Bilal Shehu është një shqiptaro-amerikan deri pak kohë krejt i panjohur për këdo, por që u bë botërisht i famshëm në vitin 2016, pasi u dënua në SHBA me burg për konspiracion për të thyer ligjet amerikane.
Që Edi Rama të bënte një fotografi me Barack Obamën për ta përdorur në fushatën zgjedhore të vitit 2013, ai së bashku me shoferin e taksisë Bilal Shehu, dhe një greko-amerikan të quajtur Uilliam Argeros thurën dhe ekzekutuan një operacion të fshehtë qarkullimi parash, përmes disa dërgesave të njëpasnjëshme në dia vende të ndryshme për t’i dhuruar në fund në fushatën e Obamës në vitin 2012.
Me anë të këtij konspiracioni ata dhuruan për fushatën e Obamës një herë $75 mijë dhe një herë tjetër $100 mijë të ardhura nga Shqipëria, me gjasa të paguar nga biznesmenë të afërt me Edi Ramën.
Financimi nga burime të huaja i fushatave politike në SHBA është krim federal. Bilal Shehu ishte i vetmi nënshtetas amerikan në konspiracion dhe u dënua pasi pranoi krimin.
Hetimi amerikan vertetoi faktin, që u përcoll nga të gjitha mediat ndërkombëtare, se Edi Rama ishte bashkëfajtor dhe përfituesi kryesor i krimit për të cilin Bilal Shehu sot është në një burg federal.
Në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama ky lajm u kalua pa shumë bujë. Për të nuk u bënë reportazhe, dokumentarë, lajme kryesore dhe nuk u revoltuan intelektualët e qëmtuar të Tiranës. Kurse kalorësit socialistë që këto ditë po ulërasin me shpatë në dorë për drejtësi, atehere ishin pula të lagura dhe të strukura.
Prokuroria nuk e hetoi fare për këtë krim, që me gjasa përfshinte edhe pastrim parash të ardhura nga aktivitete të paligjshme. Ajo nuk çoi letër porosi dhe nuk verifikoi asgjë. Madje nuk foli fare.
Nuk u shqetësuan as oficerët e FBI-së që kanë ardhur në Tiranë për të na mësuar dhe ndihmuar si të luftojmë krimin dhe korrupsionin.
Të gjithë heshtën. Omerata. Sikundër të gjithë, përfshirë dhe më dashamirësit e kanë të qartë se Edi Ramës nuk ja solli votat fotografia me Barak Obamën, por ca të tjerë që më mirë se presidentët e Amerikës njohin telefilmat me mafiozë dhe banditë.
Ndërsa Bilali i shkretë bëri burg për një foto, disa të panjohur të tjerë janë ata që mbajnë peng qeverinë me skandalet milionëshe për të cilat sërish “të gjithë” heshtin. Një prej shumë këtyre është Avjol Dobi, krejtësisht i panjohur për publikun, ndërsa e vetmja gjë që mund të gjesh për të në Google është fakti që ai është në kërkim pasi ka fallsifikuar dokumentat amerikane të kompanisë DH Albania. Me këto dokumenta ai fitoi tenderin për rindërtimin e disa qindra metrave të Unazës së Madhe, plot 18 milionë euro, dhe një tjetër për ndërtimin e një linje të tensionit të lartë plot 12 milionë euro.
Megjithatë emri i tij është zhdukur nga publiku, prokuroria nuk informon se c’po ndodh me hetimet, as se çfarë informacioni ka kërkuar në Amerikë.
Sikur të mos ishte protesta e banorëve të Astirit, pakkush do të hetonte dhe do të merrej vesh një abuzim kaq flagrant, për të cilin sot heshtin të gjithë, nga Kryeministri tek ata që duhet të hetojnë.
Këta të fundit, në një heshtje karakterizuese të vitit të fundit dhe duke u ankuar vazhdimisht për sulme nga politika, në fakt në një nga herët e vetme që kanë reaguar është rasti i hetimit për kryetarin e opozitës.
Bëhet fjalë për çështjen e lidhur me financimin e një kompanie lobimi në SHBA, vendin që duket bashkëpunues me Prokurorinë e Përgjithshme për çështjen e Lulzim Bashës, ashtu sikundër ka hapur hetime edhe për rastin e abuzimit në tenderin e Unazës së Madhe.
