“Kontrolloj gjendjen e financës: Depozita në bankë po zvogëlohej shpejt, arkëtimet nga kreditorët pothuajse zero…”. Kjo ka qenë situata financiare e kompanisë rentiere, VEFA në janar të vitit të1997, ndërsa vendi po merrej vetëm me falimentin e “Gjallicës”. Rrëfyer nga ish-drejtori i saj i përgjithshëm, Memush Habilaj, përmes një ditari të posaçëm të tij rreth asaj kohe dhe që vjen i zbardhur posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”.
“Vehbi Alimuçaj, më tha: Mesa duket, punët mund të marrin për keq, merru me mbrojtjen e VEFA-s, blini armë për t’u mbrojtur!”, është një tjetër rrëfim i tij. Duke shtuar se ata e dinin se “Gjallica” në atë fillim viti ‘97 qe e falimentuar, me një borxh 650-700 milionë dollarë dhe me depozita bosh. Por edhe se shumë pará të saj ishin marrë nga pushtetarët fshehtas dhe ishin transportuar në Tiranë. “Bile ditën e fundit me ta ka qenë edhe një person nga Banka e Shtetit në Tiranë si ekspert i cilësisë së dollarit”, shton në kujtimet e tij Habilaj, i cili para viteve ’90 ka shërbyer si drejtor i laboratorit kimik të ushtrisë shqiptare…
***
“Janar 1997
E mërkurë, 08.01.1997
Në Tiranë, në selinë e VEFA-s, takoj Vehbi Alimuçajn, i cili më tha se kishte biseduar gjatë me Pëllumb Shehajn e “Silvës” dhe se kishin rënë dakord për bashkëpunim në fushën e fajdeve e investimeve. Më tha gjithashtu se Shehaj ishte optimist sa për sy e faqe, por në fakt ndihej i frikësuar. Vehbiu ishte shumë i inatosur me gazetat që po ashpërsonin qëndrimin ndaj firmave rentiere. Bënin thirrje për grevë në gjithë Shqipërinë, sidomos studentët. Pastaj filluam me çështjet tona të Vlorës. Përgjegjësi i informacionit i bëri një përmbledhje të situatës brenda dhe jashtë kompanisë në Vlorë. Pasi dëgjoi të dhënat, tha se aty do të kemi përplasje të mëdha, se problemet e “Gjallicës” do të çojnë në revoltë dhe se mund ta pësojë edhe VEFA nga situata që do të krijohet. “Gjallica” ka falimentuar dhe mbahet sekret se shteti ka frikë ta shpallë, pasi pritet që ato para që kanë mbetur t’i tërheqin pushtetarët, para se të shembet gjithçka. Pushtetarët e lidhur me “Gjallicën” po i çojnë paratë jashtë shtetit. I thamë se qarkullon fshehtas një informacion që në Vlorë kanë ardhur bodigardë të qeveritarëve me makina luksoze dhe kanë marrë natën pará të “Gjallicës”.
Është boshatisur depozita e “Gjallicës” dhe Arafati ka tërhequr shuma të mëdha, që janë dërguar me aeroplan nëpërmjet Rinasit. Gjithashtu, qarkullojnë zëra se një ngarkesë e madhe me pará të “Gjallicës” ka lëvizur me skaf në rrugë detare për jashtë shtetit, por mësuam nga njerëzit brenda policisë, se ky është disinformacion dhe është bërë me urdhër nga lart, me qëllim për të fshehur të vërtetën dhe për të humbur gjurmët, sepse paratë që janë marrë janë fshehur diku brenda Shqipërisë nga persona me pushtet dhe bashkëpunëtorët e tyre. Prandaj, shteti po e mban në hava çështjen e “Gjallicës” derisa të zhduken dhe paratë e fundit. Pas diskutimeve të gjata, më vonë Vehbi Alimuçaj, më tha në thelb: “Mesa duket, punët mund të marrin për keq, merru me mbrojtjen e VEFA-s, merr çdo masë që do ta shohësh të arsyeshme, blini armë për t’u mbrojtur dhe merr akoma njerëz të zotë dhe të zgjedhur për ruajtjen e kompanisë. Unë do të të mbështes për çdo gjë që do të bësh. Që tani do të t’i quaj të miratuara të gjitha masat që do të marrësh, edhe po u bë ndonjë gabim, mos e çaj kokën. Kam besim të plotë tek ty”.
