Ka një investim të madh mediatik, këto ditë, për të rikthyer në publik çështjen e financimit të lobimit amerikan të PD-së, duke ricikluar sajesën për lidhje ruse.
Exit.al ka analizuar faktet dhe propagandën, përfshi deklarimet zyrtare të lobistëve të PD-së në SHBA, letër porositë e ardhura nga SHBA dhe Britania, dëshminë në prokurori të kryetarit të PD-së, ka kryer intervista dhe la shqyrtuar dokumenta të tjera dhe po sjell një përmbledhje të gjetjeve, duke filluar me faktet dhe pastaj me propagandën.
Faktet
Partia Demokratike loboi në SHBA në gjysmën e parë të vitit 2017, kur ajo kishte braktisur Kuvendin dhe kishte ngritur çadrën para Kryeministrisë.
Për këtë gjë, ajo vendosi të lobojë në SHBA dhe nënshkroi një kontratë me kompaninë e lobistit amerikan Nick Muzin, të cilit i pagoi $25 mijë për shërbimin. Kontrata dhe pagesa u deklaruan që në fillim në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-ve, sikurse kërkon ligji për regjistrimin e lobistëve për qeveri apo institucione të huaja (FARA). Kjo kontratë është e vetmja kontratë lobimi e firmosur nga PD dhe bashkë me pagesën ajo është deklaruar në KQZ nga Partia Demokratike.
Disa muaj pas deklarimit të kontratës së mësipërme në FARA, Nick Muzin deklaroi po aty edhe dy pagesa të tjera, që ai deklaroi se ishin bërë në favor të Partisë Demokratike, por pa patur kontratë me PD për to. Njëra nga pagesat ishte kryer nga shoqëria skoceze Biniatta Trade prej $150 mijë, dhe një tjetër prej $500 mijë paguar nga qytetarë amerikanë, por emrat e të cilëve ai nuk i ka bërë publik.
Biniatta Trade është kompani e regjistruar rregullisht në Skoci, në pronësi të dy kompanive të regjistruara offshore në Belize. PD nuk ka asnjë kontratë me Biniatta Trade, ndërkohë, Nick Muzin ka dorëzuar një kontratë konsulence me Biniattan, por të pa firmosur prej saj. Sidoqoftë, pagesa prej $150 mijë nga Biniatta për Muzin është bërë në mënyrë bankare, nga burime të ligjshme, për të cilat janë paguar taksat britanike dhe ato amerikane. Ligjet amerikane dhe britanike nuk ndolojnë trasnaksione të tilla.
$500 mijë dollarë të tjera janë paguar për Nick Muzin nga brenda SHBA-ve, pa kontratë me të dhe ai nuk ka bërë publike se kush e ka kryer pagesën. Sidoqoftë, edhe kjo pagesë është nga burime të ligjshme, është e deklaruar rregullisht nga Muzin dhe për të janë paguar taksat dhe detyrimet ligjore amerikane. Ligjet amerikane nuk ndalojnë as pagesat pa kontratë dhe as pagesat për lobim, mjaft që të deklarohet se për kë bëhet lobimi.
Prokuroria shqiptare i ka hetuar të treja pagesat, duke marrë zyrtarisht informacione nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar rreth enteve të përfshira dhe mënyrës së kryerjes së tyre dhe nuk ka gjetur asnjë fakt apo indicie për shkelje ligjore apo burime të paligjshme a të dyshimta, përfshi burime apo kontakte ruse.
Në këto rrethana, akuza e vetme për të cilën ajo po heton është deklarimi i rremë në formularë—siaps nenit 190 të Kodit Penal,—duke dyshuar për mos deklarim të plotë në KQZ të të gjithë të ardhurave dhe shpenzimeve të PD-së për vitin 2017. Në KQZ, PD ka deklaruar vetëm kontratën dhe pagesën direkte për Nick Muzin, ndërkohë që prokuroria pretendon se edhe pagesa nga Biniatta dhe ajo nga brenda SHBA për Muzin duhet të ishin deklaruar si të ardhura dhe shpenzime të PD-së.
Prokuroria nuk ka marrë asnjë të pandehur dhe nuk ka ngritur zyrtarisht akuzë as ndaj Partisë Demokratike dhe as ndonjë drejtuesi të saj. Sidoqoftë nëse prokuroria e verteton dyshimin e saj, Kodi Zgjedhor i konsideron deklarimet e pa sakta kundravajtje administrative, që dënohen me gjobë. Për më tepër, ajo tashëm është parashkruar pasi kundravajtjet parashkruhen pas një viti.
Ndërkohë, nuk ka asnjë hetim tjetër për këtë çështje as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britani, pasi nuk ka dyshime për shkelje të ligjeve amerikane apo britanike.
Tashmë, është fakt i provuar nga hetimet e prokurorisë se “lidhja ruse” e propaganduar nuk ekziston dhe ka qenë sajesë, ndaj edhe prokuroria, ndonëse është nën kontrollin e kryeministrit, nuk ka folur asnjëherë për një gjë të tillë dhe nuk ka rrjedhur në media asnjë informacion që ka marrë nga jashtë për këtë çështje.
