Nga Edison Ypi
Fshati Makap atë mëngjez u ngrit i shqetësuar. Gjatë natës ishte zhdukur një djalë. Prindërit e djalit thanë se kishte vajtur në disko. E kishin marrë në celular, zilja binte, djali s’përgjigjej. Hamëndje të frikëshme mbushën kafenenë e Makapit. Lajmëruan Policinë të vinte urgjent në Makap. Policia u tha; “Djali mund të jetë mbyllur diku duke bërë qef me ndonjë femër. Ligji thotë se zhdukja duhet të zgjasi të paktën 72 orë që të vihemi në veprim”. Pra mund të ishte ndonjë nga ato raste që duken si fatkeqësi por janë kënaqësi. Policia nuk vete atje ku ka qef por atje ku ka krim. Përgjigja e Policisë i dëshpëroi prindërit e djalit të zhdukur dhe i habiti makapsit, të cilët, me këtë rast, me kafe dhe raki përpara, nisën të bëjnë kritika për mungesën e shtetit, rendin e korruptuar, policinë e ngathët.
Nga mesdita gjendja u rëndua; Dy prindër të tjerë që deri në atë moment kishin heshtur për vajzën e tyre 19 vjeçare të zhdukur nga Makapi para 32 orësh, me buz në gaz i bënë të ditur kafenesë haberin e këndshëm se vajza sapo kishte telefonuar nga Italia. U kishte thënë se ishte kuq si molla dhe të mos bëheshin merak. Ishte rrëmbyer me vullnet të plotë me një azgan djalë të cilin e kishte njohur ne Fejsbuk dhe e dashuronte marrëzisht. Shtëpia ku ishin vendosur në Milano ngjante pak si bordello, por azgani e kishte siguruar se pas pak do jetonin në një vilë me pishinë. Paksa të dyshimta këto habere. Megjithatë prindërit e vajzës i dhanë karar të mos e njoftonin Policinë derisa të merrej vesh nëse çupa qe fejuar apo ishte bërë kurvë.
Pa mbaruar muhabeti të fejuarën makapse ose kurvën milaneze, j’a behu tjetri haber; Ndaj të gdhirë në të dalë të Makapit dy makapsa që tërhiqnin nga pas me litar secili nga një lopë i kishin thënë njëri-tjetrit plot mirsjellje “Mirmëngjez”. Por me të arritur secili në shtëpinë e vet ishin tmerruar kur kishin parë grazhdin bosh dhe kishin kuptuar se kishin vjedhur lopën e njëri-tjetrit. Njëkohësisht edhe vjedhës edhe të vjedhur, morën kokën ndër grushta si Hamleti kafkën.
Rrokada e lopëve të vjedhura i ndezi muhabetet e kafenesë së Makapit. Për Policinë që nuk e bën punën si duhet, për fukarallëkun që po bën kërrdinë, korrupsionin që ka marrë dhenë, etj.
Një makaps që kishte parë botë me sy tha,
-Mos i bini kot më qafë Policisë. Në vendet kapitaliste bilancet e të vdekurve nga qefi janë si bilance lufte. Ejani në vete. Po kërkoni nga policia e Makapit më tepër se policia e Milanos.
-E ke gabim, j’a priti një tjetër. Para ca ditësh mespërmes Makapit, kaloi një amerikan i veshur teptil, demek si udhëtar, si turist, por në fakt ishte spiun. Ku është syçelësia e makapsave në mbrojtje të tërësisë territoriale të Makapit ?
-Jemi në NATO o idiot, ja priti një i tretë. Edhe ajo na duhet, të na ndjekë Policia turistat që na sjellin valutë.
Atë çast në kafene hyri me vrull një djalosh,
-Dajua vari veten, tha djaloshi duke j’u marrë fryma.
-Ku, si ?
-Në degë të fikut, me tel rreth qafës.
-Pse ?
-Kish ca kohë thoshte; I kam lexuar të tëra librat, i kam parë të tëra filmat, i kam bërë të tëra muhabetet, i kam shijuar të gjitha qejfet, i kam jetuar të gjitha sistemet, tani do iki të shoh ç‘bëhet përtej murit, në anën tjetër të Jetës.
Afër mesnatës erdhi haberi për një therje. Therësi i kishte ngulur të therurit thikën e bukës në gjoks ngaqë delet e të therurit kishin ngrënë pakëz bar në arën e therësit. Therësi i dehur nga gjaku kishte ikur nëpër fushë. Njëri i therur tjetri i arratisur, s’u muar vesh kush e njoftoi ngjarjen. Me këtë rast, dikush kujtoi me simpati kohën e kurvit kur për të tilla gjëra s’bëhej fjalë. U fol për një peticion apo kushtrim të makapsave drejtuar trupit diplomatik në Tiranë në mbrojtje të jetës së qytetarëve të pafajshëm. Në Peticion u vu në dukje ngjajshmëria mes vonesave të Policisë dhe vonesave të femrave që nuk ta japin atypëraty. Një plak i moçëm spiun me nam u kujtoi kafexhinjve se nuk ishte mirë të ndodhnin të tilla therje në Makap ku plot 100 vjet më parë kishte kaluar me qerre Ismail Bej Vlora. Këto habere u përhapën atë mbrëmje jo vetëm në Makap, por edhe në Malag, deri në Marruj.