Haxhi Baçinozi, ish-i dënuari politik që u ekzekutua pasditen e së shtunës në Tiranë, 10 vite më parë ka rrëfyer për gazetën “Panorama” revoltën në Qafën e Barit, kur ai vuante dënimin e parë për agjitacion e propagandë.
Më poshtë sjellim të plotë intervistën e dhënë nga Baçinozi në vitin 2009, ku ka treguar tmerrin e përjetuar gjatë përplasjes së datës 22 maj 1984. Ndërsa shpjegonte se si një përfaqësues ministrie hapi zjarr me automatik drejt turmës. “Unë isha në Qafë Bari kur barbarët gjymtuan shokët në revoltë.
Ishte mëngjesi i 22 majit ’84. Guxuam një moment të kundërshtojmë urdhrin e njërit prej policëve të shërbimit dhe na përpiu kryqëzata e shpagimit të përgjakshëm. Nëna ime, ç’kanë parë sytë e mi!”, shprehej ai. Njeriu që rrëfen sa i ka kaluar të pesëdhjetat, por thotë se është sa gjysma e kësaj moshe. Gjysma e jetës i ka kaluar në ferrin e burgjeve komuniste dhe mundohet ta harrojë, madje ta largojë si diçka që nuk i përket atij. E quajnë Haxhi Baçinozi. Në pamjen e parë nuk ta krijon përshtypjen e njeriut të vuajtur. Ka trup të lidhur dhe vështrim energjik.
Të pranon me bujari në bisedë, por e ka të vështirë, shumë të vështirë t’u kthehet ditëve të shpërfytyrimit njerëzor, që ka përjetuar në qelitë e errëta të Sigurimit të Shtetit. Tmerrësisht e pamundur bëhet kjo kur i kërkon diçka nga revolta e Qafës së Barit, në të cilën ka qenë njëri nga protagonistët e saj. Megjithatë, gjejmë një moment dhe futemi dalëngadalë në retrospektivën e asaj ngjarjeje, që e ka fiksuar në kujtesë çast pas çasti sikur të kishte ndodhur dje. Haxhi Baçinozi është gjendur në ferrin e Qafës së Barit, pas një arrestimi spektakolar në qytetin e Librazhdit kur kryente shërbimin ushtarak.
Ka qenë vetëm 20 vjeç kur u bë pjesë e komunitetit të “armiqve të Partisë”. Aty pastaj jeta e tij do të përvijohej në konturet e një drame të tmerrshme për të mbërritur te revolta e majit ’84, ku “fjeti” me vdekjen për orë të tëra. “U pashë me të sy më sy,- shprehet Baçinozi. Bile-bile e thirra me shpirt të më merrte. Po deshi Zoti dhe mbijetova”. Sakaq, përmend emrat e shokëve që nuk mundën ta sfidojnë deri në fund barbarinë e atij terrori të përgjakshëm.
MËNGJESI QË NDEZI GJAKRAT
Në fakt, aty çdo çast pritej të shpërthente. Ishte një lloj eksplozivi, që akumulohej dita-ditës. Çdo moment përballeshim me barbarinë çnjerëzore. U desh një shkak, një fërkim i rëndomtë dhe të gjithë u ngritëm në këmbë. Pikërisht mëngjesin e 22 majit. Kur ndërrohej turni i tretë me turnin e parë. Me grupin e atyre që e kishin gdhirë natën në thellësitë e galerisë, njëri nuk kishte realizuar normën.
Kjo, sipas rregullit të xhahilëve, do të thoshte se duhej të rifutej prapë në zgafelle për të bërë edhe turnin e parë. Madje, nuk lejohej të hante as mëngjesin. Polici i shërbimit e urdhëroi të kthehej mbrapsht. Zëri i tij buçiti fort: Ndue Pisha, te porta! Dy policë të tjerë rrinin gati te hyrja e galerisë për ta marrë që ta çonin në punë. Kur Ndue u bë gati që t’u bindej, i dolën para disa nga bashkëvuajtësit e tjerë. Jo, nuk ke për të shkuar!- e këshilluan të vendosur. Sakaq, ndërhynë policët që, më sa dukej, u revoltuan jashtë mase nga guximi i tyre. Po qëndresa ishte e prerë.