Propaganda
Duke përfituar nga paqartësitë në pagesat e marra nga Muzin, propaganda e Kryeministrit Rama është munduar prej më shumë se një viti të krijojë idenë se paratë kanë ardhur nga burime të lidhura me Rusinë.
Historia filloi me një konsulent politik amerikan, të intervistuar nga Exit.al, i cili duke hulumtuar për informacione për të dëmtuar Nick Muzin, për shkak të konkurencës në një garë politike të palidhur me Shqipërinë, ndeshi pagesat që Muzin kishte marrë nga Biniatta, të deklaruara si lobim për PD-në.
Duke dashur të dëmtojë Nick Muzinin, konsulenti u përpoq të bënte publike parregullsitë e dyshuara në kontratat e tij të lobimit, por nuk arriti të ngjallte interesin e askujt në Uashington.
Nuk dihet se si, por ai arriti të vihet në kontakt me Kryeministrin Rama apo njerëz të tij, të cilët kuptuan se kjo ishte mundësi për të sulmuar Lulzim Bashën. Me informacionin e furnizuar nga konsulenti amerikan, stafi i Zotit Rama sajoi një artikull, të mbushur me keqinformime dhe spekullime për lidhje ruse, i cili iu servir i gatshëm, fillimisht një medieje ballkanike online, e cila botohet në gjuhën angleze, por ajo refuzoi ta botojë për shkak të abuzimeve me standardet gazetareske.
Në kërkim të një media të huaj për t’u dhënë besueshmëri spekullimeve, Zoti Rama arriti të rekrutojë ndihmën e Mother Jones—një media e majtë në SHBA, e cila, ndër të tjerë, është financuar nga George Soros. Mother Jones ishte media e parë që shkroi për dosjen tashmë të diskredituar Steel, mbi të cilin filloi hetimi për “lidhejt ruse” të Presidentit Trump dhe ka qenë e investuar tërësisht në propagandimin e ethshëm të këtyre “lidhjeve”.
Tre gazetarë të Mother Jones—mes tyre David Corn, i cili është një nga dy personat që çoi në FBI dosjen e fallsifikuar Steel kundër Presidentit Trump—pa bërë verifikime, pa hulumtuar asgjë, sajuan një variant të artikullit të servirur nga Edi Rama dhe e botuan atë në mars 2018.
Artikulli, sidoqoftë, luan me insinuata dhe nënkuptime, por nuk akuzon direkt se ka patur lidhje ruse apo kanë qenë rusë ata që kanë. Përtej këtyre spekullimeve, ai përmban një sërë të pavërtetash të tjera dhe arrin në pikën sa akuzon Lulzim Bashën si njeri që punon kundër integrimit europian dhe kundër perëndimit.
Pra, gazetarët e Mother Jones, që siç e kanë pranuar vetë, pa qenë kurrë në Shqipëri, pa intervistuar apo pyetur askënd në Shqipëri, pa patur asnjë interes më parë për Shqipërinë, madje as Ballkanin, kanë arritur të shkruajnë një artikull që përmban deri hollësi të vogla nga Shqipëria, si deklarimet në çadër të Lulzim Bashës apo faktin që gjatë çadrës militantë demokratë kanë përdorur inicialet MAGA të Trump.
Duhet vënë në dukje se të gazetarët e artikullit, David Corn, Hannah Levintova dhe Dan Friedman, vazhdojnë edhe pas përfundimit të hetimit Mueller të akuzojnë presidentin Trump për agjent rus të kontrolluar nga Putin, dhe të bëjnë thirrje të përditshme për hetime të mëtejshme kundër tij—lexo për shembull, artikullin e djeshëm të David Corn, i cili ndërkohë ka botuar dhe një libër kundër Presidentit Trump për lidhje me Rusinë; apo artikullin e para tre ditëve nga Dan Friedman. (Është e qartë se kryeministri Rama ka arritur, me zgjuarsi, të gjejë bashkëpunëtorë të cilët duket se kanë motivim patologjik kundër Presidentit Trump, të bindur për lidhjet ruse të tij pavarësisht hetimit dy vjeçar Mueller.)
Qëllimi i vërtetë i artikullit të Mother Jones ishte që Edi Rama të mund të sulmonte PD dhe Lulzim Bashën e ngujuar në çadër si kundër integrimit të vendit në BE, kundër reformës në drejtësi, etj. Për këtë arsye, artikulli i Mother Jones ishte përkthyer dhe përgatitur paraprakisht për botim në shqip: vetëm 20 minuta pas botimit në Mother Jones, artikulli i përkthyer u botua fillimisht nga shqiptarja.com dhe pastaj në të gjitha mediat e kontrolluara nga Kryeministri Rama, me tituj bombastikë për “lidhje ruse”, dhe “financime nga Moska” apo “financime nga Putini” për PD-në.
