nga Rajmond Mezi. Kuka është pronar i një pjese toke edhe në zonën e Palasës, aty ku kompania ”Green Coast” po ndërton një fshat turistik, shumë pranë bregut të detit.
Arjan Laçi, biznesmen durrsak, rezulton se është pronar i 5 hektarëve tokë në plazhin e Shën Vasilit. Emri i Laçit është përmendur më parë edhe si bashkëpronar në kompaninë ”DIA”, të krijuar nga Kastriot Ismailaj. Bashkëpunimi i tyre u prish shumë shpejt, pasi Ismilaj rezultoi se e përjashtoi me mashtrim nga investimet e kompanisë.