E enjte, 09.01.1997
Jap një intervistë në media, ku thashë që VEFA është një kompani e fuqishme, e sigurt dhe se në këto momente jemi duke bërë tratativa me një kompani amerikane ajrore për të bërë një linjë Nju Jork-Vlorë, ku në këtë linjë do të angazhohen 30 aeroplanë dhe se kjo do t’i sjellë zhvillim turizmit etj. Të nesërmen, gazeta kishte një faqe me këto budallallëqe. Më vjen informacioni që në selinë e PD-së në Vlorë po bëhet një mbledhje ose aktiv lidhur me “Gjallicën”. Gjendje e tensionuar në këtë mbledhje nga frika e shembjes së saj. Drejtuesit e PD-së janë të lidhur ngushtë me Gjallicën, prandaj mundohen të qetësojnë gjendjen. Më thanë edhe disa të reja të ditës, ndërmjet të cilave: Rrapush Xhaferri ka dalë hapur kundër VEFA-s sepse Përmeti, që ai e mbante si provincë të vetën, u mor përfundimisht dhe plotësisht nga Vehbi Alimuçaj e kishte kaluar edhe në kërcënime qesharake. Kishte gjetur kohën, tani që po i rrëshqiste toka nën këmbë dhe po shkonte drejt humnerës.
E premte, 10.01.1997
Analizojmë me njerëzit e ardhur nga Tirana një për një problemet. Dhe po përgatisim një projekt për përmirësimin e sistemit të ruajtjes së kompanisë. Diskutuam edhe për kompletimin me armë dhe mundësitë për t’i siguruar. Disa trafikantë armësh shisnin armë në Vlorë, por kishin çmime të larta dhe nuk ishin njerëz seriozë. Një variant me disa persona nga Shkodra na u duk më bindës dhe caktova një punonjës tonin që të merrej me këtë punë.
E diel, 12.01.1997
Afër orës 1100 takohemi të gjithë me Vehbiun në selinë qendrore të VEFA-s. Ai ra dakord me çdo gjë. Pastaj doli tek problemet në Vlorë. E kishte shumë shqetësim gjendjen. Pastaj u kthye te çështja e “Gjallicës” e ne i thamë çdo gjë që dinim. Ideja jonë ishte që “Gjallica” praktikisht qe e falimentuar, borxhi ishte 650-700 milionë dollarë dhe depozitat i kishte bosh. Sipas informacioneve tona, të marra nga njerëz brenda “Gjallicës”, shumë pará ishin marrë nga pushtetarët fshehtas dhe ishin transportuar në Tiranë.
