Nga Erl Kodra
Sot mjerimi i Edi Ramës “shkëlqeu”. Në çdo gjest të tij ndjehej dhe kuptohej tmerri që përjetonte së thelli, ndërsa tejkaloi vijën e fundit drejt humnerës. Unë gjithmonë e kam ditur se kush është dhe çfarë përfaqëson Edi Rama, por gjithësesi, vetëm sot ai goditi bash në zemër të bashkëjetesës qytetare;
Edi Rama shkeli vijën e kuqe. Me një gjuhë plot urrejtje dhe zhargon të rëndë për shqiptarët, ai e zyrtarizoi përgjatë fjalës së tij se ai nuk lëvizë asnjë centimetër nga pushteti i blerë, pavarësisht çmimit, qoftë edhe edhe konfilkti civil. Fjalori i ndyrë me të cilin ai sulmoi nominalisht Lulzim Bashën; gazetarët dhe mediat që nuk i nënshtrohen vullnetit të tij suprem; por edhe popullin armik opozitar, sot tejkaloi çdo kufi. Ata që nuk e duan Edi Ramën, sipas Edi Ramës janë armiqtë e popullit, ndërsa “populli i vertetë” ishte ulur në qindra karrige para tij; një lloj populli i kënaqur nga udhëheqësi i shquar i Partisë dhe i shtetit.
Ka diçka të jashtëzakonshme dhe ogurëzezë, që paralajmëron saktësisht se javët dhe muajt që do të vijnë, lehtësisht mund të kthehen në një luftë civile. Fjalori i Edi Ramës e paralajmëron këtë, ndërsa thotë pa iu dridhur qerpiku se do të shembë përdhe shtëpitë e 4000 qyetarëve tek Unaza e Re, për të ndërtuar “Unazën prej floriri” 48 milionëshe. Edi Rama zotohet se do të shembë Teatrin Kombëtar për t’i hapur rrugë përbindëshave prej betoni, sepse ai tashmë e mendon veten të pandalshëm, të papërballueshëm, një lloj Zoti i zbritur në Tokë për të udhëhequr shqiptarët.
Edi Rama as nuk i konsideron mijërat e qytetarëve shqiptarë që janë ngritur kundër tij, ai tashmë është i bindur se haremi i tij i deputetëve në të ashtuquajturin Parlamenti i Shqipërisë do të votojnë gjithçka që ai u vë përpara. Ai e di se nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ndërsa garancitë e fundit ia jep Gjeneral Sandër Lleshaj, një “streteg” mediokër dhe fanatik enverist, i komanduar në krye të Ministrisë së Brendshme.
***
Media kryesore në vend është blerë me kohë, ndërsa mercenarët e tij mediatik vazhdojnë mbështetjen pa kushte. Gjithçka që lejohet të lëvizë nën këtë qiell duhet të ekzistojë në funksion të Edi Ramës, të marrë frymë prej tij, dhe të përçojë frymën e tij. Gjithkush tjetër që nuk i bindet, është armik, është Kadri. Qytetarët e Karrigeve janë të denjë për bekimin e tij, ndërsa ata që nuk i përulen, janë armiqtë e Popullit të Karrigeve.
A nuk është ky preludi i një Lufte Civile?
Rrethanat janë të jashtëzakonshme, ndërsa zemërimi i popullit “armik” ka arritur kulme të reja. Saktësisht, këto janë rrethanat e llojit ku arsyeja e “zakonshme” nuk ka më kuptim, ku ndahet e mira me të keqen, e vërteta me gënjeshtrën. Është ai momenti tragjik që po përjeton çdonjëri prej qindra mijëra qytetarëve që sot protestojnë kundër urisë, vjedhjes, mashtrimit, drogës, krimit dhe mafias në zemër të shtetit. Fjalimet e Edi Ramës janë fyese, denigruese, përçarëse, shantazhuese; ato kullojnë ndyrësi dhe të pëgëra në eter që rëndojnë gjendjen emocionale të shqiptarëve të pamundur.
Në këto kushte ekstreme, zemërimi kthehet në një fuçi baruti.
Partia Demokratike duhet të përkthejë fjalë për fjalë fjalimin e sotëm të Edi Ramës, me zë dhe figurë, me titra, në gjuhët gjermane, franceze dhe angleze. Këtë fjalim duhet ta dërgojnë në të gjitha kancelaritë perëndimore dhe në të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Kjo situatë shpërthyese duhet të demaskohet shpejt dhe fort, jo për të fituar mbi Edi Ramën, por për të shpëtuar vendin. Ata ndërkombëtarë që e kanë mbështetur deri më sot duhet të mënjanohen, ndërsa opozita shqiptare duhet të gjejë rrugë të tjera komunikimi, sepse qendrat vendim marrëse të botës demokratike duhet ta lexojnë gjuhën e tij të drejtëpërdrejtë dhe gjuhën e tij të trupit, qëndrueshmërinë e tij mendore, gadishmërinë e tij për ta zhytur vendin në Luftë Civile. Sot shkenca e psikologjisë dhe mjeksia ka arritur në nivele të tilla sa është në gjendje të përcaktojë saktësisht, vetëm duke analizuar fjalimin e sotëm, se çfarë diagnoze ka Edi Rama, si dhe rrezikun që ai mbartë si njeriu që ka rrëmbyer të gjitha pushtetet në Shqipëri.
Sot, Edi Rama nuk ngjante, por ishte i njëjtë me Adolf Hitler dhe Joseph Goebbels të marrë së bashku, ishte i njëjtë me Benito Mussolinin, Joseph Stalin dhe Enver Hoxha. Edi Rama sonte ngjante shumë me Slobodan Milošević. Fjalimi i sotëm para “Qytetarëve në Karrike” ishte prova. Këtë provë tashmë e njohin gjithë shqiptarët; por këtë provë duhet ta njohin edhe vendet anëtare të NATO-s.