Ahmet Prençi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shprehet se mazhoranca nuk ka vullnet për të luftuar krimin dhe për të mbështetur policinë në luftën ndaj bandave dhe kriminalitetit.
Një javë nga vrasja e dy vëllezërve Bilali në Shkodër, ish-Drejtori i Policisë në Shkodër në një intervistë e ekskluzive dhënë për e-etimes.com ka folur mbi situatën e rënduar të kriminalitetit në kryeqendrën veriore.
Pse ndodhin vrasjet në Shkodër? Kush e favorizon forcimin e grupeve kriminale në Shkodër? Përse u sulmua Prokurori Ylli Pjetërnikaj pas arrestimeve të bujshme? A do arrijë drejtori i ri i policisë në Shkodër të mund krimin?
Shkodra gjatë 10 muajve të fundit është tronditur nga krimi, kryesisht vrasjet mafioze, si do e komentoni këtë situatë? Pse po ndodhin këto vrasje?
Me dhimbje e them që pas vitit 2013 të gjithë banditët e liruar nga burgu, të arrestuar në kohën që unë drejtoja policinë në atë kohë, u bënë njësh më pushtetin e ri të rilindjes, me akses të plotë në angazhimin në procesin zgjedhorë, në emërimin e njerëzve të tyre në krye të institucioneve lokale, në ekspozimin e dukshëm të aleancës me pushtetin dhe kjo, duhet thënë, ja pret krahët policisë. Këto rrethana e bën policinë të pamundur të godas njerëz të lidhur me pushtetin e për pasojë situata dihej që do vinte në këtë pikë. Policia nuk është se nuk ka informacion për veprimtarinë kriminale të përsonave të caktuar me CV kriminale të pasur, nuk është se ska njerëz të ndershëm e të përkushtuar, por ndërkohe policia ka dhe informacionin se si funksionojne aleancat me pushtetin, si ato shkëmbejnë favore me pushtetin, se si ata pasurohen dhe rrisin hegjemoninë e tyre nëpërmjet këtyre lidhjeve të pista. Në këto kushte policia gjendet e tulatuar dhe e pa motivuar për të qenë në përmbushje të misionit të saj.
Duhet thënë që muajt e fundit janë goditur disa raste që duhen evidentuar. Kam ndjekur me vëmendje publikimin e këtyre rezultateve dhe kam konstauar se kjo ishte punë e Prokurorisë së Shkodrës. Një punë mjaft e mirë. Kam mësuar gjithashtu se prokurori Ylli Pjetërnikaj me sa kujtoj u sulmua nga disa portale. Kjo më nxiti për të mësuar se cfar përfaqeson ky prokuror?! Përse e sulmojnë kur kryen punë të mira?! Ishte një djalë i ri në moshë por me një shkollim të admirueshëm dhe me një prezantim dinitoz e shume profesional në të gjitha pozicionet që ka punuar. Më erdhi mirë se Shkodra meriton ti shërbejnë të tille përfaqsues të ligjit.
Ministri Lleshaj, tha se shkodranët duhet të ndihen të sigurtë, si i shikoni këto deklarata?
Ministri Lleshaj tha dhe tjetrën; që vrasjet bëhen për “larje hesapesh” mes grupeve kriminele. Shteti dhe institucionet ekzistojnë që me këto hesape të mërren pikërisht mekanizmat ligjzbatuese dhe kurrsesi t’ju lihet në dorë gangsterëve për të kryer masakra në mes të qytetit. Kjo shprehje e Ministrit është në vazhdën e asaj cfar deklaronte kohë më parë Kryeministri që “ le të hanë kokat e njëri-tjetrit”. Sipas tyre i bie që policia vetëm të evidentoj numrin e viktimave dhe të mos merret me shkaqet që ndodhin këto vrasje, motivet etj. Kushtetuta dhe ligji ju garanton të drejtën e jetës edhe personave të dënuar me burgim të përjetshëm. E kundërta duhet të ndodhë. Evidentimi i cdo konflikti, reagimi në kohë për të ndërhyrë dhe për të mos lejuar të precipitoj situate deri në këtë shkallë. Janë me qindra dosje të vjetra, vrasje të pazbardhura, të pezulluara që nëse “flejnë” dhe zënë pluhur në syrtarët e policisë, bëhet shkak pastaj për reagim të vetë qytetarit që i dhemb shpirti për njeriun e tij të vrarë dhe kur ka parë se shteti nuk vepron për të bërë drejtësi i rikthehet kanunin të lashtë e vetgjyqësisë, gjë që nuk duhet lejuar të ndodh kurrsesi. Ka vite që nuk publikohet në të gjithë vendin për hetimin, rifillimin e një dosje e vjetër e të informohemi se autori është arrestuar për një vrasje që ka ndodhur vite më parë. Prandaj Ministri ka si prioritet angazhimin e plicisë me të gjithë strukturat e saj në protestat e opozitës duke e spostuar tërësisht nga misioni i saj, atë të luftës kundër krimit. Se sa të sigurtë janë qytetarët e Shkodrës e tregojnë pikërisht këto ngjarje seriale dhe tronditëse.
Në Shkodër është sjell një drejtor i ri policie, ndërsa ka patur ndryshime të drejtuesve në të gjithë vendin. A besoni se këto ndryshime do të zbardhin ngjarjet?
Unë kam respektin më të madh për punonjësit e policies dhe drejtuesit e ndershëm te saj. Nuk besoj se me rrokada drejtorësh apo shefa komisariatesh ndryshon ndonjë gjë. Kryesore, vendimtare, themelore dhe më e rëndësishme për punën e policisë është vullneti politik. Ky vullnet mungon fatkeqësisht nga kjo mazhorancë.