Menjëherë propaganda e Ramës u hodh në aksion frontal dhe filloi trysninë ndaj prokurorisë për hetimet e “lidhjeve ruse” të PD-së. Për të rritur besueshmërin ë e akuzave, Edi Ramës i erdhi në ndihmën edhe të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili u shpreh disa herë publikisht se SHBA-të do të ndihmonin hetimin dhe duke aluduar se kjo çështje mund të hetohej edhe në SHBA.
Tashmë dihet se ndërsa bënte këto deklarata në mbështetje të qeverisë, Qendra për Politikat e Shoqërisë së Hapur të Sorosit në Uashington harxhonte miliona dollarë për të lobuar Kongresin amerikan për konfirmimin e Donald Lusë si ambasador në Kirgistan.
Për rrjedhojë, prokuroria shqiptare nisi hetimet dhe me ndihmën e oficerëve të OPDAT-it dërgoi kërkesë për infromacion në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Përgjigjet e këtyre kërkesave nuk sollën asnjë informacion apo fakt që tregonte shkelje ligjore në gjitha pagesat e deklaruara nga Muzin për lobim në favor të Partisë Demokratike nga Skocia dhe SHBA-të.
Informacionet mbërritën para pesë muajve, por ato u mbajtën në heshtje pa ndërmarrë asnjë veprim. Të vetmit që folën ishin surrogatë të Kryeministrit në media, të cilët herë pas here sulmonin PD-në duke ju referuar panikut të saj nga “dy letra që kishin ardhur nga amerika në prokurori” dhe që do ta kryqëzonin Bashën.
Ditë e fundit qeveria ka filluar një fushatë të re për ndërhyrjet ruse në Shqipëri, dhe më në fund prokuroria u bë e gjallë. Para një jave prokuroria e Tiranës i kërkoi Lulzim Bashës të paraqitej në prokurori për t’u njohur me përgjigjet e ardhura para pesë muajsh nga SHBA dhe Britania e Madhe. Kjo thirrje e pabazuar në ligj u kritikoi nga PD e cila i bëri thirrje prokurorisë të bënte publike çdo informacion të marrë nga jashtë. Natyrisht, mediat qeveritare dhe drejtuesit socialistë filluan deklarata publike për “lidhjet ruse”.
Pas refuzimit nga PD për të mësuar informacionin e letër-porosive, prokuroria menjëherë lëshoi një tjetër thirrje për paraqitje për Bashën dhe drejtuesit e tejrë të PD-së, këtë here në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit. Basha u paraqit, por pyetjet që prokurorët i bënë atij ishin elementare, për informacione që diheshin dhe pa lidhje thelbësore me hetimin.
Pas daljes nga prokuroria, Zoti Basha sqaroi publikisht të vërtetën e hetimit, duke kundërshtuar propagandën qeveritare për hetime në lidhje me “lidhje ruse”.
Si kundërpërgjigje, duket se qeveria detyroi prokurorinë të bëjë flakë për flakë një deklaratë “në bazë të interesimit të mediave”, në të cilën u shpreh se ajo ka vertetuar se PD nuk ka deklaruar pagesat. Kjo deklaratë është e dyshimtë ligjërisht pasi nxjerr të dhëna hetimore dhe jep konkluzione pa mbaruar hetimi.
Ndërkohë, cikli i propagandës së para një viti, duket se po përsëritet nga e para. Dje, Mother Jones botoi një artikull, përsi spekulativ dhe keqinformues, ku flitet për pyetje në lidhje me financimin rus të Bashës në prokurori, edhe pse nuk ka patur asnjë pyetje të tillë
Ndërkohë, Mother Jones pritet të botojë një artikull tjetër, ku do të përhapë informacionin e pavërtetë se ka një hetim për financimin nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, duke sjellë si burim një reporter shqiptar të një nga televizioneve kryesore shqiptare, i cili po bashkëpunon me Mother Jones për llogari të kryeministrit Rama.
Top Channel po përgatit, gjithashtu, një dokumentar rreth të njejtave spekullime, sikurse Vizion Plus po përgatit një reportazh.
E reja e këtij cikli propagandistik këtë herë është se Mother Jones, dhe me gjasa mediat shqiptare pranë Kryeministrit, pritet të hedhin në qarkullim një spekullim edhe më të madh në lidhje me moskonfirmimin e Katherine Kavalec si Ambasadore në Tiranë.
Kjo lojë e Edi Ramës me lidhjet ruse duket me përfitime për momentin, dhe lidhja e tij me dosjen mbetet e padukshme.
Por nëse Presidenti Trump do të bëjë realitet premtimin për të kërkuar hetimin se si dhe pse u sajua historia e “dosjes ruse” kundër tij, ndoshta ne do të mund të mësojmë më shumë edhe për minidosjen ruse në Shqipëri dhe mënyrën e gatimit të saj, duke qenë se ka të paktën një person të përfshirë në fillimin e propagandimit publik të të dyja dosjeve./Exit.al/