Nga Ilir Kalemaj
Sot gjithmonë e më tepër po rishihet paradigma e medias tradicionale. Portalet, media online, blogjet janë dhe disa nga risitë që sfidojnë print-in por pa e zëvendësuar tërësisht atë. Ky debat mbi tejkalimin e modeleve të vjetra të masmedias, të përqendruara kryesisht te shtypi i shkruar, radio dhe televizioni dhe revolucioni që po ngjet me formën dhe përmbajtjen të ndryshme te masmedias, që e kanë demokratizuar, relativizuar dhe revolucionarizuar atë njëherazi, janë sot në epiqendër të diskutimeve të profesionistëve dhe politikë-bërësve anembanë botës. Jo rastësisht ishte kombinimi i medias alternative si burim i shpërndarë pushteti me teknologjinë që bënë të mundur përhapjen e revolucioneve të pranverës arabe dhe më gjerë. Kjo bëri që revolucioni iranian të quhej twitter, ai egjiptian revolucioni facebook dhe apo në Tunizi ku celulari luajti rolin qëndror për shpërhapjen e informacionit dhe mobilizimin e turmave. Videot e ndryshme të hedhura në youtube kanë shërbyer jo pak për mobilizime të ngjashme në Siri e gjetkë. Por a do të thotë kjo që shtypit të shkruar po i bien kambanat e fundit? Në fakt personalitete të tillë që variojnë nga semiologu dhe intelektuali publik me staturë ndërkombëtare si Umberto Eco, apo Jeff Bezos që kaë blërë Ëashington Post, mendojnë të kundërtën, duke argumentuar që do të ketë gjithnjë një treg të gazetës së shtypur e cila lidhet sa me shijet njerëzore, aq edhe me konceptin e gazetarisë profesionale. Të tjerë janë më skeptikë në lidhje me fatin e mbramë të shtypit të shkruar.
Nga ana tjetër, tregu i gazetarisë së shkruar në botë është në rënie, ndërsa vetë cilësia lë shumë për të dëshiruar, duke qenë se deviza kryesore është tashmë përshtatja me shijet e publikut sesa formimi i tij. Kjo është pak evazive si maksimë, pasi publiku është nën një ballafaqim konstant me një mori informacioni, shpesh vanitoz që në fakt sendërton shijen e tij në rradhë të parë. Duke filluar nga 2008-ta, vit i kthesës për shkak të krizës financiare, të ardhurat nga reklamat në shtypin e shkruar, ranë mbi 16 përqind në SHBA dhe po kaq mendohet të bien nga periudha e tanishme deri në 2020-ën. Po ashtu, subvencioni qeveritar për gazetat, praktikë e njohur në disa vende, është i rrezikshëm për pavarësinë editoriale të tyre, ndërsa nga ana tjetër, rritja e konkurrencës nga lajmi falas i shpërndarë rëndom në internet apo lajmi televiziv e bën të vështirë një konkurrencë të ndershme për rezistencën e shtypit të shkruar. Por ka disa sinjale pozitive dhe këto vijnë kryesisht ose nga media me reputacion të fortë lokal dhe ndërkombëtar, të financuar nga manjatë seriozë por edhe të afta të gjenerojnë të ardhura si një kompani e mirëfilltë, gazeta të tilla të mirënjohura si Wall Street Journal, Financial Times, apo Bild.
Një pjesë e tyre, si psh, mediat e Murdoch-ut kanë filluar prej vitesh aplikimin me pagesë të gazetës online për formatin e plotë, ndërsa lejojnë pjesë të veçanta të lexohen falas, nismë e suksesshme dhe që gjeneron shpresë për një mbijetesë dhe madje sukses në tregun gjithnjë dhe më kompetitiv të informacionit. Të tjerë janë shndërruar në tabloidë apo praktikojnë variante miks në përpjekje për të kënaqur gjithë llojet dhe kategoritë e lexuesve. Nga njëra anë duket se po përfundon koha e një epoke të artë për median e shkruar, nga ana tjetër duket se po lind një tjetër që është mjaft shpresëdhënëse dhe mjaft premtuese në perspektivë, ndonëse pa një formulë të qartë suksesi. Një nga gazetarët më të shquar të shekullit të kaluar, i cili revolucionarizoi gazetarinë televizive, është Edward R. Murrow, historia e të cilit është përshkruar mjeshtërisht në filmin “Good night and good luck” të George Clooney-t. Murrow i cili jetoi në vitet 50-të njihej mbi të gjitha për kundërvënien publike që i bëri një prej aktorëve më të frikshëm të skenës politike amerikane, senatorit Joseph McCarthy i cili njihet për ‘gjuetinë e shtrigave’ ndaj ata që ai cilësonte komunistë në SHBA sipas oreksit dhe që prekte garancitë e të drejtave civile që gëzonin qytetarët amerikanë. Gjithashtu filmi hapet me një fjalim lamtumire që gazetari i shquar e jep në fund të karrierës, atëherë kur shenjat e para të infeksionit në gazetari dhe ku gjurrmët e pushtetit të ardhshëm të korporatave, që janë më të theksuara se kurdoherë sot, kishin filluar të shfaqeshin. Paralajmërimi i Murrow-t dhe gazetarëve të tjerë të shquar të atyre dekadave që bënë histori dhe revolucionarizuan tregun e informacionit më tepër se një parashikimi i një Kasandre duhet parë si një thirrje aktuale, për të parë se çfarë duhet bërë, qoftë edhe në kontekstin lokal që media e shkruar mos të humbas terren ndaj konkurrentëve televizivë, radiofonikë apo internetikë.
