Qytetari Agim Mezini nga Korça, i është drejtuar emisionit “Stop” në Tv Klan për një çështje pronësie. Bëhet fjalë për një banesë të vjetër të Fuat Merdanit, që ndodhet te pazari i vjetër në qytetin e Korçës.
Pronësia e banesës së vjetër i ka kaluar 4 trashëgimtarëve të tij. Një nga trashëgimtarët është edhe bashkëshortja e z.Agim Mezini. Konflikti nisi në vitin 1994, kur këtë banesë e pretendonte ta merrte edhe një kushëri i fisit Merdani. Por gjatë kohës që zhvillohej gjyqi, ai ia shet Engjëll Haxhiut, dhe ky i fundit hedh katin e dytë mbi godinën ekzistuese 54 metra katrorë. Megjithatë, gjyqi u fitua nga Agim Mezini, bashkëshortja e të cilit kishte trashëguar pjesën që i takonte të objektit, dhe Policia Ndërtimore prishi katin e dytë që kishte ndërtuar pa leje Engjëll Haxhiu.
Agim Mezini: “I jam drejtuar Stopit për një problem që ka të bëjë për familjen Merdani. Kjo shtëpia është ndërtesa e vjetër e familjes Merdani. Konflikti ka ndodhur në vitin 1994 ku si pronar doli një kushëriri i këtyre me mbiemër Merdani, por nuk ishte trashëgimtar. Dhe pas shumë gjyqeve, 4 trashëgimtarët e fituan me të drejtë këtë. Por gjatë kësaj kohe pa e fituar këtë pronësi njeriu që e kishte përvetësuar këtë ja kishte shitur dikujt tjetër, Engjëll Haxhiut. Ndërtimi i katit të dytë është bërë nga Engjëll Haxhiu. Pasi ne fituam gjyqin, erdhi përmbaruesi dhe e prishi këtë”.
Katër trashëgimtarët donin të bënin ndarjen e kësaj pasurie dhe u hap gjyqi, ku u caktua eksperti Vasil Xhoga. Ky i fundit e cilësoi objektin truall, ndryshe nga sa figuron në Hipotekë. Madje vendndodhjen e përcaktoi në periferi të Korçës, dhe jo 100-150 metra larg pazarit. Gjykata e riktheu çështjen dhe Prokurori caktoi dy ekspertë të tjerë.
Robert Papa dhe Brunilda Treska, në raportin e tyre kishin deklaruar se objekti është i ligjshëm dhe jo truall sikundër pretendonte eksperti i parë. Edhe vendndodhjen e kishin deklaruar të saktë. Por ata u shprehën se ndërtimi është pa leje.
Agim Mezini: “Trashëgimtarët deshën të bënin pjesëtimin e pasurisë, hapën gjyq dhe për këtë u caktua një ekspert. Në aktin e ekspertimit të kryer nga eksperti Vasil Xhoga thekson që atje nuk ka më ndërtesë, e ka vlerësuar si truall pa ndërtim. Ai shton që ky objekt ndodhet në periferi, jo në qytetin brenda që është rreth 150 metra larg nga pazari i Korçës. Për këtë ekspert ne kemi bërë ankesë në Prokurorinë e Korçës. Këtë çështje e ka marrë prokurori Edmond Shytko, i cili e pushoi. Gjykata iu drejtua prokurorit që ta rishikojë dhe ta hapi edhe njëherë dosjen. Prokurori caktoi dy ekspertë Robert Papa dhe Brunilda Treska. Grupi i ekspertëve tha, ky objekt ekziston por se është pa leje. Ky grup thotë që ky objekt ndodhet brenda qendrës të Korçës në një largësi 100-150 metra nga pazari i Korçës, por që thotë se është ndërtim pa leje”.
Emisioni “Stop”, përmes kameras së fshehtë, shkoi tek të tre ekspertët që kishin bërë vlerësimin e objektit. Eksperti i parë Vasil Xhoga pranon gabimin që kishte bërë dhe thotë që duhet ta zgjidhë Prokuroria. Po kështu dy ekspertët e tjerë, pohojnë se ndërtesa është me Hipotekë.
Ekspert Vasil Xhoga:
Qytetari- Unë jam pronari dhe më dhimbset prona ime dhe kam një pronë me certifikatë pronësie të rregullt. Pse duhej, që të thuhej, që s’ka dyqan aty, ku minimalisht është me certifikatë pronësie dhe s’ma hiqni dot juve!
