Nga Enton Palushi
Nëse një i huaj, një amerikan, gjerman apo anglez do kishte ndjekur fjalimet e fundit elektorale të kryeministrit Edi Rama, atë në Kukës, por sidomos atë në Librazhd, me siguri do kishte vënë duart në kokë. Me bast që do ishte habitur nëse do i kishin thënë se qytetarëve po u flet jo lideri i opozitës, por kryeministri që po shkon drejt mesit të mandatit të dytë, njeriu që ka në pushtet mbi dy dekada në vend. Rreth 99 për qind e të gjithë fjalimit ishin hajgare dhe akuza ndaj opozitës. Asnjë fjalë të vetme se përse ky kryeministër ka aftësinë që të mposhtë opozitën në çdo betejë, kudo e kurdo, në çdo cep të vendit. Asnjë koment përpara librazhdiotëve apo kuksianëve se cila është arsyeja se përse njerëzit duhet ta votojnë kryeministrin dhe krye-kryebashkiakun e Shqipërisë. Një i huaj do kishte pritur së paku që kryeministri të tregonte se aftësitë e tij si ‘masakrues i opozitës’ burojnë nga fakti se ai ka rritur ndjeshëm pagat e pensionet, ka shtuar mirëqenien, ka bërë që biznesi të lulëzojë, që pabarazia të ulet (dhe jo që një grusht njerëzish të kontrollojnë gjithë pasurinë në vend), ka përmirësuar fuqishëm arsimin dhe shëndetësinë, i ka dhënë hov bujqësisë, ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Asgjë, zero, nul, nada.
***
Që kryeministri Rama është i mirë për të bërë vetëm fushatë negative, kjo dihet. Që Rama e shpenzon shumicën dërrmuese të kohës jo duke qeverisur, por duke bërë fushatë elektorale, edhe kjo nuk është gjë e re. Që ka qytetarë që e besojnë edhe pse vetëm i argëton me fjalime, kjo nuk është e habitshme sepse sot 70 për qind e botës drejtohet nga politikanë të këtij soji. Por në ‘lumin’ e sulmeve ndaj opozitës nuk mund të mos binte në sy një frazë që po përdoret vazhdimisht nga Rama gjatë këtyre ditëve. Ai tha se kur ia ka dalë të mundë Sali Berishën dhe njerëzit që e rrethonin, Lulzim Bashën e ka ‘bukë e djathë’. Pa prit pak? Deri më tani, Rama dhe rrethi i tij i kanë mëshuar fort idesë që burimi i dobësisë së Lulzim Bashës ka qenë Sali Berisha. Se Luli ishte djalë i mirë dhe artist, por kishte këtë barrën e Berishës mbi shpinë. Tani që retorika e tyre ka ndryshuar dhe thuhet se Berishës nuk ia lejon koha biologjike të rrezikojë pushtetin e Ramës, po na thuhet se burimi i dobësisë qenka vetë Basha. Përsëritja e kësaj fraze vazhdimisht, shoqëruar me sulmet e shtuara ndaj Bashës edhe nga media, lë të kuptosh se shqetësimi është se me Bashën po ndodh një fenomen politik, që studiuesit e lidershipit e quajnë thyerja e ‘Rrethit të artë’.
***
Kur bie fjala te lidershipi, të paktë janë ata studiues që shkojnë te niveli i Simon Sinek. Shanset janë që mund të keni dëgjuar për të pasi ka shkaktuar shumë bujë me teorinë e ‘Rrethit të artë’. Për ta thjeshtuar shpjegimin, Sinek thotë se një lider i mirë është ai që i jep përgjigje tre pyetjeve të ‘Rrethit të artë’. Pyetja e parë është ‘çfarë?’, e dyta është ‘si?’ dhe e treta, ajo më e rëndësishmja, është ‘pse?’. Shumë pak liderë ia dalin që të thyejnë rrethin duke u futur te pyetja e tretë: pse.
Pyetjes së parë dhe të dytë mund t’i japin përgjigje shumë njerëz. Edhe Ralf Gjoni madje. Lulzim Basha është lodhur duke iu përgjigjur atyre: Ka thënë se është një djalë i ri me një shkollim të mirë në Perëndim, që ka njohje për politikën dhe jurisprudencën, që ka qenë ministër në dikasteret që kanë shënuar arritjet më të rëndësishme të qeverisjes së PD, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi i rrugëve, etj. Edhe pyetjes së dytë i është përgjigjur duke thënë se ndryshe nga sa thuhet nga e majta, ai e ka një program, ka premtimet e tij për ulje taksash dhe shtim investimesh, madje ky program është certifikuar nga CDU e gjermanëve. Për dy pyetjet e para, truri ynë reagon me pjesës më të re, atë të neokorteksit, por që nuk vendos shumë për sjelljen.
Dhe këtu vijmë tek pyetja e tretë: Pse? Pse duhet ta votojmë Lulzim Bashën? Pse duhet të shkojmë pas tij? Pse duhet ta përkrahim? Kësaj pyetje, sipas Sinek, i jep përgjigje truri limbik, pjesa e trurit përgjegjëse për ndjenjat, sidomos për besimin dhe besnikërinë. Është kjo pjesë e trurit që aktivizon sjelljen njerëzore dhe vendimmarrjen. Është pikërisht ajo pjesë që nuk ka shumë kapacitet për gjuhën. Vetëm liderët më të zotë e aktivizojnë këtë pjesë.
***
Ajo që po shohim qysh përpara mitingut të 16 shkurtit e në vazhdim, na sugjeron se Basha po arrin të thyejë vijën e fundit të ‘Rrethit të artë’. Njerëzit e ndjekin, e rrethojnë, e mirëpresin dhe e pranojnë. Edhe pse nuk mund të thuash me saktësi nëse vala është shumë e madhe apo jo, ajo çka na mbetet momentalisht është të spekulojmë se pse ka ndodhur ky fenomen.
Ndoshta për shkak të lëvizjeve të Bashës? Apo për shkak të keqqeverisjes dhe dobësive të Ramës? Ose thjesht sepse ky është një proces normal në një realitet politik? Apo sepse qytetarët janë duke kërkuar gjithmonë të keqen më të vogël? Në Shqipërinë pa sondazhe e pa studime, vështirë të thuhet ndonjë gjë me saktësi në këtë drejtim. Fakt është se Basha po troket tek pjesa limbike e trurit të njerëzve, ajo që drejton emocionet dhe ky është zhvillimi më interesant i muajve të fundit. Sepse kur në politikë futen në lojë ndjenjat, situata komplikohet ndjeshëm. Sidomos për pushtetin.