E hënë, 13.01.1997
Kontrolloj gjendjen e financës … depozita në bankë po zvogëlohej shpejt për dhënien e përqindjeve, arkëtimet nga kreditorët janë pothuajse zero, arkëtimet nga objektet nuk janë keq, por kanë tendencë ulje. Po ndihej frikë për VEFA-n, tek-tuk ndonjë presion dhe shumë thashetheme. Filtruam të dhënat e fundit dhe mora në telefon Vehbiun rreth mesit të natës dhe duke kamufluar bisedën për efekt të përgjimeve telefonike, në esencë i thashë: “Situata është shumë shqetësuese në të gjithë Vlorën, ndihet tek çdo institucion e tek çdo qytetar. Udhëheqja e PD-së shpreson se “Gjallica” do ta rihapë aktivitetin dhe kjo do ta shpëtojë Vlorën. Shemsie Kadria dhe Fitim Gërxhalliu janë fshehur, ka mundësi në Tiranë. Udhëheqja e PS-së nuk e njeh dhe nuk e vlerëson situatën, mendon se është kalimtare dhe është në pritje të zhvillimit të ngjarjeve”. I përsërita edhe ato që i kisha thënë edhe më parë për “Gjallicën”: gjendje zero të llogarisë së saj, tërheqja e parave nga të dërguarit e pushtetarëve, bile ditën e fundit me ta ka qenë edhe një person nga Banka e Shtetit në Tiranë si ekspert i cilësisë së dollarit. Flitet se Arafati i ka tërhequr paratë e tij, po ashtu edhe persona të huaj nga Mali i Zi, Kosova, etj, si edhe persona të ambasadave të huaja, apo zyrave të tjera të huaja.
Ortaku turko-shqiptar i “Gjallicës” është zhdukur, duke humbur çdo shpresë për ringjallje të kësaj kompanie. Këto fjalë po qarkullojnë në popull dhe po krijojnë një pështjellim të madh. Ndërkaq, në tregun e valutës persona të panjohur po tërheqin sasi të mëdha dollarësh dhe kjo po zhvlerëson me shpejtësi lekun dhe ngjall panik tek njerëzit. Në qoftë se “Gjallica” nuk do të rihapë veprimtarinë në datën e caktuar sipas premtimeve, Vlora do të përfshihet nga protestat masive. Po bëhen haptazi thirrje për të qenë gati për protestat. Sipas të dhënave nga SHIK-u po përgatiten banda të armatosura, në Vlorë dhe nëpër rrethe, nuk dihet gjë saktë, mund të jenë edhe disinformacione. I fola ndër të tjera edhe për masat përforcuese në rast se do të kishte revolta në Vlorë. Kështu, në masën e demonstruesve do të vinim persona me radio dhe telefona për të na njoftuar në rast të ndonjë veprimi kundër VEFA-s dhe me policinë do të bashkëpunojmë për ndonjë ndihmë në rast nevoje. Pasi më dëgjoi, Vehbiu më tha: “Mos u shqetësoni, nuk do të ketë revolta, kam folur me qeverinë, mos i besoni të gjitha ç’thonë. Megjithatë merri masat”. U habita! Ose ai nuk po e kuptonte situatën, ose nuk donte të na shqetësonte.
E martë, 14.01.1997
Ngrihem herët dhe shoferi më jep një tufë gazetash me tituj bombastikë për fajdet. Shkoj në zyrë, bisedoj me drejtorët që të jenë shumë të kujdesshëm dhe që të propagandojnë për stabilitetin e kompanisë. Më pas shkoj në bankë dhe bisedoj me drejtorin Edison Sofia për gjendjen tonë financiare. Ai më thotë se do të fillojnë kufizime për firmat piramidale e presin urdhrin përkatës. Prej andej kërkova në telefon shefin e Policisë, Sokol Mulosmanin, i cili më priti në zyrë dhe i fola për shqetësimet tona. Më mirëkuptoi dhe më premtoi se brenda mundësive do të kishim gjithmonë mbështetjen e policisë. Një mesditë vjen në zyrë kryemenaxheri i kreditorëve të mëdhenj, Malo Vero dhe më thotë se ka shqetësime nga menaxherët, sidomos nga ata që kanë shuma të mëdha. Kërkojnë të sigurohen për to dhe të ndajnë llogaritë e mëdha në më të vogla, sipas personave që kanë në listë. Ne kishim rreth 150 menaxherë të tillë, që merrnin nga 10%-12% në muaj të shumave të depozituara.
