Ish-ministrat e kabinetit qeveritar duket se kanë filluar të kenë pakënaqësi me personat që i zëvendësuan në dikasteret e tyre.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë ka pasur një diskutim të gjatë ndërmjet Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ku ka kërkuar që ministrat e rinj të zbatojnë rekomandimet që u jepen nga institucionet e pavarura, në të kundërt do “t’u dalë emri në tabelën e zezë”
Gazeta “Panorama” sjell të zbardhur procesverbalin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 18 mars, ku Ruçi ka hedhur kritikat e tij ndaj ministrave.
“Nuk i ndaj ministrat në të vjetër apo të rinj. Në raport, qoftë në takimin e radhës që do të bëjmë me institucionet e pavarura, qoftë me raportimin që do t’i bëj Parlamentit, do të përmendet me emër dhe mbiemër çdo ministër, i cili nuk e përmbush misionin e tij si ministër në raport me këto institucione. Domethënë, t’iu bëhet e qartë, veçanërisht të rinjve, që janë vendosur ministra. Të mos thonë si na doli publikisht emri kështu.
Prandaj, pa shkuar këtu, edhe shërbimet e Kuvendit duhet t’ua bëjnë të qartë, edhe ju si ministre që mbuloni Marrëdhëniet me Parlamentin duhet t’ua bëni të qartë. Pastaj, në qoftë se nuk e bën ai detyrën, atëherë do t’i dalë emri në tabelën e zezë”, është shprehur Ruçi. Këtij debati i është bashkuar edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili deri para pak muajsh ka mbajtur detyrën e ministrit të Financave.
Ai ka kërkuar nga Spiropali që pasardhësja e tij në krye të Ministrisë së Financave të mos vonojë nismën për vendosjen e TVSH-së së reklamave për mediat online.
Gramoz Ruçi – Fillojmë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve me këtë rend dite: miratimi i kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 25 mars-12 prill, i cili duhet miratuar gjatë kësaj jave. Besoj se jeni njohur me të, sepse e keni para. Janë menduar tri seanca: ditën e enjte, 28 mars, ora 10:00; ditën e mërkurë, 3 prill, ora 10:00; dhe ditën e enjte, 11 prill, ora 10:00. Sigurisht, në kalendar do të mbarten për t’u shqyrtuar edhe ato që janë mbetur nga projektkalendari aktual. A ka ndonjë sugjerim?
Taulant Balla – Jam dakord me planifikimin e seancave qoftë në datën 28 mars, në datën 3 apo 11 prill. Po i kujtoj Shërbimit të Seancave se ka pasur një kërkesë nga Komisioni i Ekonomisë që marrëveshje, të cilat involvojnë marrëdhënie borxhi apo huaje, të kalojnë nga Komisioni i Ekonomisë. Me sa shoh, janë përfshirë, por duhet ta keni këtë gjë në vëmendje në mënyrë të vazhdueshme. Pra, të jetë komision përgjegjës Komisioni për Ekonominë dhe Financat për marrëveshjet e huas apo të granteve. Ishte një marrëveshje, për të cilën nuk ishte komision përgjegjës, por nuk ka problem, le të jetë herët e tjera.
Ermonela Felaj – Në fakt, unë nuk e kam posaçërisht për kalendarin, sepse jam dakord me të, por dua të ndaj me ju një sugjerim për një qasje tjetër, për të cilën mendoj se ka ardhur koha. Institucionet e sigurisë nuk janë institucione që përgjigjen në Kuvend, sepse kanë ligjin organik të tyre, i cili i detyron të bëjnë raportimet vjetore periodike, por vetëm te Komisioni i Sigurisë dhe për këtë arsye, unë dua edhe mendimin tuaj, duke qenë se keni përvojë më shumë në Parlament. A mendoni se ka ardhur momenti që raportet lidhur me këto institucione apo rezolutat për punën e tyre t’i miratojë vetëm Kuvendi i Shqipërisë, sepse puna është e mbyllur dhe janë vetëm anëtarët e Komisionit të Sigurisë, që kuptojnë se çfarë ndodh në këto institucione, por Kuvendi nuk është i informuar? Kështu që, unë besoj se duhet të ndryshojmë qasje, pasi dihet që puna e tyre lidhet me rendin, me sigurinë, me sigurinë kombëtare në veçanti, por mendoj se duhet të kemi një informacion më të përgjithshëm, natyrisht në ato linja që nuk cenojnë konfidencialitetin. SHISH-i ka raportuar në Komisionin e Sigurisë, sot do të raportojë SHÇBA-ja. SHISH-i tha se së shpejti do të marri miratim për raportin nga Presidenti dhe Kryeministri, të cilin duan ta bëjnë publik. Për këtë doja të bënim një thyerje në këto institucione, që të mos e shohin veten sikur nuk kanë lidhje me Kuvendin.
