Nga Boldnews.al
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka nisur procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, një strukturë e Reformës në Drejtësi, e cila ka për detyrë inspektimin periodik të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Pasditen e së Enjtes, u shpall lista e 13 aplikantëve, të cilët tashmë do i nënshtrohen verifikimit nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Më pas, një listë emërore e kandidatëve, me renditjen e kryer nga KED, do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për të zgjedhur Kryeinspektorin e Drejtësisë.
Sa më lart është aspekti formal ligjor. Por, cilët janë njerëzit që do të zgjedhin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe cilat janë pikëpyetjet publike për ta?
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi aktualisht ka 7 anëtarë, nga 9 që parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në përbërje të KED janë: Ardian Dvorani, Vitore Tusha, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Fatri Islami, Margarita Buhali dhe Eriol Roshi.
Për të paktën 4 prej tyre, “Boldnews.al” ka raportuar në vijimësi mbi problematikat që lidhen me afërsinë e ngushtë me Partinë Socialiste apo me “tolerimet” gjatë procesit të Vetingut.
1. Ardian Dvorani, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njihet publikisht për afërsinë e tij me Partinë Socialiste në pushtet. Dvorani kaloi procesin e Vetingut, pavarësisht se mbi të u ngritën pikëpyetje të mëdha lidhur me shumën prej rreth 10 milionë lekë të reja, të cilën, nuk e kishte deklaruar në formularin Veting.
Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, një institucion ndihmës i komisionit të Vetingut, ka konkluduar se Dvorani, në deklaratën ‘Veting” nuk ka deklaruar dhe ka fshehur llogaritë bankare në shumën 9.98 milionë lekë të reja.
Por, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi kreu procedurat e rivlerësimit kalimtar, e konsideroi lapsus mos-deklarimin e kësaj shume, duke vendosur konfirmimin e Ardian Dvoranit në detyrë.
Në raste të tjera, Komisioni i Vetingut ka shkarkuar gjyqtarë e prokurorë për problematika shumë herë më të vogla se ato që iu konstatuan Dvoranit. Por, ai u konfirmua në detyrë, ndërkohë që Komisioneri Publik nuk ushtroi të drejtën e ankimimit për këtë vendim. Opozita e djathtë deklaroi se konfirmimi i Dvoranit, pavarësisht problematikave me pasurinë, është dëshmi e qartë e kapjes së Vetingut nga qeveria.
2. Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht nënkryetare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, u konfirmua në procesin e Vetingut, pavarësisht dyshimeve mbi burimin e pasurive për blerjen e një vile në Gjirin e Lalëzit, në Durrës.
Gjyqtarja Tusha e familja e saj kanë porositur një vilë në bregdetin e Durrësit në vitin 2010. Në bazë të kontratës së porosisë, Vitore Tusha i mbetej detyrim firmës ndërtuese shumën 24 mijë euro, të cilën duhet ta shlyente deri në vitin 2016.
Por, sipas gjetjeve të KPK, gjyqtarja Tusha nuk kishte mundësi paguese për të shlyer këtë detyrim brenda afatit kohor. Atëherë, me një marrëveshje verbale, ndërtuesi ia shet vilën zonjës Tusha, pavarësisht se nuk kishte kryer të gjithë likujdimet. Pjesën e mbetur të detyrimit, ia konsideron borxh.
Për këto veprime të padokumentuara, KPK ngriti dyshimet për akte fiktive. Gjithësesi, në përfundim, Komisioni i Vetingut vendosi ta konfirmojë në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha.
Në raste të tjera, Komisioni i Vetingut ka kërkuar nga gjyqtarë e prokurorë dokumenta, jo vetëm për transaksionet e kryera nga subjektet, por edhe për familjarët e tyre, vëllezërit, motrat, kunetërit, e të tjerë. Madje ka raste kur, për shkak të të ardhurave të padokumentuara të familjarëve të subjekteve në emigracion, KPK ka vendosur shkarkimin e gjyqtarëve e prokurorëve nga detyra.
Por, në rastin e Vitore Tushës, Komisioni i Vetingut e konsideroi të rregullt një marrëveshje verbale, pa asnjë dokument, mes saj dhe ndërtuesit të vilës në Gjirin e Lalëzit.
3. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, u konfirmua në procesin e Vetingut, pavarësisht se mbi të u ngritën pikëpyetje serioze lidhur me “lidershipin” dhe ‘aftësitë profesionale”. Këto dy kritere, të cilat Marku nuk i ka në nivelin e pranueshëm, i duhen anëtarit të KED për të përzgjedhur kandidatët për Kryeinspektor të Drejtësisë.
Mbi Arta Markun nuk ka dyshime, të paktën deri më tani, lidhur me kriterin e pasurisë. Ndërkohë, lidhja e saj e ngushtë me Partinë Socialiste në qeveri është evidente.
4. Eriol Roshi, kryetar i Gjykatës Administrative të Tiranës, kaloi së fundmi procesin e Vetingut, gjithashtu me pikëpyetje.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë për “tolerancën” e treguar nga Komisioni i Vetingut dhe vëzhguesi ndërkombëtar, Teo Jacobs, për pasurinë e tij. Për të njëjtat problematika me ato të Roshit, Komisioni i Vetingut ka shkarkuar gjyqtarë e prokurorë të tjerë. Por jo Eriol Roshin.
Mjaftojnë këta 4 anëtarë të KED-së, të “përkëdhelur” gjatë procesit të Vetingut, për të krijuar shumicën e nevojshme për përzgjedhjen e kandidaturave për Kryeinspektor të Pasurisë.
Katër zyrtarët e mësipërm, pavarësisht problematikave që kanë, brenda pak javësh do të verifikojnë kandidaturat për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Ky i fundit, pasi të zgjidhet, ka për detyrë që të inspektojë të gjithë gjyqtarët e prokurorët.