Dy prej tyre kishin pesë milionë dollarë dhe kur merrnin përqindjet bllokohej gjithë veprimtaria e kompanisë. Sistemi i menaxherëve që ngritën kompanitë rentiere qenë piramida brenda piramidave, që i rrënuan me shpejtësi dhe i groposën firmat rentiere. Fola me Vehbiun për këtë problem të ri dhe më tha ta mendoj dhe do të flasim nesër. Ndërkaq, pasdite shefi i Informacionit më thotë se kishte biseduar me mikun e tij në SHIK-un e Vlorës dhe se ai i kishte thënë që Fitim Gërxhalliu dhe Shemsie Kadria janë fshehur në Tiranë nën mbrojtjen e personave të fuqishëm dhe nuk do të dalin më në skenë, “Gjallica” ka vdekur. Largimi i parave me skaf është disinformim me porosi nga lart, nuk ka pasur lëvizje skafesh me pará. Paratë e “Gjallicës” janë nisur drejt Tiranës.
E mërkurë, 15.01.1997
U hedh një sy gazetave për të ndjekur ndonjë lajm të veçantë, gjithandej po flitet për shembjen e Xhaferrit. Flas në telefon me Vehbiun dhe më thotë se ramë dakord me F. Kamberin për të krijuar një bankë të përbashkët dhe do të fillojnë përgatitjen e dokumentacionit. Më thotë gjithashtu se qeveria vuri kufizime në nxjerrjen e parave nga bankat me 300 mijë dollarë në ditë, gjë që është shumë e vogël dhe nuk zgjidh dot gjë, po kërkon zgjidhje me bankën.
Por guvernatori K. Luniku nuk pranon kompromise, do t’i marrë krahët në drejtim tjetër më lart. I thashë se nesër është dita për t’u hapur “Gjallica” e kam informacione se nuk do të hapet dhe pritet revoltë. Kemi marrë masa për të mos na ndodhur gjë, kam disa njerëz që do të vrojtojnë situatën në turmë dhe do të na paralajmërojnë për çdo gjë. Thërras shefat e ruajtjes dhe i porosisë edhe një herë. Menaxherët po na bëjnë presion në rritje, mendoj për një takim të tyre me Vehbi Alimuçën për të rregulluar marrëdhëniet tani.
E enjte, 16.01.1997
Shkova herët në zyrë, lidhem me objektet, çdo gjë në rregull, asnjë shqetësim. Arka do të punojë normalisht, kemi rezerva parash në rast se banka nuk do të na furnizojë për shkak të situatës. Turma kreditorësh grumbullohen tek “Gjallica”, sportelet e saj nuk hapen. Njerëzit presin deri rreth orës 1000 dhe pasi humbasin shpresën, lëvizin nëpër bulevard dhe grumbullohen para bashkisë. Rreth orës 1100 turma e irrituar godet me gurë dritaret e bashkisë. Panik ndër punonjësit e saj. Policia monitoron turmën. Një përfaqësi e turmës hyn në bashki dhe bisedon me kryetarin Gëzim Zilja, i cili u jep shpresa. Rreth orës 1400 turma shpërndahet e qetë.
Gjatë gjithë kohës merrja të dhëna nga grumbullimi. Krijova idenë se turma nuk ishte e organizuar, nuk kishte drejtim, nuk ishte agresive dhe nuk pati veprime të dhunshme. Nuk u vërejt ndonjë fjalë ose parullë kundër VEFA-s, nuk kishin gjë me ne. Fola me Vehbiun dhe i tregova për situatën. Biem dakord për një takim me menaxherët. Nga lajmet mësohet se piramidat e “Sudes”, “Xhaferrit” e “Popullit” u groposën përfundimisht. Kjo do ta acarojë gjendjen edhe në Vlorë.
