OJQ për Gratë/ Skandali “i heshtuar” në Delegacionin e BE, “zhduken” 140 mijë euro

Nga Boldnews.al

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor bashkëshortët Artan dhe Mirela Spahiu, të cilët, nëpërmjet dy organizatave joqeveritare për të drejtat e grave kanë përvetësuar 140 mijë euro të Bashkimit Europian, nëpërmjet mashtrimit.

Në fillim të Marsit 2018, Artan Spahiu, drejtor ekzekutiv i “Qendrës së Burimeve OJF-Shqipëri” është dënuar me 8 vjet burgim, për shkak se ka mashtruar zyrën e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke i marrë 50 mijë euro.

Në të njëjtin proces gjyqësor është dënuar me 9 vjet burgim bashkëshortja e tij, Mirela Spahiu, në pozicionin e drejtueses së organizatës “Gruaja në veprim”, e cila ka mashtruar Delegacionin e BE-së, duke i marrë 90 mijë euro.

Hetimi i këtij rasti ka qenë kompleks dhe është iniciuar nga një procedurë verifikuese e ndjekur nga OLAF, Zyra që heton korrupsionin dhe mashtrimet brenda Bashkimit Europian. Përfshirja e OLAF në këtë hetim dëshmon se kanë ekzistuar dyshime për përfshirjen e zyrtarëve të delegacionit të BE në Tiranë në këtë skemë mashtrimi.

Gjithësesi, në vendimin e saj, rezuton që Gjykata e Tiranës ka gjykuar vetëm bashkëshortët Spahiu. Hetimi dhe gjykimi bazohet në dy episode, të ndodhur në vitin 2007 dhe 2008.

Në datën 08.05.2007, midis Qendrës së Burimeve OJF Shqipëri, përfaqësuar nga i pandehuri Artan Spahiu dhe viktimës Komisioni Europian), është nënshkruar Kontrata e Grantit “Ngritja dhe forcimi institucional i të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”. Sipas kontratës, viktima (Komisioni Europian) i ka paguar shoqatës së drejtuar nga i pandehuri shumën prej 49558,50 EUR.

Po ashtu, edhe e pandehura Mirela Spahiu, në cilësinë e përfaqësuese së shoqatës “Gruaja në Veprim”, në datën 22.07.2008, ka nënshkruar Kontratën e Grantit me viktimën (Komisionin Europian). Në bazë të kontratës, viktima ka depozituar në llogari të shoqatës së të pandehurës shumën prej 89955 EUR, për zbatimin e projektit për promovimin e statusit ekonomik të grave në zonat e varfra në periferi/fshatrat e zonave të Tiranës dhe Fushë-Krujës.

Nga hetimi dhe gjykimi ka rezultuar se bashkëshortët Artan dhe Mirela Spahiu, në kundërshtim me kushtet e kontratave, nuk ka dorëzuar asnjë raport, dokument kontabël, vërtetime, mandatpagesa etj. që të vërtetonin realisht implementimin faktik të tij. Pra, sipas gjykatës, ata përfituar shumën e sipërcituar në mënyrë të padrejtë, duke shpërdoruar besimin e viktimës.

Për të arritur në konkluzion, janë shfrytëzuar edhe verifikimet e kryera nga Zyra OLAF e Bashkimit Europian, si edhe nga pyetja e personave që rezultojnë si shitës të mallrave që janë deklaruar nga bashkëshortët Spahiu, në kuadër të granteve të tyre.

Administratorët e të paktën 3 kompanive private kanë mohuar që t’u kenë shitur mallra Artan dhe Mirela Spahiut. Dy prej tyre kanë mohuar që të kenë pasur njohje me të pandehurit dhe nuk kanë lëshuar asnjë faturë për llogari të tyre.

Një i tretë deklaron se e njeh Artan Spahiun, por mohon që të ketë lëshuar faturë shitje malli në favor të organizatës që ai drejtonte. Këtë deklarim ai e konfirmonte nëpërmjet krahasimit të faturave origjinale të lëshuara prej kompanisë së tij me ato të falsifikuara, të dorëzuara nga i pandehuri në zyrat e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

LEXO EDHE  Shpërndante drogë në Tiranë, vihet në pranga 52-vjeçari

Në funksion të hetimit, Prokuroria e Tiranës ka marrë, nëpërmjet letër-porosisë, informacionin e mbledhur gjatë hetimit të kryer nga OLAF. Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian, në përgjigjen e sjellë në Prill 2014, njofton autoritetet shqiptare se “ka nisur një hetim në lidhje me parregullsitë dhe mashtrimin e pretenduar të drejtuar nga përfituesit e fondeve të BE-së me vendndodhje në Shqipëri, kryesisht OJF Gratë në Veprim dhe Qendra Burimore e OJF Shqipëri – Albania”.

Për të arritur në këtë përfundim, OLAF ka kryer një mision vlerësimi në 26-30 shtator 2011, në Shqipëri; ka realizuar 3 intervista me dëshmitarë (përfaqësues të OJF-ve, të cilët supozohet se kanë marrë pjesë në tavolina të rrumbullakta të organizuara OJF Gratë në Veprim); ka kryer pesë vizita në kompani në Shqipëri (furnizuesit e deklaruar të organizatës përfituese Gratë në Veprim); si dhe ka analizuar dokumentet e marra dhe të mbledhura gjatë hetimit, konkretisht:

 

  1. Kopje të faturës Nr.525, datë 19 gusht 2008, në të cilën përmendet emri i furnizuesit KATMETAL dhe është paraqitur nga përfituesi “Gratë në Veprim” për të mbuluar blerjen e mobiljeve të zyrës në shumën prej 2500 EUR.
  2. Kopje të faturës Nr.261, datë 11 gusht 2008, në të cilën përmendet emri i furnizuesit FUTUR BUSINESS SYSTEM dhe e paraqitur nga përfituesi “Gratë në Veprim” për të mbuluar blerjen e dy kompjuterave dhe dy printerave në shumën 2700 EUR.
  3. Kopje e dokumentit tregtar prezantuar nga përfituesi “Gratë në Veprim” nën emrin e kompanisë GEMSY, më datë 5 mars 2009, në të cilën paraqitet një ofertë për shpërndarjen e 100 makinave qepëse.
  4. Kopje e dokumentit tregtar të paraqitur nga përfituesi “Gratë në Veprim” nën emrin e kompanisë REXHINA, më datë 12 mars 2009, në të cilin paraqitet një ofertë për shpërndarjen e 100 makinave qepëse.
  5. Kopje e dokumentit zyrtar paraqitur nga përfituesi “Gratë në Veprim” nën emrin e kompanisë L & D (fituesi i procesit të tenderit), më datë 25 mars 2009, në të cilën prezantohet një ofertë për shpërndarjen e 100 makinave qepëse.

 

Në bazë të të dhënave të siguruara nga OLAF, si edhe nga hetimet e kryera në Shqipëri, u arrit në konkluzionin se bashkëshortët Artan dhe Mirela Spahiu kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda. Në përfundim të gjykimit, ata u dënuan me 8 dhe 9 vjet burgim, ndërkohë që arrestimi i tyre nuk është realizuar, për shkak se rezultojnë të jenë jashtë Shqipërisë.