Një lloj vendimi ishte marrë në heshtje. U fut turni i parë në galeri dhe Ndue Pisha mbeti jashtë, në rrethin e një grupi shokësh që morën rrezikun në sy duke e ndaluar t’i bindej urdhrit të çmendur. Këtu nisi kacafytja e parë. Për një çast, raporti i forcave ishte në favorin tonë. Policët e shërbimit ishin fare pak përballë grumbullit të të dënuarve. Të gjendur në befasi, ata iu drejtuan oficerit të rojës. Menjëherë pastaj erdhi turma e parë e taborëve të pamëshirshëm. Pas saj erdhi skaloni tjetër…
PËRPLASJA E PARË TE MENSA
“Të gjithë në mensë! Të gjithë në mensë!” Oficeri i rojës që kishte ndjekur situatën në distancë dha sinjalin e kushtrimit. Për çaste të tëra çanga binte pa pushim. Brezi i parë i policëve u vendos menjëherë para fjetores. Të gjithë gati në një zë përsërisnin pandërprerë: “Në mensë, në mensë!” Nuk bëhej fjalë për ta vënë në diskutim urdhrin e tyre. Në pak minuta u grumbulluam aty. Hyri vrullshëm komandanti. Qysh nga larg dukej i xhindosur. Sa kaloi portën, hipi në stolin e parë që gjeti dhe filloi me zë të lartë: Kush dëgjon emrin, të dalë jashtë, pa një pa dy! E morët vesh?! Ndryshe e dini çfarë u pret! Të dilje jashtë, të priste dhoma e izolimit, aty pastaj fillonte seria e torturave.
Ndue Pisha, të dalë jashtë! Këtë radhë zëri i urdhërdhënësit u bë më i prerë. Sakaq, Ndue i gjorë, si pa me bisht të syrit rreth e qark, u çua në heshtje dhe mori drejtimin nga dera. Pas emrit të tij, u përmend ai i Kostandin Gjordenit dhe i atyre që prapësuan Nduen për mos t’u futur dy turne bashkë. Sa dilnin te porta i prangosnin menjëherë dhe i qëllonin me shkelma e grushte. Të revoltuar nga kjo u çuam të gjithë në këmbë dhe u vërsulëm nga dera.
Dikush dha urdhër për ta mbyllur, por vërshimi ynë ishte shpërthyes. Me çfarë kishim në duar shpartalluan portën dhe dolëm jashtë, duke u përballur me policët e shumtë. Ata të mbërthyer deri në grykë me pajime ushtarake, ne me gurë e tulla. Një dyluftim i egër. Palës tjetër nisën t’i vijnë përforcime, por ne i vumë para si lopët. Me duart në kokë nxitonin për të dalë jashtë rrethimit. Sulmi i “armëve” tona nuk i linte të merrnin frymë. Një skenë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Asnjëherë nuk kishte qëlluar që efektivi i sigurisë të binte në pozita kaq të pasigurta. Një breshëri automatiku na ndali për një moment. Oficeri i rojës, duke parë rrezikun që u kanosej shokëve të tij, shkrepi kallashin në drejtimin tonë. Plumbat e parë ranë mbi shpatullat e Kostaq Gjordenit. Një “oh” i tij nga thellësia e shpirtit na shtangu në vend…
SHPAGIMI I PËRGJAKSHËM
Me tërheqjen e policëve dhe afrimin e tyre te rrethimi kujtuam se ia dolëm mbanë, por nuk kishte qenë e thënë. Sa hap e mbyll sytë, u shfaqën reparte të tëra me policë dhe ushtarë. Një helikopter i ardhur nga Tirana, si fluturoi disa herë mbi kamp, u ul në kodrinën përballë. Të grumbulluar te sheshi para mensës, pyesnim njëri-tjetrin se çfarë mund të ndodhte. Pas një pauze të shkurtër u dëgjua zëri i komandantit që fliste nga jashtë rrethimit. Ai filloi të lexojë listën me emrat e të dënuarve që duhej të dilnin jashtë. Askush nuk lëvizi. Një heshtje varri ra sakaq.
Ai prapë nga e para, këtë herë me një ton disi më të qetë. Po përsëri asnjë reagim nga turma. Ishin momente dramatike. E dinim që nuk do na i falnin, por ishim të gëzuar që u dhamë një mësim të mirë gjakësorëve të pamëshirshëm. Situata u bë vërtetë kërcënuese. Sidoqoftë, nuk kishim çfarë të humbnim tjetër. Vdekja na dukej mjaltë para terrorit që na priste orë e çast. Me dhjetëra makina me sirena ndezur frenonin pas njëra-tjetrës te hyrja kryesore. Forca të shumta që, me sa dukej, vinin nga Tirana, sa zbrisnin prej tyre shpërndaheshin me shpejtësi në pozicione.
