Kombëtarja e Kosovës po vazhdon me paraqitjet fantastike.
Televizioni amerikan i sportit, ESPN, e ka publikuar një artikull të veçantë për Kombëtaren e Kosovës në versionin e saj online.
Sapo e merr topin Arbër Zeneli, ajri mbushet me elektricitet. Kjo nuk është aspak e pazakontë: Anësori i majtë është njëri ndër lojtarët që e ngre Kosovën mbi mesatare dhe, pikërisht kur kishte nevojë, ai e bëri këtë gjë përsëri, shkruan ESPN.
Kosova ishte e irrituar nga Bullgaria kokëfortë dhe, pas vetëm gjysmë ore lojë të hënën, ishte duke pësuar disfatë. Pastaj, me një vrapim të shpejtë nga krahu i majtë, me një kalim të mbrojtësit dhe me një goditje në shtyllën e dytë, Zeneli e çoi në këmbë stadiumin dhe e zhduki tensionin në qiell.
“Vazhdoni të ëndërroni, Dardanë”, shkruhej në koreografinë e përgatitur në stadiumin “Fadil Vokrri”, që u shfaq para se të fillonte ndeshja. Me kalimin e kohës atë natë, tifozët e Kosovës mund të vazhdonin të besonin në diçka që ishte besuar të jetë plotësisht e pamundur për një kohë të gjatë.
Askush nuk do të kishte guxuar të sugjeronte para pesë vjetëve se Kosova, një shtet i shkatërruar nga lufta që e kishte shpallur pavarësinë në vitin 2008, do ta prodhonte njërën prej lojërave më të mira të futbollit në Evropë.
Gjatë viteve të 90-a, kur tensionet me regjimin serb po intensifikoheshin, ishte konsideruar shumë e rrezikshme që ndeshjet sportive të zhvillohen në publik. Tani, ekipi është i pamposhtur që ndeshje dhe duket se është e pamundur t’ia ndalësh golat dhe stilin e bukur të lojës.
Etiketa “Brazili i Ballkanit” që i ka ndjekur ata si lloj shakaje nuk duket më e tillë.
“Do t’i tregoj Anglisë se nuk do ta kenë të lehtë kundër Kosovës”, kishte thënë Christian Eriksen të enjten e kaluar, pasi Danimarka e tij arriti ta marrë një barazim 2:2 në Prishtinë.
Kosova mund të jetë surprizë në grupin kualifikues të Anglisë për EURO 2020. Barazimi 1:1 me Bullgarinë e filloi rrugëtimin e “Dardanëve”, por, edhe para kësaj ndeshjeje, ata ishin dy ndeshje larg shkrimit të historisë.
Nëse Kosova e mposht Maqedoninë e Veriut e pastaj Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në play-offs të Ligës së Kombeve, ata do të kualifikohen në EURO 2020 pa pasur nevojë për një rrugë më konvencionale. Kështu, njëra ndër histori më mbresëlënëse të futbollit do të thyejë rekorde të reja.
Samir Ujkani e mban mend kur ekipi ishte bashkuar në Mitrovicë. “Kisha lot në sy kur i pashë të gjithë njerëzit në stadium”, tha ai. Si 30-vjeçar, kapiteni dhe portieri i Kosovës nuk mund të konsiderohet veteran, por askush tjetër nuk ka qenë pjesë e skuadrës që nga fillimi.
“Ne u bashkuam, nuk e njihnim njëri-tjetrin”, u shpreh Ujkani për skuadrën që u përball me Haitin më 5 mars të vitit 2014, në veri të Kosovës, duke luajtur në një fushë që mezi e bënte barazimin pa gola të shikueshëm.
Kosova nuk ishte ende anëtare e FIFA-s, por pas një beteje më shumë se një dekadëshe, atyre u ishte dhënë leja për të zhvilluar ndeshje miqësore. Një skuadër, e krijuar nga lojtarët nga klube të vogla të Skandinavisë dhe Evropës Qendrore, ishte thirrur për ndeshjes vlera simbolike e së cilës ishte më e madhe sesa nevoja për një rezultat të mirë.