Vasilika Hysi – Faleminderit, zoti kryetar! Në komisione po raportojnë institucionet e pavarura dhe Shërbimi i Monitorimit ka marrë raportet e një pjese të mirë të institucioneve, ndërsa pjesa tjetër nuk ka raportuar. Një nga shqetësimet e ngritura nga shërbimet e Kuvendit dhe nga Shërbimi i Monitorimit lidhet me marrjen e informacioneve për zbatimin e rezolutave të Kuvendit dhe me zbatimin e detyrimeve ose rekomandimeve, që institucionet u kanë bërë ministrave përkatës, qeverisë dhe Kuvendit për ndryshime ligjore, buxhet, nxjerrje aktesh nënligjore e të tjerë. Unë kam një sugjerim: meqenëse këtu kemi ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që të gjitha institucionet që po raportojnë të pyeten në mënyrë të detajuar për këto dy aspekte, pasi Kuvendi ka një vakum të informacionit lidhur me zbatimin e rezolutave të Kuvendit dhe me rekomandimet që institucionet e pavarura bëjnë ndaj ministrive përkatëse. Kjo është e detyrueshme dhe besoj se komisionet e përhershme nuk mund ta bëjnë dot detyrën dhe punën e tyre pa pasur një informacion, që duhet t’ua vënë në dispozicion shërbimeve të Kuvendit, por ata nuk kanë informacion as nga ministrat dhe as nga një pjesë e institucioneve që raportojnë në Kuvend. Në këtë kuadër, do të ishte e domosdoshme një gjë e tillë dhe besoj se kjo mund të bëhet në këtë fazë kur po raportohet, me qëllim që edhe rezolutat që do të miratojë Kuvendi të mos jenë përsëritje e rezolutave të mëparshme me fjalë të përgjithshme, por të jenë detyra konkrete. Ky është një nga shqetësimet që është ngritur nga shërbimet e Kuvendit.
Elisa Spiropali – Për sa i përket asaj që zonja Spahiu ngriti për ligjin për asistencën sociale, që në fakt ishte një nismë e ministrisë, e cila do të përfshinte edhe nismën e deputetit Sinaj, ku unë kam qenë vetë në komision, duhet të ishte sjellë në muajin janar ose shkurt. Ai është gati në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili do të kalojë në konsultim dhe do të vijë në Kuvend. Ministrja më thotë që sapo të kalojë këtë fazë, do ta sjellin në Kuvend dhe unë do të diskutoj që ta përfshijmë në kalendar, sepse është e vonuar dhe kjo është e vërtetë. Çështjet e organizmave të pavarura apo komisioneri, veçanërisht atyre të antidiskriminimit, që unë i kam pritur edhe në zyrë, por në fakt, të gjitha institucionet e pavarura kanë ankesa në lidhje me rekomandimet e tyre. Unë pata një takim me ta (zonja Hysi, të kam nisur një raport për kërkesat që ata kishin, të njëjtin raport e kam nisur edhe në ministri), kam takuar të gjithë krerët e institucioneve të pavarura, që kanë lidhje me Kuvendin. Ata na kanë sjellë me shkrim dhe me e-mail nevojat dhe rekomandimet që kanë. Unë ua kam nisur të gjitha ministrive dhe duhet që ta intensifikojmë pak këtë punë, sepse shikoj që ka një qasje pak diskriminuese ndaj vetë institucioneve të pavarura, të paktën nga pjesa e ekzekutivit këtë gjë e kam diskutuar. Është e vërtetë që rekomandimet e tyre janë të detyrueshme, ose të paktën duhet të kemi një përgjigje edhe në raport me detyrimet që ka Kuvendi për monitorimin.