Por nëse SHBA kanë të njejtin standard edhe kur bëhet fjalë për një shtetas që falsifikon dokumentat edhe për kryetarin e opozitës shqiptare, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka të njëjtën metodë pune. Që gjithsesi duket të jetë dhe problemi më pak shqetësues në kushtet kur hetimi i nisur për Lulzim Bashën merr përmasa të mëdha duke u vendosur në kontekstin e krizës politike në Shqipëri.
Në një histori që për herë të parë e botoi revista amerikane Mother Jones, një shqiptar i zakonshëm duhet të mundohej shumë të kuptonte se si transaksionet e ndërlikuara financiare kishin ndihmuar PD të paguante një kompani lobimi në SHBA. Me shumë mundim dhe përpjekje makineria e propagandës qeveritare i mëshon prej ditësh kësaj ngjarjeje, thirrjes së Lulzim Bashës në prokurori dhe teorive konspirative që lidhin drejtuesit e PD me segmente spiunazhi.
Pas rrezikut të “invazionit të spiunëve rusë”, kjo e Lulzim Bashës duket të jetë akti i dytë i përfshirjes së opozitës me “segmente” që nuk ja duan të mirën Shqipërisë. Akt që qartas është ideuar dhe sponsorizuar nga ata që ende nuk arrijnë dot të artikulojnë qartë emrin e drejtuesve të kompanisë që ka fituar 18 milionë euro me letra të falsifikuara.
Pa dyshim që Lulzim Basha duhet të hetohet deri në fund për transaksionet financiare të bëra gjatë fushatës elektorale të vitit 2017. Bashkëpunimi i tij, me gjithë rezervat për mënyrën si funksionon prokuroria, tregon se ndoshta ai do t’i shkojë deri në fund këtij procesi. Që ndoshta është një mësim i mirë për opozitën dhe mënyrën si e ndërton platformën për një fushatë elektorale dhe fondet e përdorura në të.
Sikundër është një mënyrë për të kuptuar se në Shqipëri “heshtin” për një vjedhje 30 milionë euro, por ngrenë një legjendë të tërë, sponsorizojnë investigime për mënyrën se si i ka bërë transaksionet financiare partia e opozitës duke na mësuar me idenë se standardi i dyfishtë është mënyra më e zakonshme e funksionimit të ligjit në Shqipëri.
Kjo për mendimin tim mbetet sfida më e fortë e opozitës shqiptare që duhet të kuptojë se besimi tek shqiptarët rikthehet vetëm nëse njerëzit binden se nuk do të ketë më standarte të dyfishta. Se makineria e propagandës që funksionon dhe nuk ka mëshirë për kundërshtarët politikë, që përdor cdo instrument të huazuar nga ish sigurimi i shtetit, që nga “agjitacioni e propaganda” tek sulmet e ulëta personale dhe familjare, nuk mundet dhe nuk duhet të jetë modeli i qeverisjes së re. Mbi të gjitha, opozita duhet të jetë e qartë se nuk duhet të ketë ndërrim të “padronëve” të kësaj makinerie propaganda, por shembje të sistemit dhe ringritje të vlerave.
Kjo është një nga kauzat kryesore që i jep shpresë një shoqërie që në tymnajën e sajesave dhe legjendave të sponsorizura për spinazh rus, të kuptojë se ndërkohë abuzimet dhe vjedhjet e parave publike bëhen në mes të ditës dhe askush jo vetëm nuk heton për to, por në pjesën më të madhe të rasteve as nuk i përmendin.
Që kur hetimet e prokurorisë përqendrohen tek kompanitë lobuese dhe asnjë pikë e energjisë hetimore nuk shkon për kontratat dhe koncesionet dhjetëra e qindra milionëshe që u jepen personave dhe kompanive anonime; apo tek politikanët që bëjnë pazare votash me krimin e organizuar; apo tek kryepolicët që bashkëpunojnë me malavitën; apo kullat me paratë e pista që shtohen nga një përditë.
Këto janë qartas hallet e një Kryeministri, që me fantazinë e mbetur ende tek filmat komunistë, tashmë prodhon armiq dhe agjentura ruse, ndërkohë që “bilalët” e Shqipërisë vështirë se do të jenë të gatshëm të bëjnë burg për hesap të tij.
Sepse nuk duhet shumë për të kuptuar që pasunarët e “rilindjes” tashmë kanë hallin e tyre më shumë se atë të Edi Ramës.