Kemi diskutime të forta të cilat e përfshijnë policinë në marrëdhënie me bandat, si e shikoni situatën?
Gjithmonë në një organizatë të madhe sic është policia ka individ që edhe përfshihen në veprimtari kriminale. Kjo ndodh edhe në polici më shumë të zhvilluara se e jona. Instrumentat për të monitoruar implikimin e policit në krim ekzistojnë. Për mendimin tim punonjësi i policisë është më i monitoruar se askush tjetër në administratën e shtetit. Implikimin e policisë në krim e bëri me shumë devocion vetë politika. Kemi parë se si Saimir Tahiri me platformë shtëtërore implikoi strukturat e policisë në kanabizimin e gjithë vendit. Kemi parë se si u mbollën 219 000 ha tokë me canabiss sativa, mijëra qytetarë si skllevër modern në sytë e policisë transportoheshin për të kultivuar këtë bimë, me mijra tubacione u shtrinë për vaditjen e tyre, u ndërtuan pista avionesh ne të gjithë cepat e vendit po në sytë e policisë. Tonelata drogë u trafikuan në Itali e Greqi nëpërmjet doganave shqipëtare e nga deti në sy të policisë kufitare. E sot gjendemi në një situatë ku ish Ministri i Brendshëm është nën akuzë zyrtare për trafik ndërkombëtar droge dhe drejtues policia në arrati po me të njëjtën akuzë. Ky është turpi që shikojnë ndërkombëtarët tek drejtuesit më të rëndësishëm të institucionit të sigurisë në vend. Ne drejtimin e policisë mazhoranca emëroi militant të Partisë Socialiste, komisionerë, sponsorizues fushatash elektorale, kjo e dokumentuar dhe e bërë publike. Bisedat e fundit të bëra publike në komunikimin e drejtuesve të policisë në Fier me trafikantë, tregon më së miri se kush e drejton policinë dhe cfar prioritetesh kanë ata në luftën kundër krimit!
A gjykoni se politika po ndikon në fuqizimin dhe mbrojtjen e grupeve kriminale?
Unë e kam deklaruar për publikun edhe herë tjetër se pushteti këto vite ka patur një aleancë të ngushtë më grupet kriminale në të gjithë vendin, edhe në Shkodër. Materialet e bëra publike nga dosjet penale të prokurorisë e tregojnë më së miri aleancën e punët e përbashkëta të pushtetit politik me krimin. Kjo është demotivuese dhe shkatërruesë për policinë e shtetit. Tashmë grupet kriminale disponojnë sasi të mëdha parash të pista që konkurojnë buxhetin e shtetit. Ato para nuk përdoren për punë publike, për pensione apo paga për qytetarët. Ato para të pista përdoren për të blerë pushtet, për të blerë drejtësinë dhe për të zgjeruar hegjemoninë e tyre kriminale. Ndaj situata e krijuar është shumë alarmante dhe e rrezikshme.
Si mendon të ndryshohet situata e kriminalitetit në Shkodër?
Në Shkodër dhe në të gjithë vendin situata ndryshon duke i dhënë mbështetjen e duhur policisë dhe duke i hequr lakun e politikës që po i zë frymën. Policia gjithmonë ka fituar kundër krimit edhe pse herë herë ka qenë e dobët. Por në kushtet kur krimi është i përzier me pushtetin lufta e policisë është e humbur. E thash dhe më lart që vetëm vullneti i hekurt politik e motivon policinë për të qenë ngadhnimtare ndaj krimit.
A ka humbur besimi ndaj strukturave të policisë së shtetit?
Me keqardhje them që policia është në kuota shumë të ulta të besueshmërisë ndaj publikut. Në kushtet kur 38000 qytetarë janë arrestuar se s’kishin mundësi të paguanin energjinë elektrike e ndërkohë të gjithë banditët e vendit pasurohen me para droge dhe asnjëri nuk arrestohet, secili kontrollon teritore të caktuara me forcën e kërcënimeve kriminale dhe policia ka duart e lidhura të merret me ta, në këto kushte besueshmëria është e minuar dhe e goditur pas shpine shumë rëndë. Policia është një shërbim ndaj qytetarëve dhe shërbimi më i mirë është të përmbush misionin e saj duke siguruar jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve.
A mund të rikthej vetingu në polici këtë besim?
Unë e kam kundërshtuar publikisht që në krye të herës të astuquajturin veting në polici. Fatmirsisht reszultoi një ligj i dështuar dhe këtë e tregon dhe propozimi i Ministrit të Brendshëm për ta ndryshuar këtë ligj. E kam thënë dhe e përsëris që policia kontrollohet nga Sherbimi inteligjent në Ministrinë e Brendshme, kontrollohet nga eprorët e cdo strukture, nga SHISHI, nga Prokuroria, nga ILDKPKI-a, nga media, nga Avokati i Popullit, nga komuniteti… Nëse do shpenzojmë miliona euro thjesht për të propoganduar se ky veting pas pesë vitesh do e pastrojë policnë është thjeshtë e vetëm demadogji që nuk sjell asnjë rendiment. Kryerja e detyrës nga strukturat e ngarkuara me ligj për të goditur cdo punonjës policie që shkel ligjin është vetingu më i mirë që e shëron organizatën e policisë. Asnjë organizatë në botë nuk ka aplikuar të ashtuquajturin veting. Eksperimentet hibrite me institucionet në vendin tonë duhet të marrin fund. Policia ka nevojë për paga më të larta, veshje dhe paisje me të mira, trajnim e shkollim të vazhdueshëm, teknologji e mjete bashkëkohore dhe së fundi e më i rëndësishmi vullneti politik. Faleminderit! /Intervistoi Emi Kalaja /