Arben Ahmetaj – Unë e ngrita shqetësimin edhe në mbledhjen e grupit, por po ia kujtoj ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin që ta shtyjë pak Ministrinë e Financave të kthejë përgjigje për nismën e TVSH-së për mediat elektronike, që ta fusim në axhendë për 3 javët e ardhshme.
Elisa Spiropali – Patjetër, por do t’ju lutesha që kur t’i nisni një shkresë një ministrie, të më vini edhe mua për dijeni që t’i kem. Në rregull.
Gramoz Ruçi – Dua të merren në konsideratë të gjitha shqetësimet që ngritën anëtarët e Konferencës së Kryetarëve. Në lidhje me institucionet e pavarura, nuk duhet të lihet kjo gjë kështu, ku shërbimet e Kuvendit të thonë: ‘Nuk kemi informacione’ apo përfaqësuesja e qeverisë të thotë: ‘I dëgjova edhe unë, por ata nuk i plotësojnë’. Këto gjëra nuk duhet të ngelen jetime. Shërbimet e Kuvendit prandaj janë Vasilika, që të mos u fshish lotët as ti dhe as unë. Ato janë aty për tri gjëra: Së pari, të dinë në çdo orë, në çdo çast dhe në çdo moment se cilat janë rekomandimet e secilit prej 21 institucioneve të pavarura kushtetuese të ngritura me ligj.
Së dyti, ku janë adresuar. Së treti, kush e ka plotësuar dhe kush nuk e ka plotësuar. Në lidhje me ato që nuk janë plotësuar, duhet të të vënë në dijeni ty, duhet të më vënë në dijeni mua, duhet të futen në komunikim me shkresa, me firmën tënde ose timen dhe t’i drejtohen institucionit, ministrisë përkatëse, ku t’i thuhet: ‘Zotëri, ne si Kuvend duam përgjigje për 1, 2, 3 ,4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 gjëra deri në këtë datë’.
Nga ana tjetër, ministrja që mbulon Marrëdhënien me Parlamentin duhet të jetë e azhurnuar me këtë informacion dhe duhet të kërkojë në mbledhjen e qeverisë si e ndërton punën ajo, me qëllim që qeveria të jetë e azhurnuar dhe e plotësuar me këtë çështje, pasi shumë shpejt këto institucione do të mblidhen dhe unë aty nuk do të bëj retorikë boshe. Unë do të bëj bilancin dhe më pas kemi detyrimin të njoftojmë seancën për këtë çështje. Prandaj, ja ku jemi, nuk i ndaj ministrat në të vjetër apo të rinj. Në raport, qoftë në takimin e radhës që do të bëjmë me institucionet e pavarura, qoftë me raportimin që do t’i bëjë Parlamentit, do të përmendet me emër dhe mbiemër çdo ministër që nuk e përmbush misionin e tij si ministër, në raport me këto institucione.
Në rregull? Prandaj, të mos thonë ‘Si?!’ Domethënë, t’ju bëhet e qartë, veçanërisht të rinjve që janë vendosur ministra, që në fund të fundit, ata nuk e dinë, nuk janë familjarizuar me këtë çështje dhe për këtë arsye duhet ta kenë të saktë. Të mos thonë si na doli publikisht emri kështu. Prandaj, pa shkuar këtu, edhe shërbimet e Kuvendit duhet t’ua bëjnë të qartë, edhe ju si ministre që mbuloni Marrëdhëniet me Parlamentin duhet t’ua bëni të qartë. Pastaj në qoftë se nuk e bën ai detyrën, atëherë do t’i dalë emri në tabelën e zezë. Faleminderit!
/PANORAMA/