Përsa i përket përmbajtjes dhe impaktit të medias, duhet theksuar se teori të ndryshme mbi rolin e masmedias në shoqëritë moderne dhe impaktin politik të tyre e vënë theksin te elemente të ndryshme të kësaj lidhjeje korrecionale dhe organike që ndonëse ndryshon formë, koha nuk e ka tjetërsuar. Fjala bie, modeli pluralist i medias, prej vetë emrit, thekson pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm politikë në median e përshkruar si një arenë neutrale ku pozicionet ballafaqohen dhe publikut i serviren alternativa të ndryshme. Kësisoj, parë në këtë dritë, kemi një këndvështrim që e sheh median si medium objektiv që shërben për ta përcjellë informacionin në mënyrë sa më neutrale. Ndërkohë që një model tjetër i sheh mediat si një forcë konservative politike në shërbim të interesave të elitave socio-ekonomike që synojnë të rrisin pasivitetin e masave, të gjërave, duke i indoktrinuar njëfarësoj lexuesit. Autorë influentë si Noam Chomsky apo Ed Herman, që bëjnë pjesë të kategoria e dytë, kanë shkuar aq larg, sa ta konsiderojnë median (post)moderne si një formë propagande që ka si qëllim kryesor larjen e trurit dhe rritjen e mbështetjes për elitat oligarkike. Këta autorë kanë identifikuar kryesisht pesë filtra kryesorë nëpërmjet të cilave lajmet manipulohen prej vetë mediumeve që i përcjellin ato. Këto filtra janë: (a) interesat e biznesit të kompanive dhe korporatave që kontrollojnë këto media; (b) ndjeshmëria ndaj pikëpamjeve të reklamuesve në këto media; (c) marrja e informacionit që kryesisht vjen nga aktorët kryesorë politikë dhe nga elita e biznesit, pra që pasqyron apo reflekton në njëfarë mase interesat e kësaj kaste; (d) presionet e ndryshme që u bëhet gazetarëve, për shembull aktpaditë; dhe (e) një besim të patundshëm në sistemin neoliberal që manifestohet nëpërmjet shtyllave të tregut të lirë dhe kapitalizmit konsumerist.
Një grup tjetër autorësh e largojnë vëmendjen nga pronarët e këtyre mediave drejt mekanizmave nëpërmjet të cilave produkti përfundimtar i medias kontrollohet. Pra vënë një theks më të madh te kryeredaktori, redaktorët, reporterët dhe në përgjithësi gazetarët profesionistë, përfshirë edhe opinionistët, të cilët nëpërmjet shkallës së pavarësisë që gëzojnë arrijnë të ushtrojnë influencën e tyre në editimin final të lajmit duke u bërë përcjellës të një politike të caktuar apo duke mbështetur një axhendë politike. Ndërkohë që ka dhe një numër analistësh, të cilët e shohin median si një treg i lirë, që ashtu si çdo lloj tregu tjetër, ka si bazë konkurrencën dhe riskun. Duke qenë se që të mbijetojë i duhet të ketë në mendje shijet e lexuesit, dhe jo edukimin e publikut apo përcjelljen e axhendave politike, kjo lloj qasjeje apo modeli e vë theksin se para çdo gjëje tjetër ajo që merr prevalencë në llogaritë e përditshme të masmedias, është pikërisht tërheqja e audiencave sa më të mëdha, duke u bërë sa më tërheqës për lexuesin apo teleshikuesin mesatar. Në këtë mënyrë, sipas kësaj kategorie, kemi gjithnjë e më tepër hapësirë për lajmin rozë apo lajmin e lehtë, madje edhe në ato media të konsideruara si serioze dhe me bazë përcjelljen e aktualitetit në mënyrë profesionale. Në Shqipëri transformimi apo metamorfoza e masmedias ka kaluar nëpër disa faza, ku kujtojmë shtypin opozitar të fillim viteve 90, në fillim me Rilindja Demokratike, më pas me Koha Jonë, që u bë një simbol i shtypit të lirë, duke arritur në tirazhe befasuese me afro njëqind mijë kopje në ditë. Më pas kemi shpërthimin e tregut televiziv me revolucionin dixhital të Top Channel, por edhe të stacioneve të tjera kombëtare televizive si TV Klan, Vizion Plus etj., si dhe të dhjetëra të tjerëve lokalë, herë të licencuar dhe herë jo, që herë transmetojnë programe pirate dhe herë blejnë paketa interesante televizive, herë transmetojnë programe serioze, edukuese dhe informuese, ndërsa herë të tjera VIP-a dhe rripa bëhen protagonistë të asaj që Andy Warhole i quan 15 