E shtunë, 18.01.1997
Merremi me organizimin e takimit me menaxherët. Për arsye sigurie, takimi nuk do të bëhet në Vlorë, por në Llogora tek hoteli i VEFA-s. Paraqes situatën: Kompania punon normalisht, shqetësime nuk kemi, masat e sigurisë i kemi të mira, mund të përballojmë pa vështirësi situatën. Madje u thashë edhe se ka një numër të madh kërkesash për punësim tek VEFA, midis tyre, një pjesë janë dërguar nga SHIK-u për spiunim, ndërkohë kemi gjetur tek ne disa që punojnë për SHIK-un, por nuk i kemi shqetësuar për të mos ngjallur dyshime. Telefonat janë vënë në përgjim. Kurse për “Gjallicën” u përsërita ato që i kisha thënë më parë: Është pa shpresë ringritje, paratë e zhdukura janë fshehur brenda në Shqipëri, një pjesë ndoshta në Bankën Arabe. Fjalët e përhapura në shtyp janë një lojë e kurdisur për humbjen e gjurmëve të parave të tërhequra nga “Gjallica”. Këtë lojë ia imponuan medias pushtetarët që zhvatën paratë.
Burimet nga policia tregojnë që nuk ka pasur lëvizje skafesh me pará, ka qenë thjesht një disinformim i porositur nga lart dhe që u përhap në shtyp dhe në popull. Shumat që tërheqim nga Banka e Vlorës janë të pamjaftueshme për filialin. Vehbiu na tha se qeveria do të ndalojë huamarrjen dhe pritet të kalojë me ligj në Parlament nesër ose pasnesër. “Ne do veprojmë sipas ligjit. Nga kontaktet me qeveritarët mendoj se kjo gjendje është kalimtare dhe për 2-3 muaj çdo gjë do të normalizohet dhe do punojmë rregullisht. Unë nuk e shoh me frikë. Jam duke biseduar me firmat e tjera dhe shpresojmë të bëjmë një organizatë të përbashkët. Gjithashtu, po bisedoj me një firmë italiane “Cecere e Caputo”, e cila ka paraqitur shumë interes të punojë me ne”, shtoi ai. Mua më pyeti si e shikoj unë gjendjen. I thashë se shtypi po i fryn shumë gjërat, stacionet e huaja televizive po flasin për Shqipërinë kur s’kanë folur asnjëherë, direktivat e FMN-së po ashpërsohen shumë, Guvernatori i Bankës K. Luniku akuzon hapur qeverinë për lejimin e fajdeve. Këto shenja janë pararendëse të trazirave dhe pse jo, të një grushti shteti. Për sa i përket qeverisë, i thashë me shaka, se qeveria i ngjan atij burrit që e merr vesh i fundit që gruaja i shkonte me gjithë fshatin, kështu që pushtetarët e kanë mendjen tek fshehja e parave dhe jo te kërcënimi që po del në horizont.
I thashë edhe që opinioni ndaj nesh është pozitiv dhe kjo na bën optimist. Por sqarova edhe problemin me menaxherët, të cilët janë të trembur dhe duan të dalin pa lagur pasi kanë marrë përqindje të larta deri 10-12%. Pastaj Vehbiu foli për sigurinë që ka VEFA, idenë se përqindjet mund të ulen në 2-3% dhe se mund të ketë një ngrirje kapitalesh për 3-4 muaj, e diktuar kjo nga situata, por që jemi në gjendje të dalim prej saj. U ngjalli optimizëm hë për hë. Menaxherët treguan mirëkuptim dhe na shprehën përkrahje. Pas drekës, Vehbiu më tha se mendon të shkojë në Përmet për një takim të ngjashëm. Ai ishte i shqetësuar se atje nuk kishte një drejtues të zot dhe më pyeti nëse mund ta drejtoja Përmetin që nga Vlora? I thashë se në një situatë normale e bëja pa problem, por kushtet tani në Vlorë janë të tilla që nuk mund të shkëputem asnjë çast. Duke e përcjellë për tek helikopteri më shprehu shqetësimin se duhet ta mbajmë fort kompaninë në Vlorë, “po u goditëm këtu do ta humbasim në gjithë vendin”… (vijon) /Albanian Free Press”/