Nga Vilson Kulemani
Më fal për formën që zgjodha të të drejtohem në krye të herës sepse ndoshta do të kishe dashur të të drejtohesha në formë më zyrtare, por mesa mbaj mend kemi qenë shumë të afërt në fushatën e vitit 2017.
Më beso që ndihem shumë i emocionuar teksa marr këtë iniciativë për të të shkruar apo kërkuar llogari por mua më lind kjo e drejtë dhe mendoj që dhe ti e ke detyrim moral për të mu përgjigjur, jo vetëm si i ri por dhe si votuesi yt duke qenë se jam banor i njësisë 11 nga ku dole deputete.
Po kthehem në retrospektivë dhe po kujtoj sulmet që z. Lulzim Basha mori kur të afishoi ty në listat garuese për deputete në vitin 2017. E megjithatë Basha e mori riskun përsipër dhe të besoi edhe pse po krijonte një rast të paprecedent në Partinë Demokratike dhe në Politikë.
Shumë fëmijë ish-deputetesh apo themeluesish të kësaj parite mund të pretendonin të njëjtin benefit që ti përfitove. Fatkeqësisht politika nuk është e trashëgueshme gjenetikisht dhe shumë shpejt ti e vertetove. Koha ju dha të drejtë kritikuesve të Bashës që në fushatë kur ti nuk ishe e aftë të bëje turmën për vete dhe të artikuloje ashtu siç duhet. Në ndryshim nga shumë të tjerë, gabimin e Bashës kur të vuri ty unë e kuptova më herët kur ti na braktise, nuk ishe e aftë të thyeje mitin e deputeteve që duken në zona elektorale një herë në 4 vite.
Ti nuk arrite të përfaqësoje votuesit e tu as në foltoren e parlamentit. Vjen si deputete e një zone të varfër dhe me shumë halle si të gjithë shqiptarët, por ti kurrë nuk arrite të bëheshe zëri ynë. Nga njëra anë mundohesha të të kuptoja duke marrë parasysh moshën, arsimin tënd larg Shqipërisë dhe mungesën tënde të eksperienceës. Arsyetimi i gabimeve të tua nuk vinte nga shoqëria që kishim ne por nga ajo që Zoti të dhuroi, të ishe vajza e një njeriu siç ishte Azem Hajdari.
Azemi ishte një njeri vizionar, i drejtë dhe luftonte për meritokraci. Vetë emri i tij rrënqeth dhe ju mbush sytë me lot demokratëve që nuk ka miting dhe të mos brohorasin “Azem, Azem Ti je Gjallë!”. Në të vërtet Azemi është gjallë dhe është ne zemrat e çdo demokrati, por është gjallë dhe nëpërmjet pasurisë së tij, nëpërmjet teje, Kirjaldit dhe Azemit të vogël. Në momentin kur Basha duhej të vërtetonte që kishte të drejtë ndaj kriticintëve të tij dhe kishte nevojë më shumë se kurrë për ty, ti e tradhtove. E dashur Rudinë, Basha është kryetari ynë, por ideali ynë si demokrat qëndron më lart se çdo individ, edhe më lart se Basha apo çdo pasardhës i tij. Ti nuk tradhëtove Bashën, ti na tradhëtove ne. Ti tradhtove idealin e demokratëve. Ti tradhëtove shtëpinë tënde, themelet e së cilës i hodhi babai yt.
Rudinë nga thellësia e shpirtit po të bej thirrje të reflektosh! Të mos bëhesh patericë e një kryeministri si Edi Rama. Të mos na bësh ne demokratëve të ulim kokën përball tij. Të mos vazhdojë më kjo farsë e këtij pseudoparlamenti dhe kjo e keqe e Shqipërisë të mbarojë sa më shpejt! Nëse vërtet e do Shqipërinë të lutem distancohu nga këto hapa që ke ndërmarr qoftë edhe nëse këtë po e bën për Vettingun, që unë personalisht nuk dua ta besoj. Babai yt nuk do ta vendoste kurrë interesin e tij personal përball interesit kombëtar. Babai yt vdiq për këtë vend dhe për idealet e tij. Babai yt fatkeqësisht vdiq dhe nuk e dha të plotë kontributin e tij sepse jam i sigurt që shumë gjëra do të ishin më mirë për Shqipërinë. Të lutem mos e vrit babanë tënd për së dyti! Reflekto!