Nga Ilir Kalemaj
Faiku qëlloi edhe njëherë profetik me shprehjen lapidare dhe të stërpërmendur: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët”. Në fakt duket se koha kalon dhe historia ripërsëritet si në një cirkulum vicioz ku ndryshojmë për të mbetur në vend dhe ku përgjegjës kryesorë kanë qenë dhe ngelen elitat drejtuese të këtij vendi. Ta paaftë për të parë përtej gardhit të ngushtë të interesave vetjake, të paditur dhë të palëçitur, por edhe larg të qënurit liderë normalë por më tepër mesianikë, paranojakë apo psikopatikë, liderët politikë shpesh kanë dështuar të ngrihen në nivelin mesatar të atyre që drejtojnë. Shqiptarët, ndonëse të bekuar nga natyra, poliglotë, me shpirt sipërmarrje dhe të respektueshëm ndaj mikut dhe të huajit kanë kaluar kalvare të pamerituara dhe shpesh kanë ecur nëpër shtigje të pashkelura falë kapriçosh apo mungese vizioni nga politikanë që i kanë udhëhequr. Ato gjëra që duhen të ishin lehtësisht të arrira dhe të garantuara për një jetesë normale, të moralshme dhe të drejtë, duken shpesh si mollë të ndaluara për individin në vecanti dhe shoqërinë në tërësi.
Sikundër ka thënë ndër të tjera Çurçilli: “Të gjitha gjërat e mëdha [në thelb] janë të thjeshta dhe mund të shprehen me fjalë të vetme: liria, drejtësia, nderi, detyra, mëshira, shpresa”. Mençuria e burrështetasit britanik që dinte të kapte thelbin e gjësë me fjali vështirësisht të harrueshme, na risjell edhe njëherë ndër mend se sa të vështira janë për t’u materializuar këto të vërteta të thjeshta të jetës në xhunglën shqiptare. Liria individuale, liria për të zgjedhur, për të jetuar dhe të lësh të tjerët të jetojnë ngjan si sllogan në Shqipërinë ku robëria ekonomike ka zëvendësuar atë politiko-ideologjike të kohës së Hoxhës. Dhe siç thoshte ish-kryeministrja tjetër e famshme britanike, Margaret Theçër, nuk mund të ketë liri politike pa liri ekonomike.
Drejtësia është ndoshta dhe hallka më e dobët dhe ende e pareformuar e tranzicionit të vështirë që ende nuk ka përfunduar trajektoren Odiseane për të na çuar drejt një Itake të shtetit të së drejtës me demokraci funksionale dhe të konsoliduar. Nderi ka ngelur veç një atavizëm nga e kaluara që më tepër ngjan si shprehje folkorike sesa si një detyrim moral dhe civik. Sensi i detyrës mbaroi që kur shkërdhatokracia zëvendësoi meritokracinë, ndonëse kjo e fundit lindi shtatanike qysh në fillim. Fjala mëshirë dëgjohet veç brenda institucioneve fetare ndërsa shpresa ngjan më e largët se kurrë. Kësaj liste mund t’i shtonim edhe të tjera si premtim, besim, paqe, jetë, ëndërr dhe të tjera fjalë singulare që mbartin me vete një botë të tërë, por që pak gjë do shtonte në kandarin e arsyetimit dhe vlefshmërisë që kanë në realitetin anormal në të cilin frymojmë.
Jo se nuk ka vend për optimizëm. Këtë e ndesh në qindra mijëra shqiptarë që emigruan dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë, duke carë mes vështirësive të papërballueshme dhe duke arritur dhe në majë të piramidës sociale, ekonomike dhe kulturore në vendet ku kanë shkuar, falë guximit, shpresës dhe dëshirës për një jetë më të mirë. Kjo ndeshet dhe te qindra sipërmarrës dhe mijëra biznese të vogla që kanë arritur përmes dallgësh jo vetëm t’ia dalin por edhe të prosperojnë. Mes atyre profesionistëve të lirë që arrijnë falë punës dhe talentit të tyre të spikasin dhe të arrijnë suksese në mënyrë të pabesueshme. Këtë e shohim te ata studentë që nuk pajtohen me kushtet e imponuara dhe çohen me guxim për të kërkuar të drejtat që i ka çdo bashkë-moshatar i tyre në një vend normal. Te ata pensionistë që me stoicizëm por edhe atdhedashuri përballojnë çdo vështirësi me dinjitet. Te ato mama heroina që bëhen copa mes mbajtjes së familjes, amvisllëkut dhe karrierës profesionale. Te ata fermerë që kanë arritur jo vetëm të mbijetojnë por edhe të ngrenë ferma model, madje disa edhe modele agri-turizmi që është vështirë t’i ndeshësh dhe në vende mjaft më të zhvilluara se ne.
Falë guximit dhe emancipimit të këtyre shqiptarëve të mirë, ky vend ende vlen mos të braktiset. Jemi ende ndër vendet me koston më të lirë dhe destinacion i preferuar turistik ndonëse jemi zhvilluar rrëmujshëm, pa plane urbanistike dhe me udhëheqje kaotike. Këtë e vërteton edhe fakti se pavarëisht mijëra problemeve dhe reklamës më të keqe në planet (paguar nga taksapaguesit si zakonisht), ende vazhdojmë të jemi zgjidhja më e mirë në Mesdhe në raport me koston (best value for money). Por paradoksi është që ku ndërhyn shteti shtohet veç korrupsioni dhe batërdia ndërkohë kur ka liri dhe frymëmarrje sipërmarrjeje ka zhvillim dhe prosperitet. Si fjala bie projekti i Lungormares së Vlorës. Që u financua nga BE dhe ju rrit kostua nja 7-8 fish mbi planifikimin fillestar nga shteti, falë nënkontraktorëve të zellshëm dhe burokratëve kleptokratë. Në fund u katandis kokoshi një thelë, kur përfundoi si një shëtitore larg buzës së detit dhe estetikisht dhe funksionalisht defiçiente dhe ndërkohë mori jetë dhe gjallëri vetëm falë bizneseve dhe shërbimeve mjaft cilësore dhe estetikisht simpatike falë sipërmarrjes energjetike që rivitalizoi një pjesë mjaft të bukur të rivierës shqiptare.
Natyrisht do ishim përgjithësisht mjaft më mirë nëse do kishim pasur burrështetas vizionarë apo të paktën politikanë patriotë, nëse do kishim një elitë kulturore eruditive dhe të përkushtuar, intelektualë të guximshëm dhe media kritike, shoqëri civile të përgjegjshme apo institucone të pakapura. Do ndihmonte jashtëzakonisht shumë sikur të kishim edhe të rinj kurajozë që të guxonin të çelnin shtigje të reja dhe jo të prisnin në radhë për një punë shteti. Zyrtarë që fitonin konkurse reale dhe shërbenin me zell publik dhe jo hajdutë me çizme apo sharlatanë të paaftë, mësues të përkushtuar dhe të aftë dhe jo ushtarë partie, doktorë që kanë bërë betimin e Hipokratit dhe jo hipokritë që të shohin nga xhepat apo më tepër sipërmarrës gjenuinë se sa oligarkë që bëhen të tillë me anë të sistemit klientelist, ku marrin llokma të pasurisë shtetërore falë tenderave korruptivë dhe partneriteteve-pirat-plaçkitëse. Këtij vendi nuk i kanë munguar kurrë burimet, qofshin këto natyrore apo njerëzore, por elitat drejtuese të cilat shpesh kanë qenë nën nivelin qytetar, intelektual dhe moral të shqiptarit mesatar