Gjinjtë janë të formave dhe të madhësive të ndryshme, por e kanë një të përbashkët: Të qenit ndryshe tek njerëzit në krahasim me qeniet e tjera të gjalla, shkruan Business Insider.
Më shumë se 5.000 specie gjitarë e banojnë planetin tonë, Tokën. Por, Homo sapienët janë e vetmja specie me gjinj të përhershëm.
Disa mund ta quajnë tërheqëse këtë anomali njerëzore, por ky fakt nxit edhe pyetjet: Pse gjinjtë njerëzorë janë aq të mëdhenj? A janë tani të tillë për shkak të një gabimi në evolucion?
Secilit gjitar i formohen gjinjtë e përkohshëm, gjatë ovulimit apo ushqyerjes. Qëllimi i tyre është prodhimi i qumështit. Sapo të shteret qumështi, gjinjtë zhduken.
Por, kështu nuk ndodh me femrat tek njerëzit, gjinjtë e të cilave formohen gjatë pubertetit, e jo gjatë shtatzënisë. Në një pikë të caktuar gjatë evolucionit tonë, diçka ka ndryshuar. Pse?
Më 1987, biologu Tim Caro ka shqyrtuar shtatë teori ekzistuese rreth kësaj teme. Njëra prej tyre thotë se gjinjtë njerëzorë i mundësojnë të sapolindurve të ushqehen nga ijët, duke iu dhënë nënave të tyre më shumë lëvizshmëri për veprime të tjera.
Por, kjo teori nuk shpjegon pse gjinjtë mbeten edhe pasi faza e ushqyerjes përfundon.
Ideja ndoshta më e popullarizuar nga të gjitha është propozuar nga Charles Darwin, dhe më pas është shqyrtuar nga zoologu Desmond Morris, në një libër të botuar më 1967.
Në të, Morris sugjeron se gjinjtë janë zhvilluar si simbol gjinie, për të zëvendësuar fryrjen e të pasmeve të femrave të qenieve të tjera të gjalla gjatë ovulimit.
Kur paraardhësit tanë filluan të ecnin në këmbë, organet e tyre seksuale më nuk mbetën aq të dallueshme sa dikur.
Prandaj, meshkujt nuk kishin mënyrë të qartë për të ditur se kur një femër ishte e pjekur seksualisht, dhe gjinjtë mund të jenë zhvilluar për këtë arsye, transmeton Gazeta Express.
Kjo teori përpiqet të shpjegojë të paktën pse gjoksi i femrave tek njerëzit fryhet gjatë pubertetit, por prapë nuk e shpjegon se pse gjinjtë mbeten edhe pas menopauzës.
T’i analizojmë edhe pak gjinjtë njerëzorë. Ato dallojnë nga gjinjtë e qenieve të tjera të gjalla për nga sasia më e madhe e yndyrës që përmbajnë. Yndyra zgjeron indin e gjirit, duke i dhënë atij formë. Disi sikur qumështi, por në mënyrë të përhershme.
Gjinjtë njerëzorë mund të bëhen aq të mëdhenj, sa që shkaktojnë dhimbje shpine dhe gjoksi. Prandaj, shumë femra i zvogëlojnë gjinjtë e tyre. Mbi 61.000 femra i kanë zvogëluar më 2016 vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, gjinjtë nuk shkaktojnë vetëm shqetësim për disa. Ato mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Kanceri i gjirit është shkaktari numër 1 i vdekjeve të lidhura me kancerin tek femrat në mbarë botën. Ai prek rreth 1.5 milion femra çdo vit, dhe vetëm më 2015 i ka marrë jetën 570.000 femrave.
Por, sipas informatave që kanë arritur të nxjerrin shkencëtarët, kanceri i gjirit nuk është i përhapur tek qeniet e tjera të gjalla. Kjo mund të jetë për shkak se rreziku i prekjes nga kanceri rritet me moshën, dhe qeniet e tjera të gjalla nuk jetojnë aq gjatë sa për t’u prekur nga ky lloj i kancerit. Apo, ndoshta arsyeja ka të bëjë me vetë indin e përhershëm të gjirit.
Sigurisht, gjinjtë e kanë zënë vendin e tyre në kulturën dhe shoqërinë njerëzore. Ato mund t’i bëjnë femrat të ndihen të dëshiruara, të pavarura, apo të fuqishme.
Dhe, gjinjtë kanë ndihmuar të ndërtohen perandori të tëra, falë vetëm aftësisë së tyre për të joshur.
E, duket se, për të mirë apo për të keq, gjinjtë njerëzorë s’kanë për t’u zhdukur.