Eksperti Vasil Xhoga-Unë s’ta heq! Kush tha, që ta heq?
Qytetari-Po e ke thënë, që s’ka dyqan fare dhe e ke ndarë si truall.
Eksperti Vasil Xhoga-Fakti nuk kanë, fotot nuk kanë, është e shembur.
Qytetari-Dyqani është prezent mor ti, se unë 1-katësh e kam me hipotekë dhe 1-katësh është në terren. Ai është kati i dytë, që është prishur nga ana jonë dhe e ka prishur Policia Ndërtimore në vitet 2000-2002, me kërkesën tonë. Më ke nxjerrë pa pronë, kur s’është ligjshmëria jote, ta thuash. Për shkeljet, që janë bërë, gjeni mënyrën me i rregulluar.
Eksperti Vasil Xhoga-Po jo ore, unë…
Qytetari-Se unë s’do e lë!
Eksperti Vasil Xhoga-Atë, që e kam bërë, e kam bërë! Unë kam qëndruar heshtur, po vazhdon Prokuroria.
Qytetari-E dyta, më ke thënë, që është në periferi, kur ai është në zonë muzeale, është e shtruar me kalldrëm deri aty. Është në periferi apo është në zonën e mbrojtur?
Eksperti Vasil Xhoga-S’ka rëndësi! Kjo është për vlerën…
Qytetari-Jo, është vlerësimi…
Eksperti Vasil Xhoga- Kjo është për vlerën, s’ka rëndësi hic!
Qytetari-Kjo ka rëndësi!
Eksperti Vasil Xhoga-Kjo kalon me një lapsus. Është lapsus i them unë, dhe mbaroi puna!
Eksperti Robert Papa:
Qytetari-Eksperti i parë thoshte, s’ka objektt fare! Ka objekt ,apo s’ka objekt aty?
Eksperti Robert Papa- Po është bre objekti, është. Ka qenë 1-katëshe.
Qytetari-Objekti në Hipotekë, është 1-katëshe, nuk i takon një eksperti, të thotë është i paligjshëm, është pa leje. Nuk mund ta thotë, sepse eksperti, s’i hyn anës juridike dhe eksperti ka një certifikatë pronësie në dorë!
Eksperti Robert Papa-Dhe në Hipotekë është objekt. Me të pronocoheshe Gjykata, ta kqyrnin ata…verifikimi është i tillë: ekziston, apo s’ ekziston? Eshtë i ri apo është i vjetër…?
Qytetari-Objekti është në qendër, apo në periferi të Korcës?
Eksperti Robert Papa-Është në qendër të Korcës dhe 100 metra nga Pazari.
Ekspertja Brunilda Treska:
Qytetari-Gjyqtarja nuk e pranoi, sepse…
Ekspertja Brunilda Treska-Ekspertimin tonë?
Qytetari-Po!
Ekspertja Brunilda Treska-Dhe tani na e rikthen prapë për rihetim.
Qytetari-E rikthen për rihetim nga ana juaj si eksperte.
Ekspertja Brunilda Treska-Po mirë!
Qytetari- Ai (Eksperti i parë Vasil Xhoga) thotë s’ka objekt, ju thoni ka objekt, objekti është ndërtim pa leje.Nuk është kopetencë e juaja të thoni me leje, pa leje. Unë kam Hipotekën, e cila më ligjëron, në rast se ju më thoni me leje, pa leje kthejeni mbrapsht situatën, kërkojini Hipotekës, të më heqi zërin kadastral. Nuk është periferi, është Pazari i Vjetër, hyn tek zona e ruajtur.
Ekspertja Brunilda Treska-Edhe cfarë vlere ka kjo? Cfarë të bën ty kjo?
Qytetari-Po ndikon në cmim!
Ekspertja Brunilda Treska-Në cmim?
Qytetari-Është leku im,është prona ime!
Ekspertja Brunilda Treska-Ah, ndikon në cmim…!
Qytetari-Përderisa gjyqtarja e ktheu mbrapsht…
Ekspertja Brunilda Treska-Po mirë mo, në rregull! Le ta kthejë gjyqtarja, ka mendimin e saj. Ne kemi mendimin tonë!
Qytetari-Dakord!
/tvklan.al