minutat e famës së çdokujt. Shtypi i shkruar te ne, i ballafaquar me kushte të vështira infrastrukturore, si shpërndarja e dobët, rënia e interesimit të përgjithshëm për të lexuar, konkurrenca televizive apo shpesh rreshtimi i hapur politik, nuk ka arritur tu rezistojë kësisoj presioneve të një tregu përherë dhe më të pamëshirshëm. Treg që nga ana tjetër është pasuruar ndjeshëm nga influenca në rritje e medias alternative si blogjet, rrjetet sociale apo Interneti në përgjithësi, si burim i gatshëm informacioni dhe që konkurron për kohën që gjithsecili i kushton marrjes dijeni për ngjarjet e momentit. Gjithsesi, karakteristika të veçanta të shtypit të shkruar, veçanërisht gazetave dhe revistave të pavarura dhe të respektuara si kjo e përditshme ku po botohet artikulli në fjalë, nëpërmjet profesionalizmit të përcjelljes së lajmit, balancës së komenteve/opinioneve, rubrikave të ndryshme interesante etj., i bëjnë të pazëvendësueshme për lexuesin e kualifikuar, lidhje që do tu rezistojë ndryshimeve të epokës postmoderne ashtu sikundër libri i shtypur po u reziston formave elektronike të shpërndarjes së tij.
Nëse ndërmarrim një vështrim retrospektiv, vëmë re se në Shqipëri ka patur një traditë jo të pakët gazetarie kurajoze, emancipuese, formuese dhe informuese në të njëjtën kohë. Sikundër shprehet Petro Marko në kujtimet e tij “Intervistë me Vetveten: Re dhe Gurë”, Branko Merxhani me Përpjekjen Shqiptare të tij, dhe nevojshmërinë për një organ shtypi të tillë, tha ndër të tjera se nevojitej nje e tillë jo vetëm që ta informonte lexuesin, por mbi të gjitha ta formonte atë. Me këtë kishte parasysh, duke parë nivelin e përgjithshëm të popullsisë, analfabetizmin kancerogjen dhe sjelljet anadollake të një pjese të elitës që të krijohej pikësëpari ai opinion publik që do ishte në gjendje të dilte përtej thashethemnajës, apo ajo që sot kemi qejf ta quajmë ‘telenovela politike’ apo ‘reality show’. Publicistika e viteve 20-30të konsiderohet ndër më të arrirat në historinë e gazetarisë shqiptare edhe për arsye se rrokte tema me ndjeshmëri të lartë sociale, promovonte kulturë dhe sendërtonte një nivel të tillë debati që reflektohej dhe në kulturën dhe sjelljen politike, por mbi të gjitha manifestohej te besimi që gëzonte shtypi në rradhët e atyre që dinin ta lexonin por dhe te tjerëve që e dëgjonin kur këndohej më zë të lartë në kafene, pra atyre që kishin akses te informacioni që ai përcillte.
Si atëherë, si tani, për fat të keq, media e shkruar nuk ka mundur të depërtoj dot në zonat rurale, duke shkaktuar një diskrepancë të tillë që nuk mund të mbulohet dot thjesht dhe vetëm me median vizive. Madje shumë nga gazetarët me përvojë që kanë nisur apo vazhdojnë të kontribuojnë në shtyp, ndonëse kanë dhe angazhime në televizion, prapëseprapë pohojnë me bindje që shtypi është dashuria e parë e çdo gazetari dhe si e tillë e pamundur të harrohet apo neglizhohet. Mbetet të shpresojmë që kjo dashuri e parë mes atyre që shkruajnë dhe lexuesit të vazhdojë dhe të njohë rritje si cilësore, edhe sasiore. Krijimi i infrastrukturës së nevojshme që tregu i medias së shkruar të jetë i pranishëm në zonat rurale dhe periferike, po aq sa në ato urbane dhe qëndrore, ka një funksion jo vetëm informues, por edhe formues. Nga ana tjetër, gazetaria investigative është një tjetër element sine qua non i shtypit të shkruar por dhe medias vizive që nuk mund të rivalizohet lehtësisht nga blogjet dhe media online, ndonëse kjo e fundit është rritur si nga pikëpamja sasiore, edhe cilësore vitet e fundit në Shqipëri. Kjo i rrit edhe besueshmërisë medias së shkruar, diferencimin në produktin që ofron me llojet e tjerë të burimit të informacionit dhe ndjesinë që ajo gjeneron te lexuesi. Vetëm kësisoj mund të arrij gazetaria e shkruar t’i rezistoj ndryshimeve sa globale, aq edhe lokale dhe të mos humbasë përfundimisht betejën me median online, ku trendi duket se favorizon qartësisht këtë të fundit.