Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kam shkruar edhe më parë për shfaqjen e shpeshtë të fëmijëve në propagandën e Veliajt, por këtë herë dua të shkoj ca më thellë këtyre imazheve dhe të shoh se ç’mund të na thonë më shumë ato.
Mes mijëra fotografive që Erion Veliaj dhe ekipi i tij marrëdhënieve publikojnë përditë në Facebook, qindra prej tyre shfaqin Veliajn bashkë me një ose disa fëmijë. Fëmijët nuk janë aty vetëm për të zbukuruar fotot. Thuajse gjithmonë, Veliaj shfaqet në kontakt fizik me ta: ai i mban në duar, i prek, i përqafon, i pushton ose i ledhaton. (këtu gjeni një arkiv vizual me fotot e Veliajt.) Edhe fëmijët shpesh ia kthejnë me përqafime ose puthje. Interpretimi naiv është ky: Erion Veliaj i do vërtet fëmijët dhe tregon se është, në kuptimin e plotë të fjalës, “babai i mirë” i Tiranës.
Le të bëjmë një krahasim ndërmjet propagandës së Veliajt dhe asaj të Ramës, i cili, nga portreti i një lideri dinamik dhe të kulturuar, në fillimet e karrierës i krijuar përmes fotove të fotografes Jutta Benzenberg, tashmë është kthyer te një gjuhë vizuale bajate e “udhëheqësit të madh” që mbikëqyr punët publike dhe takohet me votuesit.
Sjellja e tij me fëmijët, nëse ende mund të gjendet ndonjë foto, është padyshim e ndyshme: nuk ka shenja dashurie të pakushtëzuar, apo një dashuri gati në ekstazë që duket se rrezaton nga Veliaj kur gjendet pranë fëmijëve; asnjë shenjë kontakti fizik të tepruar që vërehet te Veliaj.
Duket qartë se Veliaj i do fëmijët. Madje duket edhe sikur të ish duke e përdorur postin e kryebashkiakut për t’u gjendur sa më shpesh të jetë e mundur pranë fëmijëve, duke hapur kopshte, duke vizituar aktivitete sportive, duke promovuar kulturën rinore – gjithçka që ka të bëjë me fëmijët. Një psikanalist, pa dyshim do të kishte më shumë për të thënë për këtë ngjitje të tepruar të Erion Veliajt me fëmijët, një ngjitje e cila ndoshta është reflektim i traumës së fëmijërisë së tij, të cilën ai, sipas fjalëve të tij, e ka kaluar “duke shitur fiq në rrugë”. Një fëmijëri shumë e ndryshme nga ajo e Ramës, i cili e ka kaluar fëmijërinë e tij në rrethin e të privilegjuarve të nomenklaturës komuniste.
Por, siç i thonë fjalës, personalja është politike, ndaj do të bënim mirë ta kuptonim nga kjo perspektivë domethënien e ekspozimit që Veliaj u bën fëmijëve. E para gjë për t’u vërejtur është se fëmijët nuk janë subjekte me të drejta të plota politike: ata nuk kanë të drejtë vote dhe nuk kanë as mendim politik të tyrin. Duke qenë të tillë, me përdorimin e tyre si një aspekt i rëndësishëm i imazhit të tij, Veliaj nuk paraqet kërcënim për rivalët e tij të mundshëm, veçanërisht për Ramën.
Imagjinoni një situatë ku Veliaj të shfaqet aq pranë me shqiptarët sa ç’shfaqet me fëmijët: publiku dhe shfaqjet e sinqerta të dashurisë mund të interpretoheshin si kërcënuese, duke u kthyer kështu në rrezik politikë. Duke zgjedhur fëmijët në vend të të rriturve, Veliaj në mënyrë të qartë po i thotë Ramës: Unë nuk po të hyj në pjesë, nuk përbëj kërcënim politik për ty.
