Nxitimi i Taulant Ballës për të konsideruar kreun e opozitës, Lulëzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha si “komandues” të vendosjes së një sasie lënde plasëse në një shtyllë tensioni të lartë, mund ta përballë shumë shpejt kreun e grupit parlamentar socialist me akuzën zyrtare të “kallëzimit të rremë”.
Mesditën e së Hënës, punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) konstatuan se njëra këmbë e një shtylle të Tensionit të Lartë në Fushë-Krujë ishte dëmtuar nga shpërthimi i një sasie lënde plasëse.
Fatmirësisht, shtylla nuk kishte dëmtime të rënda, ndërkohë që Policia dhe Prokuroria nisën hetimin për të zbuluar autorët e këtij rasti.
Në një reagim publik mesditën e së Hënës, Balla u shpreh: “Aktet e dhunës, të komanduara nga Basha dhe Berisha, sikurse rikthimi i sotëm tek tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, synojnë të nxijnë fytyrën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. …Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh, ata që shfarosën Gërdecin, tani duan të vijnë përsëri në pushtet përmes forcës, dhunës dhe sot edhe me tritol…”.
Përtej fjalorit politik, deklaratat që bëri Balla janë një akuzë publike për veprën penale të “nxitjes për kryerje të akteve terroriste” ndaj dy prej figurave kryesore të Partisë Demokratike.
Taulant Balla, një eksponent i lartë i maxhorancës qeverisëse, me mundësi të gjera për marrje informacioni konfidencial, foli me bindje se kishte identifikuar urdhëruesit e vendosjes së tritolit në shtyllën e tensionit të lartë në zonën e Fushë-Krujës.
Tashmë është detyra e institucioneve ligjzbatuese që, në hetimet për rastin, të pyesin Ballën në cilësinë e “personit që ka dijeni” për ngjarjen kriminale.
Do të jetë interesante të mësohet deklarimi që do të japë kryedeputeti socialist para oficerëve të Policisë Gjyqësore, nëse Prokuroria do të vlerësojë se ai duhet të pyetet për të dhënat që ka në dispozicion për ngjarjen.
Taulant Balla do të duhet të tregojë gjithçka di për përfshirjen e Bashës dhe Berishës në urdhërimin për vendosje e tritolit në këmbët e shtyllës së tensionit të lartë.
Nëse ai nuk jep apo siguron prova për inkriminimin e Bashës dhe Berishës ne këtë akt kriminal, atëherë shumë shpejt mund të përballet me akuzën e “kallëzimit të rremë”, për deklaratat e tij, pavarësisht se, deri më tani, nuk ka dorëzuar një kallëzim formal kundër Bashës dhe Berishës.
Prokuroria Shqiptare tashmë e ka krijuar precedentin e marrjes nën akuzë për “kallëzim të rremë” edhe të personave që përmendin publikisht dyshime mbi fakte penale, edhe pa dorëzuar një kallëzim formal.
Në çështjen e njohur “Babale”, Prokuroria ka marrë së fundmi të pandehur 4 persona, ndër të cilët deputetin e sapo-dorëhequr opozitar, Ervin Salianji, si edhe gazetarin Jetmir Olldashi, për “kallëzim të rremë”.
Për këtë rast, institucioni i Akuzës është shprehur zyrtarisht se të pandehurit kanë krijuar rrethana të rreme, për të nxitur Prokurorinë të nisë (kryesisht) hetimet për “trafik narkotikësh” për Agron (Geron) Xhafaj, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Po sipas Prokurorisë, Salianji, Olldashi dhe dëshmitari Albert Veliu (Babale) kanë sajuar fakte për të dëmtuar imazhin e Agron (Geron) Xhafaj e, nëpërmjet tij, të cënonin imazhin e Fatmir Xhafaj, i cili ishte Ministër i Brendshëm në kohën kur u publikua audio-regjistrimi që inkriminonte Geronin në trafik narkotikësh.
Në një situatë të ngjashme gjendet sot Taulant Balla. Ai drejtoi akuza konkrete ndaj Bashës e Berishës jashtë foltores së Parlamentit, ku ai konsiderohet i papërgjegjshëm para ligjit penal për deklaratat publike.
Institucionet ligjzbatuese, përfshirë Shërbimin Informativ, Policinë e Prokurorinë, të gjitha nën kontrollin e maxhorancës socialiste, kanë detyrimin ligjor që të zbulojnë autorët e ngjarjes kriminale.
Vetëm nëse këto institucione zbulojnë ndonjë lidhje të Bashës e Berishës me shpërthimin në shtyllën e Tensionit të Lartë, atëherë mund të shpëtojnë edhe Ballën nga përballja me akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Por, siç edhe Balla vetë është i bindur, deklaratat e tij janë për konsum politik. Ndaj, prej sot, do të shpresojë që Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, të pengojë vartësit e saj të nisin hetim ndaj tij për “kallëzim të rremë”.