Grupi i oficerëve të ardhur rishtazi nga Ministria e Brendshme u futën për një moment në komandë dhe pas disa minutash dolën, duke zunë vend në vendrojën afër derës nga hynin mjetet. Njëri ndër ta, si komunikoi aty për aty me komandantin, mori megafonin dhe komandoi ushtarakisht “Armë mbush!” Që nga ky moment ishim në shënjestrat e dhjetëra kallashnikovëve, që prisnin komandën “Zjarr!”. Eprori i lartë i ardhur nga Tirana, si vendosi situatën paralajmëruese, na u drejtua për herë të fundit, duke na lënë vetëm pesë minuta kohë. Pastaj hodhi në tokë megafonin dhe u kthye nga komandanti duke i kujtuar listën. Ç’të bënim?! Të penalizuarit e saj sugjeruan të parët zgjidhjen. Të shkojmë për të shpëtuar shokët! Vendimi i tyre ishte i padiskutueshëm. Dhe ashtu bënë. I pari u afrua te rrjeta me tela Sokol Sokoli. Tom Ndoja pas tij. Kështu me radhë të dymbëdhjetë. Po ç’na priste aty? Sa na lidhën këmbë e duar, na futën te dhoma afër komandës. Nëna ime, ç’më kanë parë sytë…
“TEKNIKËT” E DHOMËS TEKNIKE
Orët në dhomën teknike, siç quhej ndryshe njëra nga zyrat e komandës, ishin të tmerrshme tek zoti. E kishim përjetuar dhe më herët misterin që fshihej aty. E përzgjedhur për t’u dhënë “mësim” të pabindurve, dhoma me mbishkrimin teknike, pa pikë mëdyshje ishte si qelitë e kuesturës fashiste. Shumëkush që stononte me regjimin e kampit, do provonte “bekimin” e saj. “Teknikët” e besuar nga komanda, sa kapërceje pragun, fillonin nga avazi i tyre. Ishin shumë të përpiktë në atë që bënin, jo vetëm nga përkushtimi, por dhe nga teknikat e përdorura. Të rrihnin mirë e mirë me ç’t’u ndodhej dhe nuk të shqiteshin deri sa të mbeteshe pa ndjenja. Kur dilje që andej, mund të ecje vetëm këmbë e duar ose i mbështetur për muri. Nuk qëllonte kurrë që të futeshe atje dhe të dilje me këmbët e tua. Sidoqoftë, këtë herë xhahilët kishin një arsye më shumë për t’u xhindosur tej cakut të zakonshëm.
E ndjemë tërbimin e tyre që në kontaktin e parë. Në krye, si nga hera, qëndronte shefi i Policisë së Burgut, barbar e gjakësor si ai. Na urdhëroi fillimisht të hiqnim peliçet. Pastaj u kujtua se duhej të hiqnim dhe çizmet, trikot dhe çorapet. Ashtu bëmë. As që mendohej një sjellje tjetër. Më tej na tha të uleshim në dysheme. Aty filloi dhe rrebeshi i goditjeve me shkelma e grushte deri sa përdoruesit e tyre u lodhën. U kujtuan një moment se nuk kishin mbaruar punë dhe rrëmbyen drutë e zjarrit, që ishin aty pranë. Me to në dorë, bam e bum në kokë, në krahë, në gjoks. Një terror i paparë. Dhoma sa nuk shpërthente nga britmat e ulërimat. Muret dhe dyshemeja u mbuluan me gjak. Në katrahurë e sipër nuk u përmbajta dhe diçka fola protestueshëm.
Dy policët që kisha afër më kapën nga këmbët dhe duke më hequr zvarrë më qëllonin me forcë me mjete të forta. Brita me sa fuqi kisha, po kush të dëgjonte. Thirra me zë të lartë deri sa mbeta pa ndjenja. Kur u përmenda, provova të lëviz, por ishte e kotë. Pashë përreth. Të gjithë kishin mbetur përtokë të mbuluar në gjak. “Beteja” e xhahilëve pa shpirt vazhdoi disa orë. Pas saj, eprori i policëve, që krekosej si pas një triumfi, urdhëroi të na çonin në birucë. Aty kam rënë përsëri në koma. Jam përmendur të nesërmen kur më kërkonin të çohesha për të hipur në makinën e burgut. Po ishte e pamundur të ngrihesha në këmbë. Më tërhoqën zvarrë e më hodhën në karrocerinë e një “Ifa”-je. Aty kishin sjellë dhe të tjerët që nuk pushonin nga britmat e dhimbjeve.
Po nuk donte t’ia dinte kush. Na nisën në drejtim të Pukës. Për disa ditë na mbajtën në qelitë e Degës së Brendshme. Aty më futën këmbët në allçi. Pa marrë mirë veten, iu nënshtruam seancave hetimore. Hetime sa për t’u thënë. Pas tyre vijoi gjyqi me dyer të mbyllura. As që bëhej fjalë për dënime të lehta. Nga gjithë ai proces mbaj mend pjesën e akuzës që bënte fjalë për terror dhe tradhti…
/Panorama.al/