“Para ndeshjes, ne i mbajtëm dy seanca stërvitore dhe as nuk e dinim emrin e njëri-tjetrit. Ishte sikur të themi “Përshëndetje” një ditë dhe “Si e ke emrin” ditën tjetër. Por, menjëherë, ne e patëm ndjenjën që jemi vëllezër”, shtoi Ujkani.
Ato seanca stërvitore u mbajtën në një kamp stërvitor në Obiliq, afër Prishtinës.
“Fusha nuk ishte e mrekullueshme, të shkaktonte probleme në gju dhe në kyç”, tha Ujkani për fushën në të cilën Kosova u detyrua të luajë në fillim. Aty afër ishin tymtarët e KEK-ut, Korporatës Energjetike të Kosovës, që e ndotnin ajrin.
“Nuk ishin momente të lehta”, tha ai, duke i kujtuar ditët e para.
Atëherë, ata stërviteshin nga Albert Bunjaki, i cili i mbolli farat e suksesit të Kosovës dhe e dërgoi skuadrën e tij sa më lart që kishte mundësi. Ai punoi për vetëm 600 euro në muaj nga viti 2009 në vitin 2016 dhe nganjëherë pagoi edhe për shpenzimet e asistentëve të tij.
Trajneri kosovar, që jetonte në Suedi, e drejtoi skuadrën në ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës për Kosovën, pasi FIFA dhe UEFA ia dhanë dritën e gjelbër në maj të vitit 2016.
Kosova barazoi në ndeshjen e parë kualifikuese, si mysafir kundër Finlandës, por i humbi nëntë ndeshjet e radhës në një grup të vështirë, ku garonin Islanda, Turqia, Ukraina dhe Kroacia. Bunjaki dha dorëheqje; durimi nuk ishte në dispozicion në atë ditë të hershme dhe Ujkani i thekson kushtet e këqija me të cilat punoi Bunjaki.
“Alberti e krijoi këtë skuadrës. Ai na bashkoi neve dhe puna e tij nuk ishte e lehtë. Ne nuk kishim fusha. Nuk kishim stadium të përshtatshëm. Vozisnim për orë të tëra me autobus për në Shkodër të Shqipërisë, ku i luanin ndeshjet e shtëpisë për kualifikim në Botëror. Tani, organzimi i Federatës është i përsosur. Kosova duhet ta falënderojë Albertin”, theksoi kapiteni i Kosovës.
“I humbëm ato ndeshje, por ne u bëmë më të fortë së bashku sepse e dimë se kjo ishte mënyra për ta kaluar atë moment të vështirë. Ishte fillim i vështirë, por ne u detyruam ta rregullojmë dhe ta kalojmë atë moment. Djelmoshat luftuan e u rritën. Mendësia jonë ishte shumë u fuqishme”.
Pasardhësi i Bunjakit, Bernard Challandes, u emërua në pozitën e trajnerit në mars të vitit 2018 në tentim për ta ndryshuar trajektorën e skuadrës. “E pranova këtë punë sepse unë e kisha ndjenjën që kishte potencial”, tha Challandes. “Ne jemi si një foshnje e vogël, disa vjeçare. Ne duhet të mësojmë gjithçka”.
Nën drejtimin e Challandes, Kosova lulëzoi. Ata i shënuan 15 gola në gjashtë ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe dukeshin një nivel më lart se Ishujt Faroe, Malta dhe Azerbajxhani në Grupin D3. Shuma nga bisedat e trajnerit Challandes me gazetarët kosovare fokusohen te fakti se kosovarët nuk duhet ta mbivlerësojnë veten.
“Tani, ne e kemi gjetur një mesatare të mirë mes mbrojtjes dhe sulmit. Lojtarët kosovarë mendojnë më shumë për sulmit dhe ngajënjëherë më duhet të luftoj me këtë gjë. Por, ne duhet t’i pranojmë cilësitë e lojtarëve dhe identitetin tonë si skuadër e Kosovës. Kosova duhet të jetë gjithmonë ekipi që tenton të luajë futboll”, u shpreh Challandes.
Shumë prej lojtarëve të Kosovës u rritën jashtë Kosovës, për shkak se prindërit e tyre u larguan për shkak të luftës. Por, pjesa mes ndeshjeve dhe stërvitjeve u jep ature mundësi për t’u lidhur me rrënjët e vendit të tyre.