Por fëmijët nuk përbëjnë kërcënim edhe për vetë Veliajn. Pikërisht sepse nuk e kanë kuptuar ende plotësisht shoqërinë ku jetojnë të rriturit, fëmijët nuk do ta pyesin kurrë atë për përgjegjësinë e tij në vdekjen e fëmijës Ardit Gjoklaj, që punonte në të zezë në landfillin e Sharrës; nuk do ta pyesin kurrë për skemat e financimit të shkollave që po ndërton; nuk do ta pyesin kurrë për shpronësimet me dhunë. Në kuptimin politik të fjalës, fëmijët nuk kanë zë dhe, me gjasa, është pikërisht kjo memecëri politike që e tërheq Veliajn drejt tyre. Fëmijët nuk do të vinin në dyshim kurrë arsyet e dashurisë së tij, krejt ndryshe nga banorët e rritur të qytetit që Veliaj qeveris.
Dashuria mjaltë e embël që Veliaj tregon ndaj fëmijëve ka nisur të metabolizohet edhe në aspekte të tjera të shfaqjes së tij vizuale. Në mënyrë domethënëse, kohët e fundit edhe tek veshjet e tij me logon me “zemër”, të koleksionit Comme des Garçons Play.
Po e lëmë mënjanë pyetjen e arsyeshme se si ia del një kryetar bashkie të blejë dhjetëra veshje të një prej markave më të shtrenjta me rrogën e tij modeste. Koleksioni Comme des Garçons Play (në shqip: Siç Luajnë Çunat) tregon shumë qartë thelbin e propagandës e tij: ai nuk është vetëm një kryetar bashkie “me zemër”; ai e vesh zemrën në krahët e tij, “duke luajtur çunash”.
Si për rastësi, emri i këtij koleksioni rezonon me nofkën Lali Eri, që Veliaj ia ka ngjitur vetes –“Djali i rritur Eri”.
Eksternalizimi i zemrës së Veliajt përmes modës – thuajse sikur mendja e tij të jetë e pavarur nga truri i tij që vazhdon të marrë vendime “racionale” të cilat shpesh shkaktojnë dëme në qytet dhe në kundërshti me ligjin — kjo gjë ra veçanërisht në sy në Ditën e Shën Valentinit, kur një shatërvan zemrash të kuqe rrodhën nga dritarja e zyrës së tij.
Kjo shfaqje e ekzagjeruar e dashurisë dhe e brishtësisë së shtirur mund të krahasohet me gjendjen e një partneri abuziv i cili të thotë pasi të ka rrahur, “Po unë të dua!”. Pa ç’ka se disa nga politikat e Veliajt shkaktojnë vuajtje të vërteta dhe dëme afatgjata në qytet, e Tiranës, dashuria e tij mburravece për fëmijët dhe modën thotë në mënyrë të vazhdueshme “por, unë të dua”.
Po kaq e vërtetë është edhe e anasjellta: Veliaj kërkon me dëshpërim që ta duan: ta përqafojnë, ta pushtojnë, ta puthin të gjithë qytetarët e Tiranës, njësoj si ata dhjetëra fëmijë që i hidhen në krahë çdo javë. Në të kundërt, Rama nuk ka nevojë për një dashuri të tillë: ai josh, ofendon dhe bërtet. Imazhet që shoqërojnë Ramën e tregojnë atë mbizotërues në çdo skenë. Këto imazhe thonë: Rama është gjeni; asnjë nuk mund ta kuptojë atë dhe vizionin e tij të madh. Përkundrazi, Veliaj nuk ka vizion; ai thjesht dëshiron që të kuptohet.
Në përfundim, fëmijët e Veliajt gjithashtu tregojnë mediokritetin, mungesën e formës dhe papjekurinë e vetë atij. Veliaj do të bëhet kryatar bashkie ashtu siç do fëmija të bëhet zjarrfikës apo doktor: duke luajtur siç luajnë çunat (comme des garçons). Dhe sepse Veliaj thjesht do të luajë “kryetar-bashkiash”, kryetari i vërtetë mund të bëhet dikush tjetër.
— Vincent W.J. van Gerven Oei
exit.al