“Është e këndshme t’i shohësh të gjithë. Ti i takon edhe familjarët dhe kjo të jep energji dhe të motivon”, tha Zeneli, anësori i Reims.
Përmirësimi i Kosovës në fazën e sulmit është pjesërisht për shkak të Zenelit, i cili i torturoi danezët dhe i ka shënuar shtatë gola që nga 2018-a. Ai dhe Milot Rashica i Ëerder Bremenit janë dy nga lojtarët më emocionues anësorë të kontinentit. Ata janë yjet e kësaj skuadra të re dhe shpërthyese të Kosovës, që është e mbushur me futbollistë të talentuar nga diaspora, të cilët një nga një janë bërë pjesë e “Dardanëve” pas ndeshjes kundër Haitit.
Arijanet Murici, portieri i Manchester Cityt, u lind në Zvicër por u bë pjesë e Kosovës vitin e kaluar dhe tani e ka zënë vendin e Ujkanit në formacionin e parë. Valon Berisha, mesfushori i Lazios, i cili i kishte bërë 20 paraqitje për Norvegjinë, debutoi kundër Finalndës për Kosovën. Dyshja e Zurichut, Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu, që të dy munguan kundër Danimarkën për shkak të lëndimeve.
Shumica e këtyre lojtarëve u intervistuan personalisht nga Bunjaki, i cili udhëtoi nëpër Evropë me paratë e tij për t’i mbajtur kontaktet me futbollistët dhe familjarët e tyre. Challandes vazhdon të punojë për t’i marrë edhe lojtarë të tjerë, si Meritan Shabani i Bayern Munichut e Labinot Kabashi i Barcelonës.
Duket se deti i lojtarëve të talentuar kosovarë në botë nuk ka fund dhe Kosova po bëhet gjithnjë e më e fushishme. Kjo po e rrit mundësinë që përgjigjet e futbollistëve të jenë pozitive.
“E mora këtë vendim me gjithë zemër” tha Zeneli, i cili lindi në Suedi dhe ishte pjesë e skuadrës suedeze në Kampionatin UEFA U-21 në vitin 2015. Ai nuk nënshkroi me Kosovën në kohë për të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese për Botëror. Dokumentet e tij ende po përpunoheshin kur Kosova luajti kundër Finlandës, në shtator të vitit 2016. Pesë nga futbollistët e skuadrës së Kosovës e morën lejen për të luajtur për Kosovën vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes. Zeneli debutoi muajin tjetër dhe thotë se përmirësimi është i vërejtshëm.
“Sipas mendimit tim, ne kemi emër tani”, thotë Zeneli. “Njerëzit janë të vetëdijshëm se ekipi kombëtar nuk është këtu vetëm për të luajtur dhe se duam të fitojmë gjithçka. Na u nevojit pak kohë për t’i marrë lojtarët, por tani jemi rehatuar”.
“Në fillim, loja ishte më individuale, por mendoj se tani e kemi krijuar një skuadër që është si familje. Të gjithë luajmë për njëri-tjetrin dhe mendoj se ky është dallimi më i madh i skuadrës tani në krahasim me atë në fillim. Nuk mund të flas për të tjerët, por unë mendoj se të gjithë luanim më shumë për veten. Tani, punojmë për njëri-tjetrin. Ne i bëjmë të gjitha gjërat e vogla dhe rezultati është pozitiv”, shtoi Zeneli.
Ndryshimi mund të jetë për shkak të pjekurisë. Mosha mesatare e ekipit të Kosovës është 23-vjeçare. Disa prej tyre ishin ende adoleshentë kur luajtën kundër Kroacisë për herë të parë.
E diela e shënoi pikërisht 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, të cilët u bënë me qëllim të detyrimit të liderit serb, Slobodan Milosevic, t’i largojë forcat serbe nga territori i Kosovës. Tani, e kaluara shërben si motivim për ta formësuar të ardhmen.
“Ndoshta jo të gjithë e dinë historinë e Kosovës, të luftës, por ne duam t’ua shpaguajmë këtë njerëzve këtu. Emocionet, mbështetja që marrin nga të gjithë, janë të mrekullueshme. Ndiej lumturi të thelli kur jam këtu dhe gjithçka më vjen natyrshëm”, shprehet Zeneli.